Kosova e ’19-s: Skandalet diplomatike

Ardiana Thaçi Mehmeti Ardiana Thaçi Mehmeti 01 January 2020 20:34

Zyrtarë të qeverisë Haradinaj kanë shfrytëzuar madje edhe orët e fundit para shpërndarjes së Kuvendit për të marrë vendime.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pasi kishte punësuar dhe emëruar dhjetëra njerëz politikë brenda Ministrisë së Jashtme, edhe pasi ishte në largim, ka emëruar disa ambasadorë të karrierës.

Ai është lavdëruar me emërimin e tyre, duke thënë se po mban premtimin për emërimin e sa më pak ambasadorëve politikë. Por, në një dokument të siguruar nga KTV-ja, Pacolli kishte emëruar edhe emra politikë.

Ambasadorët e emëruar qenë: Ilir Dugolli ambasador në Turqi, Frymëzim Isufaj në Britani të Madhe, Lulzim Mjeku në Arabi Saudite, Lendita Haxhitasimi në Itali, Lulzim Pllana në Austri dhe Adriatik Kryeziu në Kanada.

Në mesin e të dekretuarve ishte edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, për ambasador të Kosovës në Shqipëri.

Në fund të vitit, këto vendime të Pacollit, për emërime e delegime në misione diplomatike, morën goditje nga Drejtoria e Përgjithshme e kësaj ministrie.


Lexoni edhe: 

Kosova e ’19-s: “Dorëzimi” i Qeverisë [video]


Ajo u ka shkruar ambasadorëve kosovarë që të mos akreditojnë personat që nuk mbajnë gradë diplomatike.

“Ju informoj se asnjëri nga personat që janë dërguar në misionet që i udhëhiqni nuk është pjesëtar i shërbimit civil, i shërbimit diplomatik dhe as i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe, si i tillë, nuk është subjekt i trajtimit të kornizës ligjore të Republikës së Kosovës dhe as konventave ndërkombëtare për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore...”, kishte thënë kjo drejtori.

Shkresa, tutje, konteston edhe bazën ligjore të vendimeve të Pacollit, duke iu referuar mungesës së avancimit në grada përmes formave që i parasheh ligji, çka edhe e pamundëson që të njëjtit të akreditohen si diplomatë të Kosovës në vende pritëse.

Megjithatë, Behgjet Pacolli, ka mohuar të ketë diçka të jashtëligjshme në vendimet e tij për emërim e delegime nëpër misione diplomatike jashtë vendit.

“Gjatë mandatit tim nuk është vepruar asgjë jashtë ligjit dhe nuk ka të tillë pa grada diplomatike”, kishte thënë Pacolli.

Kur Kosova po priste të niste fushatën zgjedhore, qeveria në largim do të përfshihej në polemika të mëdha rreth tërheqjes së njohjeve.

Deklarimet e zëvendëskryeministrit në detyrë, Enver Hoxhaj, se ka informacione për tërheqjen e 10 njohjeve ndaj Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, i kishte quajtur deklarime për përfitime të votave.

Kundërshtimi do të vinte edhe nga Ministria e Jashtme, me Pacollin që vazhdimisht kishte deklaruar dhe akuzuar se Serbia po i përdor shtetet e varfra për t’i tërhequr njohjet.

Gjatë udhëheqjes dyvjeçare të Ministrisë së Jashtme nga Behgjet Pacolli, Kosova është njohur vetëm nga dy shtete. Ndërkaq, mbi 10 shtete është thënë se e kanë revokuar njohjen.

Shefi i diplomacisë u përfshi në një tjetër skandal, kur solli në Kosovë me aeroplan privat një të akuzuar për krime kundër njerëzimit.

Për më tepër zëvendëspresidentin e shtetit të Kenias, William Ruto, e priti Garda ceremoniale e FSK-së, ani pse shteti i tij nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ruto, duket se nuk kishte qenë i gatshëm për një pritje të tillë, teksa në këtë video të siguruar nga KTV-ja bie në sy veshja e tij gati sportive. Për këtë pritje, Ministria e Punëve të Jashtme, nuk kishte bërë asnjë njoftim, derisa për Gardën Ceremoniale, nga ministria e FSK-së patën konfirmuar se ka pasur një kërkesë nga protokolli i shtetit që ata të jenë prezentë aty.

Vizitën sekrete, jo zyrtarisht, në MPJ e kanë arsyetuar me faktin se shteti i Kenias është një prej shteteve më të rëndësishme të Afrikës dhe frikën nga kundër-lobimi i shtetit të Serbisë.

Përveç me ministrin e Jashtëm, në hotelin e të cilit edhe ka qëndruar Ruto, siç ka marrë vesh KTV-ja, ka pasur edhe takime me liderë të tjerë të vendit, përfshirë kryeministrin Haradinaj, me të cilin ishte takuar për kafe.

Pas dështimi të dytë të Kosovë për t’u anëtarësuar në Interpol, Kosova më 2019, u dorëzua që para se të niste procesi.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, me rekomandimin e Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacollit kërkoi shtyrjen e votimit për anëtarësim të Kosovës në policinë Ndërkombëtarë INTERPOL për 2020.

Kosova kishte planifikuar që të kërkojë anëtarësimin në këtë organizatë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, e cila ishte mbajtur në Kili gjatë tetorit.

Zyrtarët e Beogradit e kishin cilësuar këtë tërheqje si fitore diplomatike ndaj Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme