Deliu-Kodra, LVV-së: Shpejt edhe qytetarët do ta shohin fytyrën tuaj të vërtetë

25 February 2020 20:58
22:10

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, në Rubikon të KTV-së, tha se dy partnerët e koalicionit qeverisës, LVV dhe LDK, kanë qëndrime diametralisht të kundërta

“Njëri thotë që taksa nuk është çështje urgjente, derisa tjetri partner i koalicionit thotë që taksa është urgjente dhe duhet të hiqet, ashtu siç i kemi qëndrimet e kundërta të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës - njëri thotë që duhet të vendoset reciprocitetit, tjetri thotë që reciprociteti është kompleks. Unë do të doja të di a ka një harmoni mes partnereve të koalicionit sa u përket këtyre çështjeve”, tha Deliu Kodra.

“Sa ishte në opozitë, zotëri Kurti ka thënë që qeveria duhet të shkojë, taksa duhet të mbetet. Çka ka ndryshuar kaq shpejt tek Albin Kurti, i cili e ka bërë opozitarizmin në Kuvend me metodat më të rënda dhe më jodemokratike? Çka ka ndodhë… prej një Albin Kurti i cili ka thënë që Qeveria duhet të shkojë e taksa të mbetet? Përse ka ndryshuar?”, pyeti deputetja e PDK-së.

Ajo tha se interesi i LVV-së ka qenë vetëm ardhja në pushtet dhe tha se “keni abuzuar me vullnetin e qytetarëve”.

“E keni ndërruar fytyrën aq shpejt dhe unë ndiej keqardhje që shumë shpejt do ta shohin edhe qytetarët fytyrën tuaj të vërtetë”, potencoi Deliu-Kodra.

21:25

Gaxherri: Nëse reciprociteti nuk funksionon me Serbinë, mund ta rikthejmë taksën

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Besa Gaxherri, tha në Rubikon të KTV-së se nëse masat e reciprocitetit nuk funksionojnë, Qeveria mund ta rikthejë taksën 100%.

“Nëse Serbia do ta vazhdojë lojën që e ka, nëse nuk funksionon reciprociteti, ne mund ta kthejmë taksën. Ju (AAK) për një minutë e keni marrë vendimin për taksë, të njëjtën mund ta bëjmë edhe ne, për një minutë mund ta marrim këtë vendim”, u shpreh ajo.

“Në këtë situatë që jemi, ne e kemi mundësinë ta heqim taksën, ta shqyrtojmë reciprocitetin, ne nuk kemi nevojë të ulemi menjëherë në dialog. Serbia edhe ashtu në pranverë do të shkojë në zgjedhje. Nëse reciprociteti nuk përfundon në të mirë të Kosovës, nëse nuk e mbërrin rezultatin e dëshiruar, ne e shqyrtojmë prapë”, tha deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri.

21:03

Abrashi: Raporti për masat e reciprocitet është duke u përgatitur

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, tha se çështja e taksës tashmë është e përfunduar.

Në Rubikon të KTV-së, Abrashi tha se është duke u përgatitur një raport për vendosjen e masave të reciprocitetit.

“Departamenti i Tregtisë, AUVK, Oda Ekonomike Amerikane dhe Dogana e Kosovës janë duke përgatitur një raport për të gjitha masat që Serbia i ndërmerr ndaj Kosovës”, tha Abrashi, duke shtuar se masat e reciprocitetit nuk do të vendosen nga zyra e kryeministrit.

“Ne si lëvizje Vetëvendosje e kemi thënë edhe më parë se nuk besojmë në masa tarifore sepse nuk jemi për politikë ndëshkuese për konsumatorin. Tarifat po e rëndojnë konsumatorin por ne jemi për një masë reciproke e cila i mbron prodhuesit vendorë”, tha Abrashi.

“Nëse në të ardhmen Serbia zbutë ndonjë masë ndëshkuese ndaj Kosovës, tregon ndonjë qasje pozitive, automatikisht këtë qasje do ta ketë nga Kosova”, tha Abrashi, duke folur për masat e reciprocitetit.

Ai, po ashtu, tha se Programi qeverisës është në hartim. “Është çështje ditësh kur programi qeverisës do të vijë në Kuvendin e Kosovës”.

20:58

Lekaj: Nëse Qeveria Kurti vendos reciprocitet, unë nuk do të merrem me politikë

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se LDK-ja dhe LVV-ja nuk do të arrijnë të vendosin masa të reciprocitetit ndaj Serbisë. Ai madje bëri një premtim.

“Nëse këta arrijnë të vendosin reciprocitet, unë nuk merrem me politikë”, tha Lekaj në Rubikon të KTV-së.

Ai shtoi se taksa e ka hequr nga rreziku ndarjen e Kosovës.

Lekaj, në debatin e zhvilluar në Rubikon të KTV-së mes deputetëve të pozitës dhe atyre të opozitës, tha se duke qenë se marrëveshjet në Berlin dhe Munih u arritën pa heqjen e taksës, Qeveria nuk duhet të nxitojë në heqjen e saj dhe vendosjen e masave të reciprocitetit.

“Ne kemi pas kërkesa edhe gjatë qeverisjes sonë. Kryeministri Haradinaj ka pasur kërkesa dhe presione për pezullimin e taksës për një periudhë të caktuar, por duke u konsultuar me spektrin politik, ne kemi arritur të mos heqim taksën”, tha Lekaj.

Ai tha se taksa duhet të përdoret si monedhë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.

“Përse të mos e përdorim taksën dhe t’i lutemi edhe faktorit ndërkombëtar që këto dy kërkesa të përdoren në tavolinën e bisedimeve si monedhë. Ne si Kosovë mjaft jemi munduar edhe në dialogun teknik edhe në atë politik dhe Kosova pa dashje i ka ndihmuar Serbisë”, shtoi ai.

Ish-ministri i Infrastrukturës tutje tha se Qeveria Kurti është e dëgjueshme ndaj ndërkombëtarëve për taksën, por jo edhe për reciprocitetin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme