Arbëri

PSD-ja tash e ndryshon edhe simbolin

Pas ndryshimeve të shumta brenda Partisë Socialdemokrate, duke nisur nga kryetari që dikur ishte Shpend Ahmeti, e tash Dardan Molliqaj, kjo parti e ka ndryshuar edhe simbolin e vet. PSD-ja s’njihet më me “trëndafilin” e famshëm, tash ka tjetër simbol.

Në një postim të eksponentëve të ndryshëm brenda kësaj partie, që në legjislaturën e shtatë s’përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, thuhet se “Simboli ynë është abstrakt, por me shprehje”.

“Është demokracia si fushë e hapur. Pa vend të garantuar për subjektin, apo çfarëdo entiteti substancial. Tek format e ndara, por që rrijnë bashkë me njëra – tjetrën kemi paraqitur pikëpamjen tonë për demokracinë shoqërore. Klasa, shtresa, çështje: punëtorët, barazia gjinore, ambienti. Ajo është shumësia në veprim si marrëdhënie e vazhdueshme hegjemonike midis secilës pjesë dhe tërësisë, që nuk degradon në politikë identitare, as nuk mbyllet e reduktohet tek Njëshi unitar”, thuhet në postim.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, shkruan se “Politika ushtrohet tash dhe këtu”.

“Aksioni demokratik kërkon subjekte autonome drejt përvojave krijuese. Shumë kënde sepse pozicione te ndryshme e heterodoksi, drejt rrethit sepse demokraci, na doli një yll. Ky yll që disa e vërejnë e disa jo, nuk është as si ylli i Holywoodit, as ylli evropian, as ylli amerikan; nuk është as ylli ndriçues i realizmit socialist. Përmes yllit ne shprehim natyrën e të vërtetës dhe marrëdhënien tonë me të. Ajo është kërkim e synim, siç është ylli orientues. Por, karakteri i saj i përhershëm është i lidhur me natyrën e saj të pambërritshme. Ajo nuk kapet as nuk mbërrihet sepse historia nuk kryhet. Gjithnjë në bërje, në formësim, asnjëherë i përfunduar”, përfundon Molliqaj.

{gallery}