Arbëri

Hoti – Hija e Mustafës

Profili i kryeministrit të ri të Kosovës - Avdullah Hoti është ngjitur në skenën politike në 2006-n nga Agim Veliu dhe tash në 2020-n, ai u bë kryeministër, e Veliun e riktheu në pushtet. Megjithatë, gjatë gjithë rrugëtimit politik 14-vjeçar, Hoti ka qenë hije e Isa Mustafës. E ka zëvendësuar në Këshillin Drejtues të UP-së, ka qenë zëvendës i tij në Komunë të Prishtinës, dhe edhe në LDK është nënkryetar i Mustafës

Avdullah Hoti është ngjitur në skenën politike në 2006-n, nga Agim Veliu. Kanë kaluar 14 vite prej atëherë dhe deri tash kur është bërë kryeministër, në rrugëtimin politik gjithherë ka qenë hije e Isa Mustafës.

Menjëherë pasi presidenti Hashim Thaçi kishte vendosur që t’ia ofrojë Lidhjes Demokratike të Kosovës mundësinë për të bërë qeverinë e re, kreu i LDK-së, Isa Mustafa në një konferencë për media bashkë me Hotin e shpalli publik propozimin që ai të jetë kryeministër i ardhshëm.

Posti i Zëvendëskryeministrit të Parë në Qeverinë Kurti është ai më i larti politik që e ka bartur profesori i ekonomisë. Por, është shkarkuar. Kurti vendosi për ta larguar, pak orë pas mocionit kundër qeverisë së tij që ishte iniciuar nga LDK-ja. Arsye formale për mocion kjo parti përmendi shkarkimin që Kurti ia bëri paraprakisht Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.

Ndërkaq, funksioni i parë politik që Hoti ka pasur, është ai i këshilltarit. Veliu ishte ministër i Arsimit, kur në 2006-n kuadrin e ri universitar të asaj kohe e kishte bërë pjesë të stafit politik.

Që nga atëherë, merr start nisja e rrugëtimit pas Mustafës.

Në këtë kohë, Veliu ia kishte besuar një funksion shefit të tashëm të tij në LDK. E kishte bërë Mustafën anëtar të Këshillit Drejtues të bartësit më të madh publik të arsimit të lartë – Universitetit të Prishtinës. Ministri mund t’i emëronte katër nga nëntë anëtarët e Këshillit dhe kishte përzgjedhur të çonte aty njerëz që i afroheshin politikës. Profesorit të ekonomisë i ishte tkurrur hapësira e veprimit politik kur ishte kthyer pas lufte në Kosovë, meqë duke qenë ministër Financash i Qeverisë në Ekzil, ai i kishte lënduar raportet me presidentin Ibrahim Rugova, liderin historik të LDK-së. Në fund të 2007-s, Mustafa ishte dorëhequr nga të qenit anëtar i Bordit të Universitetit. Veliu e kishte vënë në vend të tij Hotin, të cilin atëkohe e promovonte edhe si kuadër që kishte kryer shkollimin sipëror jashtë – magjistraturën dhe doktoratën i kishte kryer Staffordshire University të Britanisë së Madhe.

Rugova ka ndërruar jetë në 2006-s dhe nga kjo kohë dyert e veprimit i janë hapur Mustafës, e bashkë me të edhe Hotit.

Në vitin e vdekjes së Rugovës, Hoti ishte bërë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Në 2007-n Mustafa qe kandiduar nga LDK-ja për kryetar të Prishtinës. Ishte zgjedhur. Dy vite më vonë qe rikonfirmuar në të njëjtin post. Në mandatin e parë, Hoti ishte këshilltar i kryetarit të kryeqytetit, ndërsa në të dytin nënkryetar.

Ngjitje të njëjtë kanë pasur edhe në parti. Hoti krijoi hapësirën, pasi në krye të LDK-së u vu Isa Mustafa në 2010-n, duke i dalë për kundërkandidat tek ditën e fundit Fatmir Sejdiun, këshilltar i të cilit ishte gjatë kohës sa ishte president.

Këtë vit, Hoti për herë të parë bëhet anëtar i kryesisë së LDK-së. Një vit më pas, i ishte besuar funksioni i kryesuesit të Këshillit të ekspertëve të kësaj partie. Më pas, ai ka marrë edhe pozitën e nënkryetarit të LDK-së.

