Arbëri

Në Shkodër u sekuestrohen pasuritë 6 personave

Në Shkodër u sekuestrohen pasuritë 6 personave
Foto: Ilustrim
 

Banesa, njësi shërbimi, sipërfaqe tokash dhe automjete të ndryshme që i përkasin 6 personave në qytetin e Shkodrës, u vunë sot nën sekuestro, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu, i cili shfrytëzoi një nga pikat e Ligjit special, të ashtuquajtur “Anti KÇK”, për masat pasurore ndaj të dënuar apo akuzuar për përfshirjen në krim të organizuar apo krime të tjera të rënda. Ligji i njeh atij këtë kompetencë për raste të konsideruara emergjente. Të 6 personat ndaj të cilëve u mor masa e sekuestros së pasurive, dyshohet të jenë përfshirë në një nga ngjarjet më të rënda të kohëve të fundit, të ndodhur pak javë më parë në Kamëz, ku 49 vjeçari Jang Prenga u rrëmbye duke u marrë peng e më pas humbi jetën nga torturat e një grupi të dyshuar kriminal me bazë në Shijak.

Më herët gjatë ditës, Operacioni Forca e Ligjit njoftoi se i është drejtuar me shkrim për të deklaruar burimin e pasurive të tyre, dy personave me precedentë të shumtë penalë, Lulzim Berishës, i konsideruar si kreu i bandës së Durrësit dhe Ardian Çapjas, një nga emrat më të njohur të krimit në Elbasan.