Iute Credit Europe dhe Monego, dy institucione mikrofinanciare në pronësi të investitorëve ndërkombëtarë, po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), për revokimin e licencave të tyre. Këto institucione mikrofinanciare në tregun e Kosovës kanë operuar me dhjetëra njësi.
Përfaqësuesit ligjorë të këtyre dy institucioneve jobankare thonë se vendimi i BQK-së për revokimin e licencave nuk ka bazë ligjore.
Banka Qendrore e Kosovës më 6 dhjetor të këtij viti, ka mbyllur këto dy institucione jobankare, për shkak, siç është thënë, normës se lartë të interesit që ato kanë zbatuar gjatë dhënies së kredive për klientët, duke mos respektuar kështu planin e biznesit. Iute Credit dhe Monego në planet e tyre të biznesit, normat efektive të interesit i kanë paraqitur prej 34 respektivisht, 26 për qind, kurse sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore, ato kanë zbatuar norma efektive të interesit nga 80 deri në 236 për qind.
Përfaqësues të Monego-s, përmes një komunikate për media kanë thënë se referimi në plan të biznesit është një keqinterpretim i plotë i ligjit nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës.
Edhe zyrtarë të Iute Credit kanë deklaruar se plani fillestar i biznesit i paraqitur gjatë aplikimit, ishte menduar të ndryshohej që nga fillimi dhe këto informacione ju kanë paraqitur edhe BQK-së.
Korab Sejdiu, përfaqësues ligjor i kompanisë Iute Credit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, konsideron vendimi i BQK-së është i bazuar në pasaktësi faktike e që njëkohësisht nënkupton, sipas tij, edhe shkelje ligjore dhe procedurale.
“Ajo që mbetet për Iute Credit, është t’i shfrytëzojë mjetet juridike, fillimisht të sfidojmë vendimin e BQK-së në gjykatën kompetente që është Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës. Por, njëkohësisht jemi në shqyrtim si alternativë, që të ndjekim procedurat përmes qendrës që është në grupin e Bankës Botërore, që merret me zgjidhjen e mosmarrëveshjes në investimet ndërkombëtare, që është padi në arbitrazh kundër Kosovës”, tha Sejdiu.
Iute Credit është kompani nga Estonia, e cila në tregun e Kosovës operon qe dy vjet.
Edhe përfaqësues ligjorë të institucionit tjetër jobankar Monego, institucion ky që operon në Kosovë nga Lituania, përmes një komunikate për media e ka vlerësuar si të padrejtë vendimin e BQK-së.
Por, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 23 dhjetor ka refuzuar kërkesën e aksionarit Monego për ta shtyrë ekzekutimin e vendimit të BQK-së deri në zgjidhjen e çështjes, e cila do të mbronte punonjësit dhe pasuritë e ndërmarrjes deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e gjykatës.