Në Kuvend ka mundur të hyjë nëpërmjet zgjedhjeve të 2014-s. Nuk ka qëndruar gjatë kohë. Meqë pas zgjedhjeve LDK-ja iu bashkua në bashkëqeverisje Partisë Demokratike (PDK) kundër së cilës ishin bërë të gjitha subjektet politike, Hoti la postin e deputetit për të zënë vend në Qeveri, në krye të së cilës ishte Mustafa. U bë ministër i Financave.

Qeveria Mustafa ishte rrëzuar me mocion mosbesimi.

Në zgjedhjet që pasuan në 2017-n, kryetari i LDK-së vendosi të mos ishte pjesë e listës garuese. Në krye të saj ishte vënë Hoti, i cili ishte edhe kandidat për kryeministër. Atëkohë, struktura e partisë i ishte hakmarrë Vjosa Osmanit, për “zhurmën” që e kishte bërë, kur strukturat partiake ia mohuan të drejtën për t’i dalë kudnërkandidat Mustafës, në garën për kreun e partisë. Kësisoj, në listën e kandidatëve për deputetë e kishin ranguar fare poshtë – në numrin 81. Ndonëse në këto zgjedhje LDK-ja garoi bashkë me Aleancën Kosova e Re, me Alternativën për Kosovën dhe me një listë partishë të vogla, ajo nuk mbërriti të dalë fituese. Hoti si kandidat për kryeministër dhe bartës liste, mori veç 115,693 vota. Osmanin votuesit e ngjitën lart. E renditën të dytën, meqë mbërriti 64,147 vota.

Këto zgjedhje e çitën në opozitë LDK-në.

Edhe në prag të garës elektorale të 2019-s, qenë mbajtur zgjedhjet e brendshme në LDK. Një sëmundje që e goditi Mustafën, bëri që grupacionet të shfaqeshin në parti, nën synimin për ta marrë primatin. Megjithëkëtë, një kompromis u mbërrit për t’i ikur qarjes së madhe. Mustafa u zgjodh kryetar partie edhe për një mandat dhe nënkryetar e bëri Hotin. Ndërkaq, në shenj “reflektimi” ndaj kërkesave nga jashtë për t’i dhënë rol Osmanit, por edhe nga bindja se me të mund të merreshin më shumë vota. vendosi që ajo të ishte kandidate për kryeministre dhe që t’i prijë listës kandidatëve për deputetë të LDK-së.

Në zgjedhjet e 2019-s LDK-ja garoi e vetme. U mund për rreth 15 mijë vota nga LVV-ja, me të cilën parti ishin marrë vesh në parim se do të bashkëqeverisnin, cilido që të ishte rezultati pas votimit. Osmani mori 176,016 vota. Hoti diku 7-fish më pak – 26,094. Hoti ishte i treti në listë, por vota e qytetarëve e rangoi të pestin. Përpos Osmanit, para tij ishin edhe Anton Quni e Lumir Abdixhiku, dy ministra të Qeverisë Kurti që nuk e mbështetën nismën e partisë së tyre për mocionin e tashëm kundër Qeverisë.

Hotit nuk i ka ecur në vota. Ai ka mundur të fitojë vetëm garën për kryetar të degës së LDK-së në Rahovec. Kryesisht, ngjitjen në majë të partisë e ka mbërritur me shtytjen e Mustafës.

Edhe kur është zyrtarizuar vendimi i LDK-së për t’ia ofruar presidentit emrin e tij për kandidat për kryeministër, Hoti është shtyrë nga “të fortët” e partisë. Vota e elektoratit të LDK-së ka vendosur për tjetër kë. Për Vjosa Osmanin.

Sikur 16 vjet më parë kur Veliu e vuri në skenë politike Hotin, edhe tani është bërë “sebep” që atij t’i hapet dera për t’u bërë kryeministër. Qeveria e re me Hotin në krye të saj, u bë pas mocionit të mosbesimit kundër Qeverisë Kurti, të cilin LDK-ja e inicioi nën arsyen se po hakmerrej për shkarkimin e Veliut nga posti ministror.