Arbëri

Haradinaj viziton policin e plagosur në Zhur, për sigurimet shëndetësore thotë se janë në pritje të qeverisë së re

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar policin Artur Mrasori, që mbeti i lënduar si pasojë e një shpërthimi gjatë aksionit antidrogë në Zhur të Prizrenit. Me këtë rast, Haradinaj ka folur edhe për Ligjin për sigurime shëndetësore duke thënë se për procedim të tyre janë në pritje të qeverisë së re.

Të martën, një polic vdiq në aksionin në Zhur, e dy të tjerë u lënduan.

“Dje gjatë një aksioni policor ka humbur jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe vërtetë është një lajm i dhimbshëm, i vështirë, në radhë të parë për familjen, por edhe për kolegët e punës dhe të gjithë ne. Janë edhe dy kolegë të tjerë të Policisë të lënduar, njëri është në trajtim dhe për fat të mirë nuk është në rrezik për jetën”, ka thënë Haradinaj me këtë rast, thuhet në njoftimin e qeverisë.

I pyetur për sigurimet shëndetësore, Haradinaj, ka thënë se kërkesa e Policisë për Ligjin për sigurime shëndetësore dhe Ligjin për pensionim të parakohshëm janë kërkesa të drejta.

“Ato janë në proces, por tani nuk mund të dërgojmë Ligje në Parlament. Jemi në pritje të formimit të qeverisë për t’i dërguar ato dhe kjo do të ndodhë”, ka thënë ai duke shtuar se “gjatë këtyre dy vjetëve kanë qenë më afër policisë me kujdes buxhetor dhe përkrahje që nuk ka ndodhur ndonjëherë, por theksoi se të dy ligjet janë të domosdoshme dhe duhet të realizohen”.

Ai po ashtu ka thënë se sot do të vendoset që policëve të rënë në detyrë, krahas pensionit që marrin, familjeve të tyre t’u shtohet edhe një shumë e respektuar. Ndërsa, sa i përket shërimit të policëve të lënduar, ai shtoi se nëse ka nevojë për shërim jashtë vendit, Qeveria do t’iu ofrojë ndihmë.