Arbëri

Thaçi i kërkon Kuvendit ta mbrojë Pacollin nga kërcënimet e “grupit të Kurtit”

Ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se deputeti Behgjet Pacolli do të ndalohej, e ndoshta edhe do të arrestohej, në rast se do të kthehej ilegalisht në Kosovë nga Tirana.

Ai nuk përjashton ndonjë masë edhe tash, nëse Pacolli thyen vetizolimin në shtëpinë e tij.

Sveçla ngul këmbë se Pacolli duhet të respektojë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vend.

“Ai do të qëndrojë në vetizolim, në momentin që ai potencialisht thyen izolimin, normalisht ka masa edhe për këtë veprim. Me dijen time, nëse thyhet izolimi ka masa tjera, nuk shkohet direkt në arrestim, ka gjobë mandatore, kthehet në vetizolim apo dërgohet në karantim”, ka thënë Sveçla, duke pohuar se nuk do të lejohej të shkonte në parlament.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Presidenti Hashim Thaçi. Presidenti në një shkrim në Facebook, ka thënë se kërcënimet që vijnë nga grupi i Kurtit dhe të tjerëve duhet të ndalen urgjentisht.

Ai thotë se deklarimet e Sveçlës janë të papranueshme dhe tejet të rrezikshme për demokracinë e Kosovës.

“Kërcënimi që një ushtrues detyre i ministrit të një Qeverie në dorëheqje ia bën ish-presidentit Behgjet Pacolli, lider partiak dhe aktualisht i zgjedhur i popullit në Kuvendin e Kosovës, se do të arrestohet nëse shkon në Kuvend për ta ushtruar mandatin e tij, është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm për demokracinë tonë të re”, ka shkruar Thaçi.

Ai i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që t’i adresojë këto kërcënime dhe të marrë masa.

Edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar duke thënë se kjo është sfida më e madhe për Kuvendin e Kosovës që nga viti 1989, kur është suprimuar dhunshëm.

“Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme më ka kërcënuar me arrestim nëse shkoj në Kuvend për të ushtruar detyrën time si deputet. Kjo është sfida më e madhe për Kuvendin e Kosovës që nga viti 1989. Qeveria është përgjegjëse para Parlamentit, jo deputetët ndaj qeverisë. Demokracia duhet të triumfojë”, ka shkruar Pacolli në Twitter.