Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka publikuar të marten kërcënimin e një grupi të quajtur “Garda Vullnetare Shqiptare”, duke e quajtur paralajmërimin e këtij grupi “kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese”.
“Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura "Garda Vullnetare Shqiptare", në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”, shkruhet në statusin e kryeministrit Kurti.
Postimit, Kurti ia ka bashkëngjitur edhe paralajmërimin e “Gardës Vullnetare Shqiptare”.
Ky grup e quan LVV-në “organizate kriminale”, duke thënë se “nuk do të qëndrojë duarkryq” lidhur me protestat eventuale që mund të mbahen në Prishtinë.
“Albin Kurti dhe të gjithë udhëheqësit e LVV-së që ndihmojnë në organizimin e kësaj proteste, tani kanë arsye të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre nga njësitet e Gardës”, shkruhet në njoftimin e tyre.
Për kryeministrin Kurti, “ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t'i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin”.
{gallery}