Arbëri

Selmanaj: Kurti ka problem me paranojat e tij, kryeministri i ardhshëm do të jetë i LDK-së

Driton Selmanaj i LDK-së ka thënë se rrëzimi i Qeverisë, ishte skenar i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kjo është bërë nga kalkulimet e tij që në këtë fazë të prishet koalicioni e të bie Qeveria.

Ai thotë se shkarkimi i Veliut, u bë qëllimshëm që Qeveria të rrezohej, për shkak se sipas tij, Kurti nuk ishte i gatshëm për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, Kurti mund të thotë në publik që nuk është antiamerikan por deklaratat i ka antiamerikane.

“Ditën e diele, para ngritjes së mocionit, ka pasur takim mes Kurtit e Mustafës dhe është diskutuar rreth kërkesës së LDK-së për heqjen e taksës sipas kërkesës së SHBA-së. Të hënën Mustafa i shkruan letër Kurtit, i cili me tone përgjëruese i thotë se nuk e kanë bërë Qeverinë për ta rrëzuar. Por nuk mundemi dhe nuk lejojmë si LDK që të rrezikohet partneriteti me Amerikën. Mustafa ka thënë se do t’iu presim deri në fund të javës që heqja e taksës të ndodhë. Të mërkurën Kurti ia dërgon një mesazh ku i thotë ‘ta shkarkova ministrin e Brendshëm, dërgoma një emër tjetër’. Pjesë e marrëveshjes është ministrat e LDK-së nuk mund të shkarkohen pa konsultë apo njëfarë forme aprovim. Kurti shkeli marrëveshjen, ai shkarkoi Veliun, emëroi zëvendësministrin nga VV-ja. LDK-ja erdhi para situatës që nuk pati zgjidhje tjetër”, ka thënë ai,

Selmanaj thotë se Qeveria do të rrëzohej për secilin do ministër të LDK-së dhe jo vetëm për Veliun.

Deklaratat e Veliut në fushatë në Podujevë kundër Vetëvendosjes, ai i ka quajtur të arsyeshme për shkak të fushatës.

“Asnjëherë nuk ja kemi treguar derën Vjosa Osmanit për mendim ndryshe. Mendimi ndryshe nga vendimi ndryshe dallon. Agim Veliu ka menduar ndryshe nuk ka vendosë ndryshe. Veliu është shkarkuar për ta rrëzuar vetveten nga Qeveria. Pazotësia për t’i dalë përballë dialogut me Serbinë. Kurti ka problem me paranojat e tij. Për disa tematika ka paranoja. Ai para disa orëve i detyroi figurat e SHBA-së të dalin me deklaratë dhe të tregojnë se nuk ka plan sekret. Thaçi edhe po ta kishte marrëveshjen nuk do t’ia tregonte Kurtit as neve. Ne menduam që kemi zgjedh një kryeministër që do t’i dalë ballë dialogut me Serbinë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk ka qenë dëshirë e LDK-së rrëzimi i Qeverisë, por sipas tij, ishte domosdoshmëri.

Selmanaj ka thënë se është bërë trend në Kosovë të bëhesh kundër Amerikës.

“Dje edhe sot kam marrë mbi 300 mesazhe telefonike me gjuhë denigruese. Unë ju bëj thirrje prindërve të këtyre të rinjve që t’ua ruajnë shëndetin mental të këtyre sepse do të bëhen prind. Këta njerëz janë indoktrinuar. Kështu funksionojnë grupe parapolitike, apo të klerit fetar”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se për herë të parë Kurti ka ndarë vendet e QUINT-it.

Selmanaj thotë se SHBA është garantues të shtetësisë së vendit.

“Anëtarësimi në OKB është lehtësues për t’u anëtarësuar në BE. Në momentin kur pranohesh në BE bie arsye e 5 vendeve njohëse. LDK-ja nuk voton ndarje të territorit të Kosovës.

Ai ka thënë se kryeministri i ardhshëm që do të jetë nga LDK-ja do të sjellë marrëveshje të mirë nga dialogu Kosovë-Serbi.

“Ne nuk jemi në linjë me Thaçin”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se Vetëvendosje nuk mund të notojë në qeveri stabile.

“Kurti e sheh LDK-në si leckë, LDK nuk është parti që poshtërohet. Brenda dy javëve nëse VV nuk mund ta bëjë Qeverinë, atëherë LDK-ja do të mund të bëjë qeverinë. LDK-ja nuk mund të jetë në qeveri me PDK-në. Për ne janë të hapura mundësitë për negocim me AAK-në, Nismën dhe pakicat”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se me AAK-në do të merren vesh që taksa do të hiqet 100 për qind.