Arbëri

Osmani pas tragjedisë në Gjilan thotë se problemet e shëndetit mendor duhet të merren më seriozisht nga institucionet

Descriptive Text

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Gjilan ka deklaruar se ndjehen të trishtuar për tragjedinë në familjen Bllaca, që ka ndodhur në këtë qytet ku mbeten pesë persona të vdekur.

Sipas saj prioritet është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës por institucionet do të merren edhe me trajtimin e problemeve që kanë të bëjnë me shëndetin mendor, raporton Koha Ditore.

Kryeparlajmentarja Osmani ka deklaruar se nga tragjedia në Gjilan duhet të nxjerrën edhe mësimet e duhura dhe nëpër institucione të mos rekrutohen individë të cilët kanë probleme me shëndetin mendor.

Ajo pret nga institucionet e sigurisë që të kenë një vëmendje më të madhe në këtë aspekt.

“Sot nga këtu apelojmë që të mësojmë nga kjo humbje e thellë dhe t’i mbledhim fuqitë dhe të punojmë për mirëqenien e familjeve kosovare. Si institucione kemi obligim që të kujdesemi edhe për shëndetin mental të njerëzve tanë. Të sigurohemi që në institucionet tona posaçërisht me ato me ndjeshmëri të lartë të kemi rekrutim me standarde të larta. Përndryshe mund të shndërrohet në burim potencial tragjedish. Sa më thellë dhe më drejtë që e trajtojmë shoqërinë tonë dhe qytetarët tanë aq më të përgatitur do të jemi për të afruar asaj zgjidhje të duhura” ka thënë ajo.

Kryeparlamentarja Osmani ka deklaruar se institucionet duhet të reflektojnë dhe të ofrojnë zgjidhje për ata qytetarë të cilët kanë probleme të shëndetit mendor.

Sipas saj është shqetësuese edhe numri i vetëvrasjeve.

“Sot institucionet tona duhet të flasin më zë të lartë për problemet e shëndetit mental dhe për problemet me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë. Disa organizata joqeveritare në numrat që kanë mbledhur dhe statistikat që prezantojnë thonë që përafërsisht një qytetar i Kosovës në javë bën vetëvrasje. Këto janë shifra që ne assesi nuk duhet të injorojmë. Duhet të jemi pranë familjarëve dhe pranë secilit qytetar duke investuar në shëndetësi dhe për të investuar me qëllim zgjidhjen e çdo problemi. Tash e tutje duhet të jemi me iniciativat duke investuar që të zgjidhim probleme”, është shprehur ajo.

Të martën, zyrtarja policore Valdete Bllaca ka shtënë me armë zyrtare duke vrarë dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj. Pas krimit ajo ka kryer vetëvrasje. Motivet e krimit ende nuk dihen. Rasti është duke u hetuar.