00:16

Nagavci: S’ka as arsye e as argumente që të shkarkohet Konjufca

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk ka arsye e as argumente që të shkarkohet Glauk Konjufca nga posti i kryeparlamentarit.

Ajo thotë se është e vetëdijshme se rritja e ministrive do t’i faturohet Vetëvendosjes.

“Rritja e ministrive është një kosto që do të na faturohet neve. Këtë e kemi bërë për LDK-në në mënyrë që të mos bëjmë lojëra për heqjen e pozitave të rëndësishme. Balancimi i pushtetit nënkupton përgjegjësi të ndara në ekzekutiv, në këtë situatë që kemi. Kemi një president që është zgjedhur me votat e LDK-së, dhe edhe një kryeministër që u zgjodh me votat e LDK-së”, ka thënë ajo.

Nagavci shtoi se duhet të tregojnë se i kanë të rëndësishme parimet.

“Ne kemi një situatë të re. LDK-ja do të kishte mundësinë të kishte mundësinë të kishte pozitën e kryeministrit nëse do të dilte e para, kurse atë të kryeparlamentarit nëse do të pranonte propozimin tonë, por nuk i ka pranuar. Qytetarët janë lodhur me të drejtë. Të gjithë i dinë deklaratat e Osmanit, e cila hapur e kishte shprehur se do të donte bashkëqeverisje me VV-në, e se pozita e presidentit nuk duhet të diskutohet”, ka thënë Nagavci.

Sipas saj qeverisja e ardhshme duhet të udhëhiqet nga fituesi dhe për këtë duhet të jenë në qeverisje VV e LDK.

“Pozitën e kryeparlamentarit nuk e ka pranuar LDK-ja. Arsye që të shkarkohet Konjufca nuk ka, e as argumente. Nëse janë penduar do të ishte e ndershme të thonë se kemi gabuar. Nuk është shumë e rëndësishme të themi se ne e kemi këtë individ vetëm pse është i joni, pasi do të qeverisim bashkë. Kurti i ka kërkuar më 23 dhjetor LDK-së që të ketë emrin e kryeparlamentarit, në mënyrë që më 24 të kemi marrëveshje. E më 25 i kemi njoftuar qytetarët për hir të transparencës, e kjo ishte pas pamundësisë për të arritur marrëveshje”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se VV-ja ka nxjerrë pjesën e Mustafës kur thotë se VV-ja mund ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar.

“Jam e prirur të besoj se në LDK ka zëra racional që janë të interesuar të votojnë qeverinë. Besoj se do ta marrin seriozisht mesazhin e qytetarëve që na kanë dhënë më 6 tetor. Qeverisje pa fitues të zgjedhjeve nuk mund të ketë. Mund të ketë Qeveri pa fitues të zgjedhjeve, por smund të ketë qeverisje pa fitues të zgjedhjeve. Besoj se LDK-ja do të ketë kurajën të dëgjojë zërat racional. Shembulli i VLAN-it duhet të shërbejë si mësim se si nuk duhet të veprohet. Tani i kemi fituesit e zgjedhjeve që kemi 58 mandate dhe është shumë më e lehtë të arrihet një marrëveshje”.

Sipas Nagavcit VV-ja ishte shumë gjeneroze në ofertën për LDK-në.

“VV-ja ka bërë në vazhdimësi hapa për të ecur përpara. Jemi pajtuar që t’iu ofrojmë gjashtë ministri, e zgjedhjen e presidentit me propozimin e LDK-së. Pra, kemi bërë një varg kompromisesh deri më tani. Jemi të gatshëm, që nëse ata ofrojnë ndonjë gjë tjetër mund të shohim, por nuk mund të kthehemi në hapa prapa. Nuk është synimi kjo, dhe nuk është kjo çfarë u kemi premtuar qytetarëve. Kurti ka bërë kërkesën që të ulen sërish në tavolinë për të diskutuar derisa të gjejnë një zgjidhje. Kur ekziston vullneti mund të gjendet më shumë se një zgjidhje. Por, nuk ka përafrim kur t’i kërkon të bëhen hapa prapa”, u shpreh Nagavci.

Nagavci ka thënë se janë të interesuar të kenë një marrëveshje të drejtë dhe një qeverisje që fillon me këmbë të mbarë.

Ajo ka thënë nëse kjo nuk ndodh atëherë shkohet në zgjedhje të reja.

