Kurti i thotë Borrellit se dialogu me Serbinë duhet të rishikohet dhe të rinisë

Kurti i thotë Borrellit se dialogu me Serbinë duhet të rishikohet dhe të rinisë

30 January 2020 15:30

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në takim me Josep Borrellin, Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, ka shprehur qëndrimin se dialogu me Serbinë duhet të rishikohet dhe të rinisë.

“Diskutim i frytshëm sot me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell në vizitën e tij të parë në Kosovë. Theksova se dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të rishikohet dhe të rinisë. Bashkimi Evropian është një fuqi për të mirë dhe mbetet i domosdoshëm për të ardhmen e rajonit”, ka shkruar Kurti në Twitter pas takimit të përfaqësuesve të partive në Kosovë me Borrellin.

Në vizitën e parë në Kosovë, Borrell theksoi se çelësi i suksesit në dialogun Kosovë – Serbi është në duart e të dy vendeve për të gjetur pajtimin. Ai po ashtu tha se BE-ja pret formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re të Kosovës.

Kurti më vonë gjatë ditës së sotme pritet të takohet me përfaqësues të minoriteteve, përfshirë ata të minoritetit serb. VV-ja konfirmoi më herët për Koha.net takimin e Kurtit me përfaqësues të komunitetit serb, duke thënë se aty do të diskutohet programi qeverisës për fushat që ndikojnë te ky minoritet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme