Arbëri

Muharremaj: Ne e kemi një luftë dhe duhet ta bëjmë bashkë

I pari i Suharekës, Bali Muharremaj, tha se Komuna ka marrë të gjitha masat që kjo situatë me pandeminë ty kalohet sa më lehtë.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, Muharremaj tha se aktualisht Komuna numëron 14 raste, përfshirë një që është shëruar, por sipas tij, është shqetësuese mosha e të prekurve me Covid-19, një virus që prek kryesisht më të moshuarit.

“Kemi katër raste nën 21 vjeç, një 25-vjeçar ndër të tjera”, tha ai. “Kujdesim e kemi pasur shumë të shtuar nga fillimi, për herë të dytë kemi filluar dezinfektimin e fshatrave, qytetarët e kanë respektuar”, ka thënë Muharremaj.

Ai ka folur edhe për masat e reja të marra nga Qeveria në detyrë.

Sipas tij, komuna dhe është kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Suhareka ishte për të pranuar këtë vendim, pasi bëhet fjalë për të mirën e qytetarëve.

“Kjo është për të mirën e qytetarëve tonë. Në këtë kohë nuk kisha pasur dëshirë të merrem me politikat nacionale. Tash e kemi pak problem, kjo me numrat e letërnjoftimeve, ndoshta edhe është shkelur Kushtetuta, po nuk do të kisha komentuar tash, ne e kemi një luftë dhe duhet ta bëjmë bashkë”, ka shtuar ai. “Jeta e njeriut nuk paguhet me para”.

Muharremaj ka thënë se së fundi Komuna ka angazhuar 10 inspektorë të rinj dhe ata bashkë me Policinë po punojnë që të zbatohen rregullat e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Tash për tash i kemi dy vatra, Bllacën dhe Semetishtin”, shtoi ai.