Arbëri

Zemaj i kundërpërgjigjet Kusari-Lilës  

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i është kundërpërgjigjur deputetes Mimoza Kusari-Lila që deklaroi se emërimi i tij në postin e ministrit të Shëndetësisë, është qasje joserioze dhe ofendim i LDK-së për qytetarët e Kosovës. 

Kusari-Lila kishte thënë në Interaktiv, të enjten mbrëma, se LDK-ja me emërimin e një juristi në këtë pozitë, në kohë pandemie, ka ofenduar qytetarët dhe ka treguar “tendencë vetëm që të vihet në pushtet”. 

Pak pas kësaj deklarate, Zemaj, përmes një postimi në Facebook i është përgjigjur Kusari-Lilës duke ia kujtuar akuzën nga Prokuroria Speciale për rastin e “faljes së hidrocentraleve”. 

“E akuzuara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari (aktakuzë pran Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special) për krim të organizuar për shitjen dhe privatizimin kriminal të katër hidrocentraleve, pasuri e qytetarëve të Kosovës, e paska quajtur ofendim për qytetarët e vendit, zgjedhjen e një juristi në krye të MSh-së. Tani çka quajmë ofendim: të qenurit jurist i njohur apo të lavdërohesh nga kaskaderët politik dhe të akuzuarit për krim, zhvatje e korrupsion? Qytetarë të vendit tim, edhe një motiv shtesë për mua që të punojmë me shumë në avancimin e sistemit shëndetësor të Kosovës”, ka shkruar Zemaj.