Arbëri

Ligji i Buxhetit nuk lejon komunat t’u ndihmojnë bizneseve

Bizneset e dëmtuara nga pandemia COVID-19 nuk po mund të ndihmohen financiarisht nga komunat.

Pavarësisht gatishmërisë së disa komunave, pengesë për ndarje të granteve është infrastruktura ligjore, raporton KOHA.

Për të mundësuar ndarjen e granteve për këtë kategori duhet të rishikohet Ligji për Buxhetin ose të nxirret një ligj i ri në Kuvendin e Kosovës.

Komuna e Prishtinës thotë se ka përgatitur programin e granteve për t’i ndihmuar bizneset, por nuk ka marrë akoma përgjigje nga Qeveria.

“Ne e kemi gati programin për grantet. Po presim vetëm përgjigjen e Ministrisë së Financave”, ka thënë Muhedin Nushi, nënkryetar i Prishtinës.
Për këtë KOHA ka pyetur Ministrinë e Financave se si do të veprojë me kërkesat e komunave për t’i ndihmuar bizneset, por nuk ka marrë përgjigje.

Përveç Prishtinës e gatshme për t’i ndihmuar financiarisht bizneset përmes një zgjidhjeje ligjore është edhe Komuna e Pejës, ka bërë të ditur Engelbert Zefaj, zëdhënës i Komunës së Pejës.

Shuma e grantit, sipas Zefajt, do të duhej të ishte në përputhje me dëmet e pësuara.

Por një ndihmë e tillë është e pamundshme të ofrohet nga komunat e vogla si Kamenica, me vetëm 9 milionë euro buxhet, shumica e të cilit është dedikuar për paga dhe shpenzime operative.

Rreth dhjetë milionë euro ka qenë dëmi ditor që pandemia ia ka shkaktuar ekonomisë së vendit, sipas vlerësimit të përfaqësuesve të bizneseve.