Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, në një postim në Facebook e ka quajtur jolegjitime Qeverinë Hoti, gjersa ka thënë se kot bën plane me presidentin Thaçi pasi qytetarët janë ata që do t’ua tregojnë vendin.
Ajo ka thënë se nga Qeveria demokratike me legjitimitet popullor tek Qeveria e kontrabanduar me ndërhyrje të Presidentit.
“Më 6 mars 2020 Qeveria Kurti aprovoi Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2020-2023. Një pjesë e veçantë e programit, saktësisht pika 12.3.2 përcaktonte angazhimet e Qeverisë në raport me dialogun, duke u bazuar në frymën e parimeve të reciprocitetit, përfshi këtu edhe çështjen e të pagjeturve, reperacioneve të luftës e okupimit. Në program përcaktohej poashtu edhe zëvendësimi i tarifave doganore me masat e reciprocitetit të plotë”, ka shkruar Nagavci.
Tutje ajo ka shtuar se më 15 mars 2020 Kuvendi miratoi Rezolutën e iniciuar nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupi parlamentar i LDK-së, ku njëra nga tri pikat rikonfirmoi se është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe dialogun me Serbinë.
“Duke ditur qëndrimin parimor të kryeministrit Kurti, duke pasur të votuar programin qeverisës ku e zeza mbi të bardhë ishte e qartë se s’ka dialog pa parime, se s’ka cenim të sovranitetit, integritetit dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi e dinte se planet e tij s’mund të realizohet me këtë qeveri. Duke pasur të qartë se me Albin Kurtin kryeministër nuk ka pazare me Serbinë, se s’ka plane me harta e se ai nuk është faktori vendimarrës pa kushte, filloi Plani B. Presidenti u rikthye edhe një herë tek ata që edhe e bënë President, tek aleati i tij, LDK”, ka shkruar Nagavci.
Sipas saj Hoti është vetëm formalisht në pozitën e kryeministrit.
Më 25 mars me iniciativë të LDK-së, u votua në Kuvend mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qeverisë Kurti. Më 3 qershor 2020, pas ndërhyrjeve direkte të presidentit Thaçi, me favorizime antikushtetuese, me vizita pas mesnate në shtëpi të deputetëve u votua qeveria e tij, Qeveria e udhëhequr formalisht nga Hoti që për herë të parë ka në kabinet edhe një zëvendëskryeministër të Listës Serbe”, ka thënë ajo.
Kurse, sipas saj, më 5 qershor Qeveria Hoti aprovon programin qeverisës ku fare nuk e përmend se është përgjegjësi e plotë e Qeverisë udhëheqja e dialogut, duke hapur kështu edhe formalisht rrugën për presidentin Thaçi.
“Më 6 qershor, Qeveria jolegjitime shfuqizon vendimet e Qeverisë Kurti për reciprocitet me Serbinë. Ky vendim i Qeverisë Hoti përshëndetet menjëherë nga Thaçi, Vuçiq e Daçiq. Pra, nga 6 mars deri më 6 qershor, për vetëm tre muaj LDK nga aprovimi i programit parimor të Qeverisë Kurti, nga të qenit pjesë e një qeverie që ka buruar nga vullneti i qytetarëve, në mënyrë demokratike me zgjedhje të lira, kaloi tek heqja e reciprocitetit me Serbinë dhe formimit të një Qeverie jolegjitime me AAK, Lista Serbe, Nisma e të tjerët, tek Qeveria e Thaçit”, ka shkruar Nagavci.
Por, këto plane të Qevrisë Hoti me presidentin nuk do të realizohen.
“Nga reciprociteti me Serbinë tek nënshtrimi ndaj Serbisë akoma pa filluar dialogu, kjo pra është Qeveria jolegjitime, që kot dhe po i bënë planet me Presidentin e saj. Plane që s'do mund të realizohen, sepse qytetarët edhe një herë do t'ua tregojnë vendin”, ka shkruar Nagavci.