Arbëri

OBSh-ja dhe BB-ja i ofrojnë Kosovës rreth 15 milionë euro për luftimin e koronavirusit

Foto: Koha

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë një konference për media ditën e sotme, tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Banka Botërore i kanë ofruar Kosovës rreth 15 milionë euro për të luftuar koronavirusin.

Ai tha se javën e ardhshme, në Kosovë do të vijë një kontingjent i mjeteve mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore-donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Gjithashtu, OBSH ka ndarë një ndihmë në vlerë prej 7 milionë eurove, që do t’i përforcojnë furnizimet në institucionet shëndetësore. Banka Botërore ka ofruar mbështetje financiare për aktivitetet në masat kundër Covid-19 në vlerë prej 7.9 milionë eurove”, tha ministri në konferencë, raporton KOHA.

Po ashtu, Vitia tha se kanë filluar edhe donacione të ndryshme në materiale dhe mjetë të tjera të distributorëve lokalë, por edhe individëve si shenjë e solidaritetit me përpjekjet e përgjithshme të përbashkëta kundër Koronavirusit.