Në pritje të zgjidhjes përfundimtare me Serbinë, qeveritë e deritashme e kanë lënë nën hije lobimin për njohje të reja. Energjitë i fokusuan kryesisht në mbrojtjen e atyre njohjeve, që Kosova arriti t’i siguronte me gjithë fushatën agresive të Serbisë
Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar është prioriteti kryesor strategjik për institucionet e Kosovës, me mision të posaçëm arritjen e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Por, rrugëtimi drejt përmbushjes së këtij qëllimi është përcjellë me shumë paqartësi. Në pritje të zgjidhjes përfundimtare të raporteve me Serbinë, qeveritë e deritashme e lanë nën hije lobimin për njohje të reja. Energjitë i fokusuan kryesisht në mbrojtjen e atyre njohjeve, që Kosova arriti t’i siguronte me gjithë fushatën agresive të Serbisë.
Por as pas gati 15 vjetësh, Kosova nuk e di saktësisht sa vende ia kanë njohur shtetësinë.
Mbështetur në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme, në total janë 117 shtete të cilat e kanë njohur Kosovën. Por për së paku dhjetë vende nuk dihet nëse janë dorëzuar notat verbale, e të cilat Ministria i llogarit si njohje. Aty është edhe njohja e Togos, për të cilën tha se është revokuar ministri i Punëve të Jashtme i këtij shteti, Robert Dussey, pas takimit me homologun serb, Ivica Daçiq, në janar të këtij viti.
Njohja është tërhequr edhe nga Suriname, për të cilën ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, pati thënë të mos jetë në dijeni se çfarë ka ndodhur. Të tjera vende për të cilat ishte raportuar se kanë revokuar vendimet janë: Guinea Bissau, Sao Tome dhe Principe, Burundi dhe Papua New Guinea. Dy prej tyre i kanë rikthyer sërish njohjet – Guinea Bissau dhe Liberia.
E në tetor të këtij viti, si rrallëherë MPJD-ja deklaroi se pas pesë vjetësh riktheu marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Palaut. Në janar të 2019-s Palau kishte paralajmëruar ta shqyrtonte vendimin për njohjen e pavarësisë, mbështetur në notën verbale që kryetari i kësaj republike ia kishte dorëzuar ministrit serb të Punëve të Jashtme.
Korrupsioni është mjeti kryesor që Serbia e ka përdorur në fushatën për revokimin e njohjeve të Kosovës në disa vende afrikane. Një hulumtim i bërë në Afrikën Qendrore pati konfirmuar raportimet e “Kohës Ditore” se kryediplomatja e këtij vendi, Sylvie Baipo Temon, në këmbim të 305 mijë eurove kishte nënshkruar një letër për çnjohjen e Kosovës.
Sylë Ukshini ka qenë pjesë e Ministrisë së Jashtme prej themelimit të saj në vitin 2008 deri në mars të këtij viti. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe në mënyrë pasive disa shtete krijuan pozicion shkëputjeje në raport me Kosovën.
“Është pastaj debati nëse ka çnjohje apo jo. Por është në të drejtën e shteteve, është vullnet individual i një shteti për ta njohur ose mos njohur Kosovën. Mendoj se këto shtete për benefite të caktuara, qoftë për ndikimin rus ose serb, kanë dhënë deklarata politike, disa edhe nota verbale, me të cilat kanë treguar që e ngrijnë njohjen deri në përfundimin e dialogut, sepse vijmë tek ajo pika që Serbia e ka shpërfaqur dialogun e Brukselit si dialog për zgjidhjen e statusit. Pra e ka keqpërdorur dialogun dhe problemi është se BE-ja ka heshtur”, ka thënë Ukshini.
Ndërkaq mësimdhënësi i Universitetit të Prishtinës, Dorajet Imeri, i cili ka doktoruar për sfidat e Kosovës në procesin e njohjeve, thotë se shteti nuk i ka mirëmbajtur raportet me shtetet që e kanë njohur pavarësinë.
“Kosova nuk ka lidhur marrëdhënie diplomatike me ta. Kjo është vërejtur te rasti ta zëmë kur Japonia ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, sepse Kosova nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike të konsoliduar me Japoninë. Disa shtete na kanë njohur, por nuk i kemi respektuar mjaftueshëm, ka munguar aftësia diplomatike për krijimin e marrëdhënieve bilaterale”, është shprehur Imeri.
Njohja nga Izraeli dhe moratoriumi i Washingtonit

Shteti i fundit që e ka njohur Kosovën është Izraeli, me të cilin u vendosën marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021. Njohja e shtetit nga Lindja e Mesme ishte pjesë e marrëveshjes së Washingonit, e cila u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 mes Kosovës e Serbisë, nën ndërmjetësimin e ish-presidentit Donald Trump.
Sipas marrëveshjes së Washingtonit, ish-qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti ishte pajtuar të pauzojë në kërkesat për anëtarësime në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbisë i kërkohej që ta pushonte fushatën e saj për çnjohje dhe mosnjohje të Kosovës.
Moratoriumi njëvjeçar skadoi në shtator 2021-tës, por prej atëherë Kosova nuk arriti ta siguronte asnjë njohje të re.
Eksperti amerikan, Daniel Serwer, ka një shpjegim se pse amerikanët i ndalën përpjekjet për t’ia shtuar njohjet Kosovës. Mendim të njëjtë ka edhe për qasjen e evropianëve.
“Unë mendoj se SHBA-ja nuk po ndihmon. SHBA-ja po e përdor ndihmën e tyre sa u përket njohjeve si karotë për ta shtyrë Kosovën që të pranojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kjo qasje është e gabuar. Nuk shoh se amerikanët kanë pasur shumë premtime efektive për t’i bindur shtetet që ta njohin Kosovën pas shpejtësisë fillestare në sigurimin e njohjeve për Kosovën”, ka deklaruar Serwer.
Mendim të njëjtë ka edhe për qasjen e evropianëve.
Në këtë shterpësi veç mungesës së lobimit kanë ndikuar edhe zhvillimet gjeopolitike.
“Mënyra se si i është qasur Kosova mënyrës së njohjeve edhe në lobim ka qenë shumë komplekse. Në anën tjetër, ngjarjet ndërkombëtare që kanë ndodhur – Ukraina, më herët Krimea, pastaj ndikimi i vendeve të BREX-it që ka pasur në Afrikë, Azi, Amerikë Latine – kanë treguar që kjo çështje është vërtet shumë komplekse”, ka thënë ish-ambasadori në Tiranë, Sylë Ukshini.
Mungesa e transparencës dhe gafat diplomatike

