Arbëri

Rekordi i zi në ekonomi

Foto: Alban Bujari / KOHA

Kosova ka dalë nga lufta edhe me një ekonomi të shkatërruar, është pavarësuar pa ndonjë përparim të ndjeshëm dhe në ngecje ka mbushur dekadën e parë të shtetësisë. Ka ngelur kampion në Evropë për kah varfëria dhe shkalla e papunësisë.

Kujtim Dobruna, udhëheqës i ECIKS, organizatë që ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës, parasheh skenarë të errët për ekonominë, që për burim kanë efektet e pandemisë. Varësisht nga kohëzgjatja e krizës, sipas tij, tkurrja ekonomike mund të shkojë deri në 8 për qind.

“Sot është evidente se dëmi për ekonominë e Kosovës do të jetë shumëdimensional dhe do ta kalojë shumëfish dëmin e krizës financiare botërore të vitit 2008. Një dëm serioz do ta pësojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të Kosovës, që janë shtylla e ekonomisë së vendit”, thotë ai. “Edhe pse është herët të jepet një vlerësim i saktë, skenarët e ndryshëm tregojnë se varësisht nga kohëzgjatja e krizës, tkurrja ekonomike mund të shkojë deri në 6 apo sipas disa skenarëve më konservativë, edhe deri në 8 për qind për vitin 2020”.

Kosova e përmbyll vitin me rritje vjetore prej 3-4 për qind, e bazuar kryesisht në konsum. Me këtë ritëm rritjeje, sipas Bankës Botërore, Kosovës do t’i duhen deri në gjashtë dekada, në mënyrë që nivelet e të ardhurave të kapin ato të Bashkimit Evropian, shkruan KOHA.

Pasojat në ekonomi nga pandemia do ta ndalin trendin e deritashëmm të rritjes, ka paralajmëruar edhe guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti.

“Nën supozimin se tronditjet ekonomike në ekonominë e Kosovës do të ndihen më tepër në tremujorin e parë dhe të dytë dhe pjesërisht edhe në tremujorin e tretë të vitit, parashikimet tona preliminare sugjerojnë për një rënie ekonomike reale në intervalin -2 për qind deri -4 për qind për vitin 2020”, ka thënë ai.

E, Berat Thaqi nga Instituti GAP, ka theksuar se nga kriza ekonomike do të dëmtohen qytetarët e vendit, sektori privat dhe buxheti i Kosovës. Ai parasheh që të hyrat buxhetore tatimore të bien deri në 12 për qind. Dhe, zgjidhje mbetet borxhi.

“Dëmi në ekonomi do të jetë i shumëfishtë. Do të kemi rënie të kërkesës së brendshme, rënie të remitencave, rënie të investimeve të huaja direkte (IHD-të), eksporteve, e të tjera. Ndër sektorët më të goditur do të jetë ai i ndërtimtarisë, i cili është sektor tejet i rëndësishëm për punësim, ngase 12.5 për qind e të punësuarve në vitin 2019 ishin të punësuar në këtë sektor. Ky sektor do të goditet si nga rënia e kërkesës së brendshme, ashtu edhe nga ajo e diasporës”, ka theksuar Thaçi. “Pjesa më e madhe e IHD-ve në Kosovë janë investime në patundshmëri nga diaspora jonë në Evropë. Një skenar parasheh tkurrje të ekonomisë së BE-së nga zero deri në 9 për qind, prandaj edhe IHD-të nga diaspora do të bien dukshëm dhe sektori i ndërtimtarisë do ta ndikohet negativisht. Përveç rënies së IHD-ve, do të kemi edhe rënie të remitencave nga diaspora dhe potencialisht nëse kjo krizë zgjat, do të kemi më pak vizita dhe shpenzime nga diaspora”.

Ai parasheh që probleme të kenë edhe sektorë të tjerë, për të cilët thotë se nuk do të mund të punojnë edhe pas fillimit gradual të kthimit në normalitet.

“Restoranet, kafenetë, kinematë e të tjera, përbëjnë një numër të konsiderueshëm të të punësuarve, dhe efektet në rritjen e papunësisë do të jenë të mëdha, veçanërisht nëse masat për mbylljen duhet të mbahen në fuqi edhe gjatë verës, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik”, thotë Thaqi. “Pra, të gjitha këto do të ndikojnë që papunësia dhe varfëria të rriten. Se sa do të zbuten efektet negative të krizës, do të varet edhe masat e qeverisë së Kosovës”.

Qeveria ka prezantuar këtë javë 15 masat e Pakos Fiskale Emergjente në shumën rreth 200 milionë euro, nëpërmjet të cilave synohet të mbërrihen tri qëllime: të ofrohet ndihmë financiare shtesë për shtresat më të varfra të shoqërisë pas pandemisë COVID-19; të ndihmohen bizneset në mbulimin e shpenzimeve operative, në mënyrë që të sigurohet një pagë minimale për të gjithë punëtorët gjatë situatës emergjente; si dhe të sigurohet se bizneset kanë mundësi të vazhdojnë veprimtarinë gjatë dhe pas tejkalimit të situatës emergjente.

Kryeministri Kurti ka thënë se kjo pako nuk ka si qëllim politikat afatgjate për të stimuluar rimëkëmbjen e ekonomisë. Për këto ai ka treguar se do të bëhet një analizë dhe një studim më i thellë dhe do të hartohet një pako e dytë, e cila do të adresojë nevojat afatgjate të sektorit privat.

Por, opozita ka qenë e pakënaqur me të.

PDK-ja, subjekt kryesor në opozitë, ka propozuar ndryshime ligjore në Kuvend, nëpërmjet të cilave parashiheshin të dedikoheshin në këtë fazë 320 milionë euro, për t’i adresuar pasojat fillestare nga pandemia. Seanca e jashtëzakonshme e thirrur me kërkesë të deputetëve të kësaj partie është mbyllur pa një rezultat.

Ndërkaq, ka pasur edhe nisma, sikur ajo e AAK-së, për të ndarë një buxhet fillestar, nga i cili secili qytetar do të përfitonte nga 100 euro.

Kësisoj, jo veç në luftën ndaj pandemisë së shkaktuar nga virusi vrasës, është demonstruar luftë mes subjekteve politike e institucioneve. Luftë të ngjashme kanë treguar edhe tash kur kanë ardhur në rend dite masat, nëpërmjet të cilave synohet t’u jepet përgjigje pasojave ekonomike të pandemisë.