Arbëri

Piratët 2.0

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kosova bën pjesë në territorin e minierës nga e cila njerëz të lidhur me regjimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, prej vitesh kanë siguruar miliarda euro nëpërmjet “kredive të shpejta”, viktima të të cilave janë kryesisht qytetarë me të ardhura të vogla. Bizneset e katër letonëve, që kishin ideuar dhe nisur këtë formë përfitimi, janë shtrirë edhe në Shqipëri e Maqedoni.

“Monego” dhe “IuteCredit” janë pjesë e një rrjeti institucionesh që kanë ofruar kredi të shpejta me kamata ekstremisht të larta, të vëna jashtëligjshëm. Një dokument që ka siguruar gazeta tregon se në një rast në Kosovë ishte aplikuar normë interesi në lartësinë 1,987 për qind.

Veprimtaria e këtyre të dyjave është mbyllur në fundvit në Kosovë, por jo edhe e “Mogos”, që akoma lëshon kredi.

Të tria dhe 61 biznese të tjera të kësaj natyre veprojnë në 32 shtete. Që të gjitha janë nën kupolën e “Mintos”, e cila përmbledh një investim në hua prej 4.5 miliardë eurosh. Ajo e ka për themelues letonasin Aigars Kesenfelds, njeriun që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) figuron si aksionar i vetëm i “Monegos”, por i cili qëndron edhe pas “Mogos”. Është përfitues i fundit edhe i shumë bizneseve, ani se emri i tij nuk figuron si aksionar.

Përpos Kosovës, institucione me këtë veprimtari janë shtrirë edhe në disa vende të rajonit. Janë aktive në Shqipëri dhe në Maqedoni, por jo edhe në Serbi, në Mal të Zi, në Kroaci a Slloveni.

Në Shqipëri vepron edhe “Iute Credit”, “Mogo” dhe “Kredo”, ndërkaq në Maqedoni “Iute Credit” dhe “Tigo”.

Në të dyja shtetet fqinje autoritetet kanë refuzuar të japin informacione në lidhje me aktivitetin e këtyre kompanive.

E në Kosovë kanë thënë t’i kenë nën llupë.

Në Bankën Qendrore (BQK) kanë thënë se ekzaminimet e institucioneve që licencohen dhe mbikëqyren nga kjo bankë bëhen konform Planit Vjetor të Mbikëqyrjes Financiare, një ndër pikat e të cilit është edhe zbatueshmëria e planit të biznesit të secilit prej këtyre institucioneve. Ekzaminimi që është bërë në “Monego” dhe “IuteCredit” ka gjetur se kamatat ishin larg më të larta sesa që këto institucione i kishin paraqitur në planin e biznesit, në momentin kur kishin aplikuar për licencë veprimi në Kosovë.

BQK-ja nuk ka siguruar qasje në raportet e ekzaminimit.

“Gjetjet e ekzaminimit në ‘IuteCredit’ dhe në ‘Monego’, sikurse edhe në institucione të tjera, janë pjesë e raportit të ekzaminimit, i cili dokument bazuar në Rregullën e Brendshme të BQK-së mbi Fshehtësinë është dokument i klasifikuar (KONFIDENCIAL)”, thuhet në një përgjigje të BQK-së, në të cilën është konfirmuar se një ekzaminim është duke iu bërë edhe “Monegos”. “ Sa i përket ‘Mogos’, duke qenë e licencuar në vitin 2019, institucioni në fjalë mund të jetë pjesë e planeve për ekzaminim gjatë këtij viti”.

Por “Koha Ditore” ka siguruar përmbajtjen e dy dokumenteve, në të cilat ndodhen të përmbledhura disa nga gjetjet gjatë ekzaminimit të bërë nga BQK-ja. Ato dëshmojnë piratërinë në versionin 2.0 (avancim dhe shmangie nga koncepti fillestar i kamatave).

“Bazuar në mostrën e kredive për ekzaminim, sipas Rregullores së BQK-së, norma efektive e interesit për kredinë nr. AG0037584 duhet të jetë 1,987.0%, përderisa institucioni ka shpalosur 462.9 %”, është një prej gjetjeve të BQK-së gjatë një ekzaminimi bërë në “Monego”.

Kishte aplikuar këtë normë, ani se në planin e biznesit të dorëzuar në BQK me rastin e regjistrimit ishte planifikuar që norma efektive e interesit të jetë 26.8 për qind.

Në anën tjetër, “IuteCredit” ishte ekzaminuar për herë të dytë, për të parë nëse rekomandimet e bëra pas ekzaminimit të parë ishte duke i implementuar. Ajo kishte bërë vetëm ulje të pjesshme të normave të interesit.

“Bazuar në mostrën e përzgjedhur për ekzaminim, është vërtetuar se kredia me normën efektive më të ulët, duke përjashtuar ato pa interes, është 70.04 %, ndërsa më e larta 112.90%, përderisa mesatarja e normës efektive të interesit për këtë mostër të përzgjedhur është 82.11%”, ka gjetur BQK-ja.

