15:27

IKShP: Nuk ka raste me koronavirus, por duhet kujdes

Në Institutin Kombëtar, është mbajtur një takim midis Komitetit për Sëmundje Ngjitëse, ku u diskutua për pneumoninë virale me koronavirus.

Drejtori Ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka theksuar se ende nuk asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht, me koronavirus. Megjithatë, ai thë se është e nevojshme të aktivizohen të gjithë mekanizmat shtetëror e institucional, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.

“Instituti është i gatshëm, për menaxhimin e të gjitha rasteve dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike, ndërsa shtoi se nuk ka nevojë për panik, por, sipas tij, ka nevojë për kujdes”, ka thënë Ramadani.

Ndërkaq përfaqësuesja nga Zyra e OBSH në Kosovë, Isme Humolli, tha se matja e temperaturës së udhëtarëve me laser, në aeroportin e Prishtinës, mund të mos jetë aq efektiv, në zbulimin e kësaj epidemie.

Në këtë kontekst, Ariana Kalaveshi, tha se ekzistojnë disa paqartësi, lidhur me këtë epidemi, siç është periudha e inkubacionit të sëmundjes, e cila ende nuk dihet saktë. E, drejtoresha e Klinikës Infektive, Dr. Lindita Ajazaj, potencoi faktin se kanë bërë kërkesë që të pajisen me maska dhe mjete tjera mbrojtëse, si dhe tregoi planin për të krijuar një repart të izolimit, brenda kësaj Klinike, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti.

Në këtë takim u vendos që të formohet një Grup Punues, në lidhje me pneumoninë virale me koronavirus.

14:11

Aeroporti dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik me masa parandaluese ndaj virusit kinez

Drejtues të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, sot zhvilluan një takim me zyrtarë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në të cilin u diskutuan masat parandaluese të sigurisë, në lidhje me koronavirusin.

IKSHPK-ja ka bërë disa rekomandime, megjithëse ka potencuar se rreziku mbetet i ulët. Pavarësisht kësaj, OBSh-ja nuk e rekomandon matjen e temperaturës së udhëtarëve të cilët vijnë në aeroport.

Megjithatë, sipas IKSHP-së, në rast të deklarimit që udhëtarët kanë vendin e origjinës nga Kina, atëherë duhet të bëhet matja e temperaturës së udhëtarëve që arrijnë në ANP “Adem Jashari”. Gjithashtu, ky Institut ka rekomanduar që në rast se udhëtarët manifestojnë simptomat të kollës, vështirësi në frymëmarrje dhe në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, ka udhëtuar nga qyteti Wuhan, Kinë, duhet ekzaminohen.
Për ta eliminuar mundësinë e prekjes nga ky virus, IKSHP, ka rekomanduar larjen e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.

“Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit”, thuhet në njërin nga rekomandimet e IKSHP-së.