Sot, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe BE-së.
Siç njofton kumtesa për media, ai i njoftoi ambasadorët mbi gjendjen aktuale në menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 si dhe mbi vendimet e fundit për lehtësimin gradual të masave.
Këto vendime kanë për qëllim rihapjen e ekonomisë, e cila sikurse shëndeti publik është rrezikuar e dëmtuar nga pandemia.
“Palët diskutuan për situatën aktuale politike në Kosovë, gjersa presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ambasadorët shprehën nevojën për stabilitet dhe demokraci në vend”, thuhet në njoftim.
Kumtesa njofton se me Kurtin, në takim ishte ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.
Ata u takuan me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.