Rreth dy javë pasi u miratua mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka vazhduar vizita të ndryshme në terren.
Këtë të martë, ai ka vizituar Komunën e Ferizajt, ku fillimisht është takuar me punëtorët shëndetësorë, raporton KOHA.
Gjithë këtë aktivitet në kohë pandemie, e kur thirrjet pikërisht të personelit shëndetësor janë që të qëndrohet në shtëpi, Veseli mohoi se është duke e bërë për fushatë parazgjedhore.
Vizita e Veselit u mirëprit nga kryetari i komunës e drejtoresha e QKMF-së.
Pas QKMF-së, kreu i PDK-së vizitoi edhe një nga barnatoret e qytetit, ku dëgjoi nga afër sfidat me të cilat përballen gjatë kësaj kohe.
Megjithëkëtë, Veseli nuk respektoi rregullat e vendosura në hyrje të barnatores.
Në fund, kryetari i opozitës u takua edhe me furrtarët në Ferizaj e me përfaqësues të bizneseve në këtë komunë.
Veseli, një ditë më parë ishte për vizitë edhe në komunat në veri të vendit, e as atje nuk respektoi masat e kërkuara të distancës sociale.
Instituti i Shëndetit Publik dhe OBSH-ja kanë rekomanduar njerëzit që të qëndrojnë në shtëpi dhe të dalin vetëm për nevoja elementare, si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit.