Arbëri

Furnizimi me kerozinë në Aeroport: AAC-ja i dha paraaprovim kompanisë “fantazmë” nga Qiproja

Autoriteti i Aviacionit Civili synon të hapë tregun për shërbime në tokë, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” me kompani, ekzistenca e të cilave është vënë në pikëpyetje.

Kompania e parë që mori paraaprovimin për këtë shërbim është “Invios Group” LLC.

Më 24 mars 2020 kjo kompani mori dritën e gjelbër për t’u përgatitur që të ofrojë shërbime tokësore dhe të furnizojë aeroplanët me kerozinë në aeroportin e vetëm në Kosovë, ani pse nuk ka fare licencë për naftë. Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, kjo kompani u hap në prillin e 2019-s dhe është pronë e “Invios Group” LTD, raporton KOHA.

Aty shkruhet se personi i autorizuar për Kosovë është Valon Shabani, derisa drejtor i subjektit afarist është vendosur emri i Pantelis Christofides, një avokat korporatash nga Qiproja.

Por, adresa dhe numri i telefonit që janë lënë në këtë ueb del se nuk kanë të bëjnë fare me këtë kompani.

E kontaktuar nga KTV-ja, ajo ka deklaruar se është një kompani avokatësh dhe se nuk e njeh asnjë Valon Shabani, dhe se ky asnjëherë nuk ka punuar në ndërmarrjen e tyre.

Në aprovimin e lëshuar nga Aviacioni shkruhet se subjektit afarist i mbetet të plotësojë dokumentet e kërkuara e që është dokumenti kryesor - licenca për të importuar e shitur naftë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka deklaruar se kompania e lartcekur është në procesin e licencimit për shërbime të naftës.

Edhe në dokumentet e ofruara nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve ka pak detaje për kompaninë.

Thuhet se posedon një depo në Preoc të Graçanicës, e cila është regjistruar si filial i tyre më 14 shkurt të 2020.

Në formularin për licencë janë dhënë edhe dy adresa, njëra e kompanisë bazë e tjetra e drejtorit, e që të dyja ndodhen në kryeqytetin e Qipros, Nikozia.

Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit thonë se nuk kanë kompetenca dhe përgjegjësi për rregullim ekonomik në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” por, sipas saj, kjo bie nën përgjegjësinë e Autoritetit të Aviacionit Civil.

Ndërkaq vetë Autoriteti ka dhënë shumë pak sqarime në lidhje më këto paraaprovime.

Në një përgjigje elektronike ajo ka thënë se janë bazuar në kuadrin ligjor të aplikueshëm për përzgjedhjen e operatorëve për shërbimet në tokë.

Derisa bëjnë të ditur se AAC ka pranuar kërkesat nga subjekti afarist “Invious Group” LLC më 10.2.2020 dhe nga “HIB Petrol” më 6.3.2020, dhe se janë në dijeni se këto kompani nuk kanë përvojë në ofrimin e shërbimeve tokësore në aeroporte.

Ndërkaq njeriu që mban nënshkrimin në këto paraaprovime, drejtori i shkarkuar i ACC-së, Eset Berisha, thotë se nuk e ka idenë nëse kompania “Invious” ekziston ose jo.

Ai i ka thënë se ajo është ofruar në Autoritet dhe ka shprehur interes, dhe se Komisioni ia ka dhënë paraaprovimin duke i kërkuar që gjatë kësaj kohe të pajiset me licencë për naftë. Berisha është arsyetuar se e ka nënshkruar këtë aprovim edhe në mungesë të licencës pasi, për shkak të pandemisë, është ndërprerë dhënia e tyre për naftën.

Një ndër arsyet e shkarkimit të Berishës nga Autoriteti i Aviacionit Civil është edhe hapja e tregut për shërbime tokësore në Aeroportin e Prishtinës dhe frika se “Limaku” mund të padisë Kosovën në arbitrazh për këtë çështje. Aktualisht këtë monopol e mban kompania “Ex Fis”.

Kompania tjetër që ka marrë paraaprovim si ofrues i shërbimeve për palë të treta është edhe “HIB Petrol”.

Avokati i saj, Arianit Koci, i ka thënë KTV-së se kanë shprehur interesin për të marrë këto shërbime pasi që është parakusht i BE-së që çdo aeroport që kalon mbi 2 milionë udhëtarë brenda vitit duhet patjetër të ketë 2 ose më shumë ofrues të tillë.

Ai ka thënë se kanë aplikuar dhe e kanë marrë paraaprovimin.

Në dokumentin për paraaprovim të kushtëzuar, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Civil, Eset Berisha, i kishte kërkuar “HIB Petrolit” që të certifikonte personelin për operim, të dorëzonte policën e sigurimit të qasjes në treg dhe t’i nënshtrohej auditimit të pajtueshmërisë.