1 perditesime
23:49

Shala: S’përjashtojmë hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, tha se nuk përjashtohet mundësia që opozita e tashme do t’i përdorë metodat që i ka përdorur partia e kryeministrit Albin Kurti – nga gazi lotsjellës e deri tek hedhja e vezëve në Kuvendin e Kosovës.

Në Interaktiv të KTV-së, Shala tha se prezantimi i programit qeverisës nga Kurti ka pasur pika të mira.

“Ato që i ka përmendur, sipërfaqësore, janë pika të mira. Por, gjatë prezantimit të tij, ka përmendur edhe vite. Kjo është e mira e opozitës sepse ka çfarë kërkon. Ka përmendur 2020, 2021, 2022. Neve na mbetet ta marrim komplet programin qeverisës të Kurtit dhe të kërkojmë përgjegjësi nga zoti Kurti. Ai s’është ballafaquar me deputetë sepse s’ka qenë kurrë në pozitë. Ai nuk duhet t’i marrë si kritika fjalimet e deputetëve të opozitës në Kuvend, por si këshilla”, tha Shala.

Ai shtoi se ato që ua thotë Kadri Veseli atyre (Vetëvendosjes) ka të drejtë, sepse edhe ata i kanë thënë atij shumë gjëra. “Tash janë në pushtet, urdhëroni zbuloni ato për të cilat më parë e keni akuzuar pozitën”, deklaroi shefi i GP të Nismës.

Shala tha se nuk pret që Kurti do të ndryshojë qasjen e tij të mëhershme, ndonëse në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se s’do ta sulmojë opozitën edhe nëse e sulmojnë ata atë.

“Siç e njohim ne Albin Kurtin, nuk është qasja e tij. Vetëm nëse ndryshon 100%. Por, ai do të ballafaqohet me deputetë. Ai s’mund t’iu ik debateve. Edhe opozita besoj se s’do të jetë opozitë sikurse ka qenë zoti Kurti. Ai s’ka lënë gjë pa thënë, dhe, edhe nëse ia thotë opozita atij, është e drejtë sepse ai i ka mësuar ata të veprojnë ashtu. Kemi gjuajtur gaz lotsjellës bashkë, por kemi pasur arsye. Por, nëse zoti Kurti bën gabime që i ka bërë Mustafa, normal që do të ketë edhe gaz e edhe vezë”, tha Shala.

Deputeti i Nismës tha se nuk i dëshiron qeverisë Kurti të bëjë gabime që i ka bërë qeveria e zotit Mustafa. “Por, mund të ndodhë, sepse bisedimet me Serbinë ende s’kanë përfunduar. U pa edhe ultimatumi i ambasadorit amerikan në Berlin se taksa duhet të hiqet”, tha më tej shefi i GP të Nismës, Haxhi Shala.

Ai tha se Kurti e ka kuptuar se duhet të sillet sikurse kryeministrat tjerë.

Deputeti i Nismës, Haxhi Shala, tha se për bisedimet me Serbinë do të merret vendimi në parti nëse do ta mbështesin atë apo jo.

“Në parti ende s’kemi biseduar nëse do ta mbështesim në dialog. Ne s’duhet të veprojmë siç ka vepruar ky. Nëse është në interes nacional që të përkrahet, vendimi do të merret në organet e partisë. Por, s’e besoj që Nisma Socialdemokrate do të sillet sikurse partia e Kurtit për t’i parë të gjitha gjërat e zeza”, tha Haxhi Shala.

Shala ka thënë po ashtu se opozita s’është e obliguar t’ia bëjë kuorumin pozitës me rastin e votimit të presidentit të ri. Ka thënë se pikërisht ajo është mundësi e mirë për opozitën që të çojë vendin në zgjedhje.

Ka thënë se seanca e dytë e së hënës, për votimin e kryeparlamentares së re, u bë ngutshëm e në marrëveshje të koalicionit VV-LDK me Listën Serbe.

Shala ka thënë se veprimi i kryeparlamentares Vjosa Osmani, për lëvizjen e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi, ka qenë “veprim i ngutshëm e emocional”.

“LDK-ja është thirre çdo herë si parti institucionale dhe duhet të sillet si e tillë. Thaçi u shpall president, madje me votat e LDK-së. Ai është president e duhet të sillet si president. Edhe zonja Osmani duhet të sillet sipas ligjit për fotografinë”, ka thënë ai.

Shala ka konfirmuar se akoma s’ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, teksa ka thënë se tash ish-ushtarët e UÇK-së duhet të kujtojnë se fjalimi i Kurtit “se nuk i çoj ushtarët në Gjykatë ka qenë vetëm për vota”.

23:36

Shala: Opozita duhet të bashkohet kundër pushtetit jo të bashkuar

Haxhi Shala, deputet i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se koalicioni qeverisës mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është i bashkuar dhe se partitë opozitare duhet të shfrytëzojnë këtë e të bashkohen.

Sipas tij, aktiviteti i opozitës së re në Kuvendin e Kosovës nuk mund të mungojë pasi që “rezymeja që kryeministri Albin Kurti lexoi në Kuvend, lë të kuptohet se do të ketë punë”.

“Opozita duhet çdo herë të jetë e bashkuar. Është më e fuqishme sesa që të punojmë ndaras. Duhet të jemi të bashkuar sepse kemi një pozitë jo fort të bashkuar. Në 3-4 muaj bisedime kemi parë se nuk i besojnë njëra-tjetrës. Për ego janë bashkë, e opozita duhet të bashkohet”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, një “koalicion VV-Lista Serbe është më i fuqishëm se VV-LDK”.

“Besimi mes tyre mungon kurse VV-Lista Serbe mbetet të shihet. Por duke u bazuar në takimet e mëhershme Sveçla-Gjuriq dukej se më i mundshëm ishte koalicioni VV-Lista Serbe sesa VV-LDK. Thanë se nuk do të bëjnë koalicion, por u bë. Thanë se nuk takohemi, por u takuan. Në koalicion janë tashmë. Janë ministrat e Listës Serbe. Në takimet e fshehta kanë thënë që të mos dalin bashkë publikisht. Pasi janë ministrat, janë pjesë e qeverisë. Partnerë më të fortë janë këto dyja sesa me LDK-në. Lista Serbe i votoi ministrat e vet. Sot do të ishte jokushtetuese nëse s’do të votonte. S’mund të shitet sikur s’është. Duhet të bashkëpunohet e të dilet publikisht. S’ka pse të bëhen këto lojëra fëmijërore. Këto më nuk i shkojnë VV-së”, ka shtuar ai.