Hoti ia delegon kompetencat Hysenit në dialog, vlerësohet qasje jokushtetuese

Kryeministri Avdullah Hoti ka vendosur t’ia delegojë kompetencat në dialog koordinatorit që vjen nga partia e tij, Skënder Hyseni. Teksa ka folur për rolin e Hysenit në negociata me Serbinë, Hoti ka thënë se Hyseni ka kompetencë ta përfaqësojë kryeministrin në tryezën e negociatave. Por ky përcaktim është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimin e vitit 2019, sipas të cilit kryeministri është ai që duhet t’i prijë dialogut me Serbinë.
“Ai flet në emër timin në tavolinën e dialogut, ka këtë kompetencë të më përfaqësoj mua si kryeministër në procesin e dialogut. Koordinatori ka marrë përsipër organizimin e këtij procesi të rëndësishëm. Ne kemi hyrë në dialog për të përmbyllur marrëveshje me Serbinë, e cila përfshin dy gjëra- njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve. Dialogu është për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë”, ka thënë Hoti të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë, ku i informoi anëtarët e kabinetit për takimin e javës së kaluar. Ndërkaq të premten ai ka shtuar se do të raportojë para deputetëve për takimin e javës së kaluar në Bruksel, raporton KOHA.