Edhe ky institucion kishte aplikuar norma shumë më të larta interesi, krahasuar me ato prej 34.0 për qind, që i kishte prezantuar në planin e biznesit të dorëzuar në BQK, kur kishte aplikuar për licencë.

Numri i institucioneve mikrofinanciare të regjistruara në Kosovë është 10, ndërsa numri i atyre jobankare është gati dyfish më i lartë – 19. Gjithashtu janë edhe 44 institucione jobankare të regjistruara, por që për veprimtari të vetme e kanë këmbimin e parave.

Biznesi i kredive të shpejta ka filluar në Letoni, një shtet postkomunist. Dhjetë vjet më parë, katër shokë që vijonin mësimet në një shkollë elitare në kryeqytetin Riga themeluan një Start-up, “AS OC Finances”. Ishin Aigars Kesenfeld, Alberts Pole, Kristaps Ozols dhe Maris Keiss. Së paku tre prej këtyre janë përfitues të fundit nga bizneset e kredive të shpejta, të vendosura në Kosovë e rajon.

Kompania e këtyre katër të rinjve të zgjuar mbërriti sukses të madh në mesin e ndërmarrjeve të reja baltike. Modeli i biznesit – duke siguruar hua të vogla për klientët përmes platformës së tyre të internetit, mesazheve me tekst dhe thirrjeve telefonike – tërhoqi shumë konsumatorë. Kësisoj, shpikja u kthye në makinë për të tërhequr para, dhe kjo bëri që biznesmenë të lidhur me elitat politike t’iu bashkohen atyre.

Të katërtit kishin formuar kompaninë “4 Finance”, biznes ku më vonë bleu shumicën e aksioneve oligarku Oleg Boyko. Thesari i Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një listë të personave kryesorë që i shërbejnë regjimit të presidentit rus, Putin, e së cilës mediat i janë referuar si “Lista e Mafies së Putinit”. Emri i Oleg Boyko ndodhet në të.

Aigars Kesenfeld, Alberts Pole, Kristaps Ozols dhe Maris Keiss kanë bërë edhe biznese vetjake, por në të tjera janë bashk ksionarë.

Sipas “Linkedin”, Aigars Kesenfelds është themelues i “Mintos”, me kapitalin e së cilës funksionojnë 64 biznese të kredive të shpejta, përfshirë edhe tri të regjistruara në Kosovë.

“Monego”, sipas ARBK-së, ka për aksionar të vetëm Kesenfeldsin. Ajo figuron të ketë hua të papaguar në “Mintos” 10.79 milionë euro. Ajo nuk ka filiale në ndonjë shtet tjetër.

Alberts Pole në ARBK është paraqitur si aksionar i vetëm i “Mogos”, e cila në “Mintos” ka 81.32 milionë euro hua. Mbështetur në një prospekt që vetë “Mogo” fundvitin e shkuar e ka publikuar në uebfaqen e saj, përfitues të saj janë: Aigars Kesenfelds, që mban drejtpërdrejt dhe indirekt 46.5 për qind të kapitalit; Alberts Pole, 15.5 për qind të aksioneve; Kristaps Ozols, 15.5 për qind, dhe Maris Keiess, 15.5 për qind.

“IuteCredit” në ARBK nuk ka ndonjë person që figuron si aksionar, por është As “lutecredit Europe”. Ajo ka hua në “Mintos” 34.47 milionë euro. Vepron edhe në Shqipëri dhe Maqedoni. Pasi BQK-ja ia ka mbyllur filialin këtij biznesi në Kosovë, “Mintos” e ka lëshuar një informatë, sipas së cilës “që nga 6 dhjetori 2019, ‘IuteCredit Europe’ ka transferuar në ‘Mintos’ gjithsej 84.125.20 euro pagesa të huamarrësve dhe këto pagesa janë kredituar në llogaritë e investitorëve ‘Mintos’”. Krahas kësaj, ka theksuar se “’Mintos’ ka angazhuar një firmë lokale ligjore në Kosovë që do ta përfaqësojë ‘Mintosin’ dhe do të mbrojë interesat e investitorëve të ‘Mintosit’”.

Edhe në Shqipëri, krahas “Iute Credit” dhe “Mogo”, vepron edhe “Kredo”. Kjo e fundit ka 11.09 milionë euro hua në “Mintos”. Mbështetur në dokumentacionin që e ka parë gazeta, ortak i vetëm i “Kredos” në Shqipëri është Kesenfelds. Ai është nënshkrues i statutit dhe i një dokumenti, nëpërmjet të të cilit rritet kapitali në kompani. Fillimisht ky biznes i kredive të shpejta ishte regjistruar si “Mondo Finance”, dhe me vendim të Kesendelsit i është ndryshuar emri në “Kredo”.

Në Maqedoni, ndërkaq, përpos “Iute Credit” funksionon edhe “Tigo”, biznes që ka 4.95 milionë euro hua te “Mintos”. Edhe në këtë biznes Kesenfelds është aksionar.