“Ne nuk mund të jemi pjesë e qeverisë vetëm sa për të qenë. Kurti e ka pasur mundësinë të jetë kryeministër vetëm sa për të qenë. Ne kemi thënë gjithmonë se jemi të interesuar të vendosim standarde të reja. Nëse ne kishim dashur të jemi pjesë e pushtetit me çdo kusht atëherë do të ishim. Po ky nuk ka qenë synimi jonë dhe nuk është”, ka thënë ajo.

23:54

Nagavci: I propozuam LDK-së të punojmë në shkarkimin e Thaçit, por si duket ju pengoi

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka thënë se çështja e presidentit është çështje që bënë pjesë në lëshimet që VV-ja bëri për të arritur marrëveshje me LDK-në.

Ajo tutje në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se propozim i Vetëvendosjes ishte që të shkarkohet presidenti aktual, Hashim Thaçi, derisa shton se një gjë e tillë duket se ju ka penguar LDK-së.

“Edhe në atë kohë ne kemi thënë që janë zgjedhje parlamentare dhe se qytetarët kanë votuar për Qeverinë e Kuvendin, pastaj mund të vendosim për kandidatin më të përshtatshëm për president. Nuk ka pas ndonjë përpjekje tjetër që do të na ofronte zgjidhjen. Është e pakuptimtë të vendosën çështje që na largojnë nga pajtueshmëria. Për çështjen e presidentit ne kemi bërë një lëshim. Ne kemi kërkuar që bashkërisht të angazhohemi të shkarkojmë presidentin aktual. Angazhimi jonë është që të shohim të gjitha dokumentet dhe t’i shohim të gjitha mundësitë që ta dërgojmë në Kushtetuese në mënyrë që të shkarkohet. Sikur LDK-së t’i ketë penguar e si duket ju ka penguar, do të ishte e sinqertë që të thuhej që nuk e pranojnë e të gjejnë pika tjera. Ne kemi president që është zgjedhur me vota të tregtuara të deputetëve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, pika e dytë të cilën e kanë paraqitur është që të gjejnë një person jashtpartiak që përfaqëson unitetin e popullit.

Ajo thotë se nuk e kanë përmendur asnjëherë asnjë kandidat.

Nagavci thotë se pika e tretë ishte “që nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë jashtpartiake atëherë LDK-ja duhet t’ia propozojë një kandidat por se organet e VV ta votojnë. Pika e katër ishte që angazhimi jonë duhet të jetë i përbashkët dhe të mos kërkohen vota nga ish-partitë e PAN-it për votim të presidentit”.

Sipas saj qëllimi i tyre ishte që bashkërisht të gjendej një kandidat që përfaqëson unitetin e popullit.

Ajo tutje ka thënë se nuk ka asnjë arsye që të tërhiqen nga pozita e kryeparlamentarit.

“Lëvizja nuk ka asnjë arsye e as një të drejtë të bëjë lojë me institucionet e vendit. Ne duhet të tregohemi serioz sepse për këtë jemi votuar. Secila pozitë do të jetë llogaridhënëse për qytetarët. Konjufca është propozuar nga Kurti dhe është votuar nga 75 deputetë, është nder të jetë në krye të Kuvendit dhe ne besojmë shumë që ai do ta kryej më shumë përgjegjësi punën e kryetarit. Besoj që shpejt do të kemi vendimet e para që janë të bazuara në respektimin e plotë të rregullores së Kosovës”, ka thënë ai.

Nagavci thotë se Konjufca e ka pranuar si përgjegjësi këtë detyrë, duke shtuar se ai do të ishte i gatshëm personalisht të hiqte dorë nga pozita, por se kjo nuk do të ishte asnjë garanci që marrëveshja me LDK-në të arrihej.

Ajo thotë se ishte propozim i VVsë që të propozohej një kandidat i LDK-së për kryetar të Kuvendit, por se këta të fundit nuk u pajtuan.

“Më 26 dhjetor LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Këshillit dhe Mustafa ka thënë se VV-ja mund të propozojë një kandidat dhe se ata do ta pranonin. Ne kemi thënë se do ta propozojnë një kandidat nga LDK-ja mirëpo kur kemi pasur këtë refuzim dhe kur kemi pas një deklaratë publike të Mustafës, atëherë ka qenë e paarsyeshme prej anës tonë të mos e propozojmë kandidatin”, ka thënë ajo. “Mendoj se është mirë që kemi një personalitet si Konjufca në krye të Kuvendit, të një institucioni kaq të rëndësishëm kemi një person me dije, dinjitet e etikë të lartë profesionale. Shpresoj të fillojë puna më shpejt në Kuvend. Konsideroj se është çështje e vullnetit që të vazhdohet puna më tutje. Shpresoj që të kemi shumë shpejt edhe votëbesimin për krijimin e qeverisë Kurti”.