Arbëri

Gashi: Taksa mund të shkatërrojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, së shpejti do hiqet

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në Rubikon të KTV-së ka thënë se taksa së shpejti do të hiqet plotësisht, derisa ka bërë thirrje që ajo të mos shndërrohet në instrument që mund të shkatërrojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Çështja e tarifës që është vendosur para më shumë se një viti, është njëra prej çështjeve që tash e sa kohë është shndërruar problematikë ndërmjet Kosovës dhe partnerëve të saj. Besojmë se shumë shpejtë do të zgjidhim këtë çështje, megjithëse kemi qëndrime të ndryshme. Jemi në një situatë ku taksa prej një instrumenti ekonomik është shndërruar në politik, që ka rreziqet e veta në raport me SHBA-në si partner strategjik”, ka thënë Gashi.

Sipas tij nuk është vendim i Qeverisë heqja e ngadalshme e taksës, por deklarim i Kurtit.

“Është deklarim i Kurtit dhe ndoshta ka ardhë si ide apo konsultim që ka pasur me njerëzit e tij, duke menduar se do të kishte ndoshta presion më të ultë për këtë. Kurti e ka të qartë qëndrimin e LDK-së rreth kësaj çështje. Në këto rrethana duhet ta trajtojmë me kujdes këtë çështje, që të mos shndërrohet në instrument që mund të shkatërrojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Duhet që kjo të hiqet në mënyrë që Kosova të ketë mundësi të zhvillimit”, ka thënë ai.

Sipas Gashit kryeminsitri akoma po heziton për të marrë vendim final, megjithatë insiston se ajo së shpejti do të hiqet sepse profiti nuk është i njëjtë së vonohet heqja e taksës.

“Mendoj se së shpejti kjo do të zgjidhet, pasi produkti është i njëjtë – heqja e menjëhershme apo të ngadalshme, por nuk është profiti i njëjtë. Besoj që shumë shpejt do të arrijmë në finale të këtij procesi dhe Kosova do të jetë në një fazë më të mirë me partnerët strategjikë”, thotë Gashi.

Ai thotë se ka bisedime e takime të vazhdueshme ndërmjet Kurtit e Mustafës, pra punohet në baza ditore që kjo çështje të tejkalohet.

“Shkuarja në qeveri mendoj se është çështje e saj, por mendoj se shumë shpejtë do të jetë pjesë e vendimmarrjes. Procesi i kushtëzuar ka krijuar përshtypjen e gabuar. Tashmë heqja e taksës është një strategji. Pasoja është e njëjtë, ndërsa profiti për Kosovën do të jetë më i vogël”, ka thënë Gashi.

Ai pranon se janë bashkëpërgjegjës për veprimet apo mosveprimet e Qeverisë, derisa thekson se s’ka ultimatum ndaj Vetëvendosjes për taksën.

“Ky koalicion nuk funksion me ultimatume, ky është një sistem i partneritet të barabartë, dhe si i tillë do të ofrojë zgjidhjen e duhur. Duhet të veprojmë si partnerë. Kemi këndvështrime të ndryshme për taksën, ndërsa për reciprocitetin e shohim si instrument ligjor, e jo politik. Nuk ka nevojë të shpallet një luftë politike, kur janë të gjitha instrumentet ligjore. Nuk kemi nevojë të krijojmë rrethana acaruese me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Sipas tij Kosova është e pafuqishme pa ndihmën e SHBA-së.

“Nuk jemi mjaftueshëm të aftë pa ndihëm e drejtpërdrejtë të SHBA-së të mbijetojmë vet, pra ne duhet të jemi vetëkritikë. Nuk e kontestoj as dëshirën e as guximin e liderëve kosovarë, unë e trajtoj mundësinë se sa ne mund t’i imponohemi Serbisë dhe partnerëve të saj të vetëm. Ne kemi dëshmuar në këto 20 vite se nuk mundemi me i përballuar pa ndihmën e SHBA-së, por ne duhet të veprojmë në mënyrë të vazhdueshme. Nuk është çështje e guximit individual, por neve na duhet orientim strategjik dhe taksën duhet ta trajtojmë si instrument të interesit strategjik të Kosovës. Për LDK-në partneriteti me SHBA-në është i pazëvendësueshëm”, ka thënë Gashi.