Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka reaguar ndaj PDK-së dhe AAK-së të cilët kërkuan dorëheqjen e tij pas deklaratës që “Serbisë t’i lejohet kalimi transit nëpër autostradën e Kosovës në detin Adriatik”.
Ai ka thënë se “është e pandershme që ata të cilët nuk e kërkuan dorëheqjen e presidentit aktual teksa negocionte për zgjidhje territoriale me shkëmbime sekrete, të kërkojnë tash dorëheqjen time”.
Reka përmes një postimi në Facebook ka thënë deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti. Ai thotë se një gjë e tillë i është lejuar deri tash Serbisë dhe është ngritur si ide edhe në kuadër të Procesit të Berlinit nga viti 2014.
“Këto ditë pati kritika nga opozita në lidhje me një fjali timen në intervistën televizive në emisionin ‘Jeta në Kosovë’. Ishte e nxjerrë nga konteksti dhe vetëm pjesa e dytë e përgjigjes në pyetjen: ‘A do t'i kërkohet Kosovës me marrëveshjen e Uashingtonit, t'i japim territor Serbisë’? Pas përgjigjes sime se nuk mund të përgjigjem në pyetje hipotetike, por assesi askush nuk guxon të jap territor për ulësen në OKB, sepse integriteti territorial është i panegociueshëm; në insistimin e gazetares se çka atëherë mund të japim për atë ulëse në OKB, thashë ndoshta si ide eventuale që t'i lejojmë Serbisë kalimin transit nëpër autostradën tonë për detin Adriatik. Pra, diçka që edhe deri tash i është lejuar Serbisë dhe që është ngritur si ide edhe në kuadër të Procesit të Berlinit që nga viti 2014”, ka thënë Reka.
Sipas tij, ky nuk është vendim, as qëndrim i qeverisë, por një mendim i tij personal dhënë në pyetjen konkrete për një çështje konkrete.
“Natyrisht, unë mbroj qëndrimin e kryeministrit Kurti për reciprocitet me Serbinë si parim i marrëdhënieve dhe marrëveshjeve tona të ardhshme. Gjithçka tjetër vjen në shprehje vetëm më vonë, vetëm më pas”, ka përfunduar Reka.
Ai ka thënë se “kjo ofertë e shkatërruese i mundëson Serbisë që të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbërit”.
Ndërkaq edhe PDK sot përmes një konference ka kërkuar dorëheqjen e Rekës.