Arbëri

Bajrami: Kam abstenuar në votimin për shkarkimin e Osmanit

Descriptive Text

Anëtarja e kryesisë së LDK-së dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në Interaktiv të KTV-së ka treguar se ka abstenuar në votimin për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozicionet e LDK-së.

Osmani është shkarkuar nga posti i nënkryetares së LDK-së dhe nga Kryesia, transmeton KOHA.

“Unë kam votuar, dhe votat janë në LDK. Ka qenë vendim i organeve të partisë, jo vendim i imi personal. Po dua ta shfrytëzoj të drejtën time për të mos komentuar këtë. Nuk besoj se as znj. Osmani e as unë të pranojmë që të jemi viktima për shkak të gjinisë. Vendimet e tilla besoj se do t’i vlerësojnë qytetarët dhe do i vlerësojë historia. Unë e kam dhënë votën. Unë po ju tregoj se kam abstenuar”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka folur edhe për numrin e zëvendësministrave të emëruar, që janë në total 46.

“Në Ministrinë time janë 3 zëvendësministra, është Agim Krasniqi nga LDK, kam një të AAK-së dhe një zëvendësministre nga minoriteti serb. Janë sigurisht formula të koalicionit qeverisës, gjithmonë për të arritur një marrëveshje të koalicionit dhe për të mbajtur atë në periudha të caktuara duhet të bëhen kompromise, ndoshta kjo i është kërkuar LDK-së. Por, besoj se përgjigjen e saktë se qysh ka ardhë deri në 46 numri i zëvendësministrave mund ta japë kryeministri ose Zyra e Kryeministrit”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka thënë se duhet të aprovohet Ligji për Qeverinë, që shpresojnë ta bëjnë së shpejti.

“Është përgjegjësi e partive politike se çfarë janë ata persona. Nuk është diçka e mirë dhe nuk mund ta justifikoj para qytetarëve. Por, shpresoj se do të arrijmë të aprovojmë Ligjin për Qeverinë ku besojmë se do të kemi kufizime të tilla”, është shprehur Bajrami.