Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, duke folur për qeverinë e re ka thënë se ka një cilësi të re në kuptimin që dy partitë i përkasin familjeve të ndryshme evropiane.
Ai në Rubikon të KTV-së ka thënë se VV e LDK e kanë gjetur mënyrën se si ta racionalizojnë një marrëveshje e cila shpie në drejtim të asaj që e kanë projektuar si qëllim.
Surroi shton se në ditët në vijim bashkëjetesa e këtyre dy partive do të rezultojë me ngritjen e besimit të ndërsjellët, duke shtuar se për pozitën e presidentit nuk she ndonjë telashe.
“Qëllimi i tyre është ç’kapja e shtetit dhe modernizimi i funksionimit të shtetit. Kështu që potenciali nuk është vetëm i rotacionit të pushtetit por edhe i natyrës së qeverisjes. Nëse kjo ndodhë atëherë do të jetë shumë mirë për Kosovën”, ka thënë ai.
Surroi thotë se me rëndësi është që kanë ngritur një standard të diskursit dhe krijimit të qeverisë.
Ndërkaq për emërimin e ministrave nga të dyja partitë, ai thotë se duhet pasur besim se ata kanë vendosur njerëzit e duhur, duke shtuar se e rëndësishme është që ata të dinë si të funksionojnë së bashku.
“Trendi i ministrive është nga zbritja e dukshme dhe kjo ka rëndësi. Lista serbe është gjetur një lloj kompromisi që të mos jetë pjesë e koalicionit por domosdo të votojnë siç e kërkon kushtetuta në formulimit fatkeq siç e ka kërkuar kushtetuta që për pakicat serbe në Kosovë duhet pëlqimi i grupit parlamentar i cili i përfaqëson ata.”, ka thënë ai.
Ai tutje është shprehur optimist se koalicioni mes dy partive do të funksionoj siç duhet.
“Ai që ka pritë që të jetë martesë kjo punë, e ka pasur gabim sepse po të ishte martesë e dashuri ata nuk do të prisnin as kontratën por do të fillonin bashkëjetesën. Kjo është kontratë racionale mes dy partnerëve dhe pasi kaloi gjithë kjo ndoshta është mirë që paragjykimet, dilemat ato që kanë pasur t’ia thonë njëri tjetrit, t’ia thonë para se të nënshkruajnë kontratën, por besoj që nuk ka mbet fjalë pa u thënë edhe publikisht. Meqenëse nuk e kanë vra idenë e koalicionit atëherë e kanë tejkaluar këtë gjendje”, ka thënë ai.
Duke folur për çështjen e presidentit, Surroi thotë se edhe po të merren vesh këto dy parti, kanë nevojë për një konsensus më të gjerë duke shtuar se duhet t’i kontaktojnë jo vetëm minoritetet por edhe opozitën.
Surroi kathënë se çështje kryesore e qeverisë së re është vendosja e prioriteteve.
Ai thotë se ndarja e buxhetit do të tregojë se cilat janë prioritetet e qeverisë, derisa shton se i njëjti është e vështirë të ndryshojë në mënyrë radikale.
“Mendoj se duhet të vendosen prioritetit e qeverisë prioritetit strategjike jo vetëm buxheti. Çështja është se si të konsolidohet brenda qeverisja, si të ndalet një trend negativ i shpenzimeve, si të konsolidohet buxheti dhe kultura qeverisëse, që të jepen indikacione se çfarë është natyra e qeverisjes së re dhe pastaj gradualisht të ndërtohen pikat strategjike”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo qeveri duhet të merret me çështjen e taksës 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës, për të vendosur a duhet të jetë taksë apo reciprocitet.
E si problem ai e sheh edhe kontratën me Contour Global.
“Njëra prej çështjeve e cila do të shpërfaqet shumë shpejtë është marrëveshja Contour Global dhe ajo ka gjasa të dështojë sepse Contour Global nuk i ka mbledhur fondet për këtë punë, ose për shkak se ne si qeveri nuk do të duam të garantojmë për një kompani private që të marrim kredi për të. Pra kemi të bëjë me një vendim racional që është shkëputja e kësaj kontrate të dëmshme për vendin. Çështja është e vendimit strategji. Mund t’i thuhet asaj jo, por çfarë do të jetë politika energjetike e Kosovës si do të inkuadrojmë politikat energjetike të Kosovës në vizionit të ri Evropian Green Deal e Komisionit Evropian drejt cakut që brenda 30 vitesh të ketë zero emision të karbonit”, ka shtuar ai.
Surroi thotë se kjo qeveri nuk do ta ketë luksin e 100 ditëve.
“Kjo qeveri duhet të merret me taksën a është taksë apo reciprocitet dhe çdo çështje që lind çdo ditë. Disa prej çështjeve kërkojnë edhe përkrahjen e opozitës. Opozita duhet ta kuptojë rolin e vet sepse nuk është opozitë vetëm agresiviteti”, ka thënë ai.
Ai thotë se çdo qeveri ka nevojë për 100 ditëshin e parë.