Nga shtetet e rajonit asnjë nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim në raport me këto institucione. Burime të gazetës kanë thënë se tashmë janë vënë komunikime mes tyre, e edhe Kosovës, përkitazi me rrezikun që kanoset nga kjo veprimtari. Kjo, edhe për shkakun se Agjencia e Inteligjencës e Kosovës (AKI) ka bërë një dosje për to dhe në fundvit ka njoftuar BQK-në për përfituesit përfundimtarë të këtyre bizneseve, ani se në dokumente zyrtare të regjistrimit ata nuk figurojnë si aksionarë.

“Përveç gjetjeve që janë adresuar nga ekzaminimet që u janë bërë, nga institucionet e sigurisë kemi pranuar informacionin se aksionarët e vërtetë të tyre nuk janë të përshtatshëm dhe të duhur”, ka treguar një burim në BQK, i cili ka theksuar se ky fakt është përmendur edhe në arsyetimin e vendimeve për tërheqje të licencës së institucionit financiar jobankar “Monego”, si dhe institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”.

Në të dyja këto institucione kanë mohuar të kenë lidhje biznesi mes vete.

Megjithëkëtë, në “Monego” e kanë pranuar se aksionari i saj ka jo pak kapital në “Mogo”.

“Z. Kesenfelds është investitori më i madh i kompanisë ndërkombëtare ‘Mogo’, e cila është themeluar në vitin 2012. Kompania operon në më shumë se 18 vende, përfshirë shtetet Baltike. Në nëntor 2019 ‘Mogo’ ka lëshuar fletë-obligacione në vlerë prej 100 milionë euro në Bursën e Frankfurtit, që konsiderohet si ‘standard i artë’ për industrinë globale financiare. Lëshimi i fletë-obligacioneve është aprovuar nga Autoriteti Federativ Gjerman i Mbikëqyrjes Financiare, duke konfirmuar kështu që z. Kesenfelds është aksionar i aftë dhe i duhur, nga të gjithë, duke përfshirë perspektivat e pastrimit të parave”, thuhet në një përgjigje që “Monego” ia ka përcjellë gazetës. “Nuk ka asnjë biznes apo lidhje të tjera midis ‘Monego’ dhe ‘Iute Credit’”.

Edhe në “IuteCredit” kanë theksuar të mos kenë lidhje me “Monegon” ose me “Mogon”, por kanë pranuar se një pjesë e madhe e kapitalit të saj është e bazuar në “Mintos”, themelues i së cilës është aksionari kryesor i të dyja kompanive me të cilat thotë të mos ketë lidhje.

“Paratë e kompanisë sigurohen nga obligacionet e listuara në Frankfurt, platforma ... ‘Mintos’, dhe nga burime të tjera të verifikueshme, përfshirë bankat”, thuhet në një përgjigje që ia ka dhënë gazetës “IuteCredit”. “Pronarë të ‘IuteCredit’ janë dy estonezë, Tarmo Sild dhe Allar Niinepuu. Struktura e aksionarëve të ‘IuteCredit Kosova’ dhe ‘AS IuteCredit Europe’ ka mbetur në thelb e pandryshuar që kur ‘IuteCredit Kosova’ mori licencën nga BQK-ja”.

Përpos që është themelues i “Mintos”, Kesenfelds është aksionar i vetëm i “Monegos” në Kosovë, ka pjesën më të madhe të kapitalit në “Mogo” që vepron në Kosovë e Shqipëri, e po kështu qëndron pas “Kredos” në Shqipëri dhe “Tigos” në Maqedoni.

Ai rezulton të jetë njeriu që në Letoni është përfituesi më i madh nga kompanitë që u qëndron pas, ani se zyrtarisht emri i tij nuk figuron si aksionar.

Vitin e shkuar rreth 32 mijë kompani letonase janë detyruar të shpalosin përfituesit e tyre të vërtetë. Ndër emrat që më së shumti është përmendur është pikërisht ai i Aigars Kesenfelds.

Në 6.19 për qind të rasteve, përfituesit e regjistruar nuk ishin pjesëmarrës të ndonjë kompanie të regjistruar në Letoni. Ndërkaq një e pesta e këtyre personave kanë qenë aksionarë të këtyre kompanive në të shkuarën.

“Njëri prej tyre është Aigars Kesenfelds, i cili është aktualisht përfitues i vërtetë nga 81 kompani. Në të njëjtën kohë, ai nuk ka aksione në asnjë kompani. Ky afarist është përfituesi i vërtetë i disa kompanive të pasurive të paluajtshme, si dhe i një firme që ofron shërbime të automatizuara të autolarjes – ‘SIA Wash and Drive’, ‘AS Skanstes Biroju Centrs’, ‘SIA Mintos Finance’ dhe të tjerave”, ka raportuar këtë vit Baltic News Network. “Interesat e Kesengeldsit në këto kompani përfaqësohen prej ‘AS ALPS Investments’, si dhe prej asaj me seli në Maltë, ‘Dyonne Trading & Investments Limited’ dhe kompani të tjera të ngjashme. Që prej qershorit të 2018-s, numri i bizneseve në të cilat Kesengeldsi është i regjistruar si përfitues i vërtetë është rritur me gjithsej 19 kompani”.