Arbëri

Hoti ngul këmbë se nuk do të ketë shkëmbim territoresh

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur të mërkurën për dialogun me Serbinë, duke thënë se marrëveshja finale do të bazohet në Kushtetutë dhe sipas tij, nuk do të ketë shkëmbim territoresh.

Sipas tij, pas nënshkrimit të marrëveshjes finale me Serbinë, menjëherë duhet të ndodhë njohja reciproke, njohjet nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, shfuqizimi i rezolutës 1244 dhe të ecet tutje në procedurat e integrimit euroatlantik.

Kryeministri Hoti në diskutimin “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se nuk i di prapaskenat e dialogut, por e di se nuk do të flitet për shkëmbim të territoreve.

“Nuk i di prapaskenat e këtij procesi, atë që kam kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtar në ditën e parë që e kam marrë detyrën, nga telefonatat në Berlin, Parsi, Bruksel e Washington, kam kërkuar si kryeministër të di ku ka arritur procesi, përgjigja e tyre ka qenë e qartë, nuk ka arritur askund, të dy palët do të uleni si dy shtete të pavarura dhe do të negocioni për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që duhet të dërgojë të njohja reciproke. Çka nënkupton kjo? Nënkupton që të gjitha konspiracionet e ndryshme për harta e shkëmbime territoresh për mua janë jorelevante, nuk janë të vërteta, nuk e di a kanë ndodh apo nuk ka ndodh, por nuk merren parasysh dhe nuk janë pjesë e diskutimeve që do të kem unë bashkë me ekipin tim në këtë proces”, tha Hoti.

Më 27 qershor, kryeministri Hoti do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë, për të marrë pjesë në takimin ndërmjet dy palëve, Kosovës dhe Serbisë.

Ky takim është thirrur nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell.

Të martën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se shpreson që ky takim mund të rrisë shpresat për një marrëveshje finale.

Mirëpo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në po të njëjtën ditë se, temë e takimit nuk do të jetë pranimi i pavarësisë së Kosovës, por çështjet ekonomike.