Arbëri

Shumica e 14 konsujve të shkarkuar nga Konjufca ishin nga partitë e pushtetit të kaluar

Konsujt e emëruar jashtëligjshëm nga ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, janë shkarkuar të enjten.

Ministri i ri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka revokuar vendimet për emërimin e 14 konsujve, 11 prej të cilave “Koha Ditore” kishte gjetur se ishin firmosur jashtëligjshëm.

Mbështetur në hulumtimet e bëra gjatë dy vjetëve të fundit, shumë nga të emëruarit kishin lidhje me subjektet politike që përbënin pushtetin gjatë mandatit që sapo ka përfunduar, PDK, AAK, Nisma e AKR, por edhe një të LDK-së. Ata ose ishin funksionarë partish, ose anëtarë kabinetesh të kryeministrit a ministrave, raporton KTV.

Në mesin e të larguarve janë edhe katër nga konsujt e parë që i kishte emëruar Pacolli në verën e 2018-s.

Lutfi Bilalli ishte emëruar konsull në Frankfurt. Ai ishte kandidat i AAK-së së Ramush Haradinajt për kryetar të Vushtrrisë.

Kadri Balaj ishte dërguar konsull në Podgoricë. Ai ka qenë kandidat i Nismës për kryetar të Komunës së Suharekës.

Xheraldina Rexhepi ishte emëruar po atëkohë konsulle në Vjenë. Për një kohë Rexhepi ka zhvilluar aktivitet në LDK, që tash është në pushtet. Gjatë drejtimit të mëhershëm të Qeverisë nga kjo parti, ajo u ishte nënshtruar procedurave të emërimit për ambasadore në Çeki.

Modesta Imeri ishte konsullja e katërt që ishte emëruar në valën e parë nga Pacolli. Si 23-vjeçare ishte dërguar në Ambasadën në Washington, me rekomandim të ambasadores Vlora Çitaku, një ish-ministre e PDK-së.

Festim Lushtaku ishte nga konsujt e fundit të emëruar. Në fillim të nëntorit të vjetëm, nipin e Sami Lushtakut të PDK-së Pacolli e dërgoi në Konsullatën e porsaformuar në Tiranë.

Ngadhnjim Makollin e kishte bërë konsull në Australi. Në kohën e emërimit, Makolli ishte kryetar i Degës së Dytë të AKR-së, parti që e drejton Pacolli.

Jashtëligjshëm, ish-ministri e kishte dërguar në Abu Dabi edhe Ramiz Ismajlin, ish-kandidat i AKR-së për Asamblenë Komunale në Gjilan, ish-kryetarin e Degës në Gjilan të së njëjtës parti, Ismet Hajdinin e kishte çuar në Pragë, kurse këshilltarin e tij, Liridon Sadrija, Pacolli e kishte bërë konsull në Hamburg.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme ia kishte rehatuar këshilltarët edhe ish-kreut të Qeverisë.

Diellza Hotin e kishte bërë konsulle të Ambasadës në Emiratet e Bashkuara Arabe, që drejtohet nga Avni Arifi, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-kryeministrit Haradinaj. Edhe Hoti ishte këshilltare e Haradinajt.

Tashmë ish-konsullja ia kishte ndier erën shkarkimit. Pak ditë më parë ajo kishte dhënë dorëheqjen. Megjithëkëtë, letra për lënien e detyrës nuk kishte mbërritur në zyrën e ministrit Konjufca, prandaj e ka shkarkuar.

Kadri Gërvalla është një tjetër aktivist politik që ka mbetur pa gradën e konsullit. Atë Pacolli e kishte dërguar në Shtutgart. Në kohën kur ishte marrë vendimi për të, Gërvalla ishte koordinatori i Nismës për Evropën.

Tre të tjerë që ishin bërë konsuj jashtëligjshëm, por për të cilët gazeta nuk ka mundur të gjente lidhje të drejtpërdrejtë me politikën janë: Henor Pakashtica, konsull në Sofje, Xhavit Gërbeshi, konsull në Duseldorf dhe Eshref Haxhiu, konsull në Doha.