Arbëri

Lufthansa redukton operacionet e Eurowings-it, kompania që pritet të nisë linjën Prishtinë-Beograd

Lufthansa do ta mbyllë aviokompaninë e saj të fluturimeve me çmime të ulëta, “Germanwings”, si pjesë e një rishikimi më të gjerë duke përfshirë edhe uljen e kapaciteteve në të gjithë grupin, tha të martën kompanie ndërsa paralajmëroi se mund të duhen vite që industria të rikuperohet nga kriza me koronavirusin.

Grupi, që po ashtu ka në pronësi edhe brendet “Austrian Airlines”, “Swiss” dhe “Eurowings”, tha se koronavirusi i ka detyruar ata të përshpejtojnë hapat radikalë të ristrukturimit.

“Do të duhen muaj derisa kufizimet globale të fluturimeve të hiqen tërësisht dhe vite derisa kërkesa botërore për fluturime të kthehet në nivelet e para-krizës”, tha kompania, raporton Reuters.

“Në bazë të këtij vlerësimi, sot Bordi Ekzekutiv ka vendosur për masa shtesë për të ulur kapacitetin e operimeve fluturuese dhe administrative për një afat të gjatë kohor”, transmeton KOHA.

Të martën, aviokompanitë globale thanë se 25 milionë vende pune në mbarë botën do të rrezikohen si pasojë e koronavirusit.

“Operacionet fluturuese të ‘Germanwings’ do të ndërpriten. Të gjitha opsionet që rezultojnë nga kjo do të diskutohen me unionet respektive”, tha Lufthansa.

Fati i “Germanwings” ishte në dyshim teksa sektori i fluturimeve të lira ishte nën presion, dhe pasi një pilot vetëvrasës qëllimisht e drejtoi aeroplanin e tij në një mal më 2015, duke vrarë të 150 personat në bord.

Për të ulur shpenzimet, Lufthansa do të ul kapacitetet e veta në Frankfurt dhe Munih, përfshirë edhe uljen e numrit të aeroplanëve që shfrytëzohen nga Lufthansa dhe Eurowings, tha më tej kompania.

Në këtë ristrukturim të Lufthansas përfshihet edhe heqja nga përdorimi i disa aeroplanëve, përfshirë gjashtë Airbus A380 dhe shtatë A340-600s, sikurse edhe pesë Boeing 747-400s.

Edhe 11 Airbus A320 të tjerë do të tërhiqen, sikurse edhe tre Airbus A340-300.

“Lufthansa Group” njoftoi se do të ul edhe biznesin e fluturimeve në distanca të shkurtra të “Eurowings”-it.

“Për më tepër, zbatimi i objektivit të Eurowings-it për lidhjen e operacioneve fluturuese në një njësit të vetëm, që ishte definuar para krizës, tani do të përshpejtohet. Fluturimet e ‘Germanwings’ do të ndërpriten”, tha kompania.

Në janarin e sivjetmë, pas 20 vjetësh kontestimesh të ekzistencës së hapësirës ajrore të Kosovës nga Serbia, këto dy vende nënshkruan një letër qëllimi për t’i lejuar kompanisë gjermane “Lufthansa” që ta hapë korridorin ajror mes shteteve.

Ndërkaq, nga kompania “Lufthansa”, avio-kompania e cila nënshkroi marrëveshjen me Kosovën dhe Serbinë, thanë se “Eurowings” do të jetë fluturimi që do t’i lidhë dy qytetet.