Arbëri

Joseph thotë se Thaçi e Vuçiqi në Washington diskutuan marrëveshjen me bazë ndarjen e Kosovës – Grenelli e quan “fake news”

“Qëllimi i takimit në Washington të Ambasadorit Richard Grenel me Presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Alleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë ishte diskutimi i një marrëveshje dypalëshe bazuar në parimin e ndarjes së Kosovës”, ka thënë Edward Joseph, profesor i Universitetit “Johns Hopkins”, në një bisedë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Joseph, ekspert amerikan për Ballkanin, është i bindur se zgjidhja e mosmarrëveshjes mes palëve po shkon kah variantet të cilat, siç thotë ai, Thaçi e Vuçiqi veçse i kanë pranuar gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Federica Mogherini, ish-përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Por, siç thotë Joseph, çështja është se në dobi të kujt do të arrihet një marrëveshje e tillë? Të Thaçit, Vuçiqit apo SHBA-së – apo nga ana tjetër, të shqiptarëve e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe në Serbi.

Por, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për Kosovën dhe Serbinë dhe përdorues aktiv i rrjeteve sociale, vazhdimisht ka mohuar në Twitter se po i ngut Beogradin dhe Prishtinën në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por edhe ka konfirmuar se mbështet zgjidhje për të cilën dakordohen palët e përfshira në negociata. Qëndrim që mund të dëgjohet edhe nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit – por edhe nga vetë Matthew Palmerin, përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, transmeton KOHA.

Grenell ka reaguar edhe ndaj deklaratës së fundit të Edward Josephit, duke thënë se ky është “lajm i rremë”.

“Lajm i rremë. Kjo nuk është diskutuar kurrë në prezencën time. Edward Joseph është i pamatur këtu”, ka shkruar Grenell në postimin e tij të fundit në Twitter.

Sidoqoftë, Edward Joseph mbështet tezën që Richard Grenell inkurajon fuqimisht Serbinë dhe Kosovën që të arrijnë një marrëveshje.

“Sikur edhe të hiqej tërësisht taksa – si do të mund të eliminohej pengesa nga rruga? Por, mendoj se s’duhet të fokusohemi në taksa. Qëllimi kryesor i Grenellit, Vuçiqit dhe Thaçit është arritja e marrëveshjes. Dhe besoj se bëhet fjalë për marrëveshjen e njëjtë apo të ngjashme të cilën e kanë arritur gjatë mandatit të Federica Mogherinit, ish-përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri”, ka thënë Joseph në këtë intervistë.

Për heqjen dorë apo jo nga çështja e ndarjes së Kosovës, Joseph thotë se “s’ka kurrfarë informacioni zyrtar apo të konfirmuar”.

“Megjithatë, pyetja është se përse të jetë ndryshe? Përse të ndryshojë baza e një marrëveshjeje mes dy palëve, kur dukej sikur Vuçiqi dhe Thaçi, SHBA-ja dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, para emërimit të ambasadorit Grenell, e kanë mbështetur ndarjen? Këtë ide e kanë mbështetur dy zyrtarët”, tha ai.

I pyetur nëse takimi në Shtëpinë e Bardhë do të duhej të rezultonte me lajmërimin e vazhdimit të dialogut mes dy vendeve, dhe nëse taksa është hequr pa kushte, Joseph thotë se “s’ka kurrfarë dyshimi për këtë”.

“Përkundër faktit se shumë vëmendje i është kushtuar tarifave dhe dialogut. Dhe kjo nuk është ajo që e tërheq Richard Grenellin. Ai është i vetëdijshëm se një zyrtar i lartë i administratës Trump, Zalmay Khalilzad, ka bërë përparim në Afganistan. Është diçka që ndikon tek Grenelli që të arrijë një lloj marrëveshjeje. Sidoqoftë, çfarë lloj marrëveshjeje për Kosovën mbron interesat e Serbisë në Kosovë? Zona më e rëndësishme që është një pjesë e pandashme e trashëgimisë serbe. Çfarë saktësisht mund të nënkuptojë kur Alleksandar Vuçiqi thotë se duhet të marrim diçka…. Leposaviqin, Zubin Potokun dhe më shumë komuna në veri të Kosovës - kur, nga ana tjetër, sakrifikon, theksoj, sakrifikon jugun e Kosovës. Pyetja është, a i shërben interesave të Serbisë? Apo është në interesin personal apo politik të Alleksandar Vuçiqit, apo mbase Hashim Thaçit? Nuk jam i sigurt se është në interesin e gjerë të popullit serb”, theksoi profesori Joseph.

Ai thotë se mosmarrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë megjithatë mund të zgjidhet dhe se çelës i saj, thotë ai, duhet të jetë që pjesëmarrësit në dialog të pajtohen me idenë e ndarjes.

“Çelës i zgjidhjes është që pjesëmarrësit në bisedime të pranojnë përfshirjen e idesë së ndarjes. Shumë serbë shpesh tregojnë për padrejtësi dhe i nxjerrin në pah ngjarjet nga Kroacia, duke kujtuar se të gjithë serbët janë larguar nga Kroacia. A duam zgjidhje të ngjashme për serbët në Kosovë? Si e lanë serbët Kroacinë? A ndodhi kjo sepse u mundën? I kam telefonuar Millan Martiqit (ish-presidenti i Republikës së papranuar të Kajinës Serbe dhe komandant i forcave serbe në Kroaci; ai po vuan një dënim me tridhjetë e pesë vjet burg për krime kundër kroatëve dhe jo serbëve). Si pjesëtar i forcave të UNPROFOR-it kam qenë i vendosur në Knin. Asokohe e kam njohur tërë udhëheqjen serbe. Ata u zotuan se do të luftojnë deri në fund dhe kurrë nuk do të jetojnë në Kroaci. Megjithatë, pati shumë pak përleshje në aksionin ushtarako-policor të forcave kroate të quajtur ‘Stuhia’. Tërheqja e tyre në kolona kishte qenë e organizuar paraprakisht. A ishte kjo pasojë e marrëveshjes mes Millosheviqit e Tugjmanit? A do të ketë marrëveshje të ngjashme mes Vuçiqit e Thaçit që do të hapte heshtazi rrugën e serbëve në jug, mbase ashtu si të serbëve në Kroaci, të lëshojnë atë zonë derisa veriu të mbetej në pozitën, ta themi, sikurse Sllovenia lindore në Kroaci dhe Mitrovicën e cila do të kishte ndonjë status special. A është kjo në interesin e stabilitetit rajonal? A do të jetë kjo baza për paqen e së ardhmes mes popullit shqiptar nga Kosova, serbëve që jetojnë në Kosovë, dhe serbëve që jetojnë në Serbi? Apo do të jetë bazë për tensione dhe fërkime të mëtejshme? Për tension dhe trishtim të brendshëm?”, pyet Edward Joseph, profesor i Universitetit “Johns Hopkins”.