Arbëri

Prapaskenat e Aktgjykimit

Prapaskenat e Aktgjykimit
 

Gjykata Kushtetuese është shërbyer me normë jorelevante, u është referuar afateve çfarë nuk i përmban Kushtetuta dhe është bazuar edhe në dokumente që u kontestohet vërtetësia, përgjatë misionit të saj për t’ia dhënë vulën e kushtetutshmërisë Dekretit jokushtetues të presidentit Hashim Thaçi, me të cilin ka caktuar për mandatar për ta formuar qeverinë e re një kandidat jashtë partisë fituese. Parashikimet e para që janë dhënë flasin për pasoja të mëdha politike nga aktgjykimi që ia humb rëndësinë garës elektorale.

Nëpërmjet Aktgjykimit, përfundimet e të cilit i ka publikuar në orën 22:29 të së enjtes, Gjykata e ka shpallur kushtetues Dekretin e presidentit Thaçi, me të cilin Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit për kryeministër. Kandidaturën para kreut të shtetit e kishte përcjellë Lidhja Demokratike (LDK), parti e dytë që ka dalë nga zgjedhjet e fundit. Ky subjekt politik ka në plan që në fillim të javës ta iniciojë thirrjen e një seancë në Kuvend, në të cilën do të zgjidhej Qeveria, shkruan KOHA Ditore.