Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

23 zjarre brenda një jave në Suharekë

Foto: Koha / ilustrim

Mbi 20 zjarre janë shkaktuar gjatë javës së shkuar në Komunën e Suharekës sipas zyrtarëve të ekzekutivit komunal. Ata kanë theksuar se në 3 raste flakët e zjarrit kanë kapluar ndërtesat e banimit. Me këtë rast është përsëritur thirrja për ndalimin e zjarrvënieve të qëllimshme.

Zyra Komunale për Informim ka njoftuar se të hënën, në takimin e rregullt të Ekzekutivit, janë trajtuar tema të ndryshme, me ç’rast është shprehur shqetësimi për rastet e shumta të zjarreve gjatë javës së shkuar, ky dyshohet se pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë të qëllimshme, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Në takimin e rregullt javor të kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, me Këshillin e drejtorëve, sot u diskutuan tema të ndryshme. U fol për angazhimet dhe punët që po kryhen nëpër drejtori, si dhe u dhanë detyra dhe punë të reja për javën që sot veç ka filluar. Ndër të tjera u paraqit edhe e dhëna se brenda javës kanë shpërthyer 23 zjarre dhe atë tre prej të cilave nëpër objekte banimi”, thuhet një njoftimin e ZI-së.

Aty theksohet se drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Enver Shabani, e ka adresuar këtë problem para kryetarit, duke thënë se “zjarret janë shumica të qëllimshme, pasi në këtë kohë të ftoftë dhe në muajin shkurt nuk kanë ndodhur zjarre viteve të tjera”.

Lidhur me këto raste ka reaguar edhe kryetari Muharremaj, i cili ka apeluar te qytetarët që të mos ndezin zjarre, teksa nga organet dhe institucionet ka kërkuar që të angazhohen më shumë në parandalimin e tyre.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)