Qeveria Kurti e pati nisur mandatin me premtime të mëdha sa i përket reformimit të politikës së jashtme.
Por për disa muaj qendrat më të rëndësishme vendimmarrëse u lanë pa ambasadorë pas “fshesës” së ministres së Jashtme, Donika Gërvalla. Me gjithë premtimin e Qeverisë se ambasadorët e rinj do të emëroheshin shpejt, kjo nuk ndodhi.
Ukshini vlerëson se është humbur shumë kohë me çështjet e brendshme pas shkrirjes së Ministrisë së Diasporës brenda MPJ-së.
Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, në një mënyrë ringjalli diplomacinë kosovare që nisi të kërkojë mbështetjen e partnerëve perëndimorë në mësymjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë ato më kryesoret, siç janë NATO-ja dhe Këshilli i Evropës.
Por kryediplomatja Gërvalla u bë cak i kritikave për shkak të gafave në rrjetet sociale e për lëshime diplomatike.
Kur në zyrë i kishin shkuar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Matthew Palmer, mungonte flamuri i SHBA-së.
Duke e dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, Gërvalla e paraqiti Kosovën si superfuqi që është e gatshme t’u asistojë SHBA-së, NATO-së dhe BE-së për t’ia ndalë hovin Rusisë.
Në rastet e tjera ngatërroi flamurin e NATO-s me atë të Kombeve të Bashkuara, dhe flamurin e Andorrës me atë të Moldavisë.
Veç gafave, Ministria e Jashtme e vazhdoi praktikën e emërimeve të kundërligjshme të njerëzve që kanë lidhje me partitë në pushtet.
Procesi i lobimit për njohjet është shoqëruar me mungesë transparence.
Me gjithë kërkesën e KOHËS për ta caktuar një zyrtar i cili mund të flasë në përgjithësi rreth temës, në MPJD thanë se “nuk ndajnë detaje lidhur me strategjinë e lobimit për njohje dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare”.
Kosova tek në vitin 2017 përpiloi dokument strategjik për Politikën e Jashtme, i cili ndërlidhej me Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2017-2021.
Pesë objektivat strategjike të përcaktuara në këtë dokument janë: “1. Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar; 2. Integrimi në strukturat euroatlantike; 3. Promovimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore; 4. Promovimi i vlerave të përgjithshme dhe i imazhit të Republikës së Kosovës në botë; si dhe 5. Promovimi i interesave ekonomike të Republikës së Kosovës”.
“Mendoj se Ministria e Jashtme duhet të ketë dokumente strategjike për secilin vend, secilin rajon. Nuk mjafton vetëm një strategji që e kemi pasur më herët për njohjet. Por duhet të ketë vlerësime të sakta për secilin vend se si duhet t’i qasemi. Një element tjetër që nuk ka pasur shumë vëmendje në të kaluarën është çështja e lëvizjes dhe mënyra e operimit të Rusisë në kontinente të ndryshme, ndikimi i saj në rrafshin bilateral dhe multilateral. Rusia në KS të OKB-së veton e saj e ka përdorur shpeshherë për t’i shantazhuar vendet e ndryshme të kontinenteve të ndryshme”, ka vlerësuar Ukshini.
Lobimi për shkëmbim territoresh, akuzat ndaj diplomatëve
Vitet e fundit politika e jashtme u diktua nga dialogu me Serbinë. Ky proces në periudha të ndryshme e dëmtoi rëndë lobimin duke çakorduar edhe institucionet.
Kjo mori hov veçmas pas vitit 2018, kur nga lobimi për shtim njohjesh diplomacia kosovare rrëshqiti në lobim për shkëmbim territoresh me Serbinë. Kur ish-presidenti Hashim Thaçi lansoi idenë për korrigjimin e kufijve me fqinjin verior, një pjesë e diplomatëve u vu në shërbim të lobimit për këtë ide, në qendrat kryesore të vendimmarrjes.
“Kemi diskutuar për pesë vjet me presidentin Vuçiq dhe tani kemi vendosur që të eksplorojmë çdo opsion të mundshëm. Nga perspektiva ime, përfshirë korrigjimin e kufijve, në mënyrë që të bëhen përpjekje për arritjen e marrëveshjes. Vendet e rajonit dhe të tjerët nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse ajo marrëveshje implikon korrigjim të kufijve”, pati deklaruar Thaçi në Forumin Alpbach të Austrisë më 25 gusht 2018.

Si pasojë e mungesës së koordinimit mes Thaçit dhe ish-kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj, pati akuza ndaj disa diplomatëve se janë vënë në shërbim të ish-presidentit, kundër interesave të shtetit. Më e rënda ishte ajo ndaj ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, të cilën Haradinaj e pati quajtur lobiste të Thaçit për ndarjen e Kosovës.
Dorajet Imeri vlerëson se problemet e brendshme kanë reflektuar në politikën e jashtme të Kosovës.
“Fatkeqësia është se në momente të caktuara madje kemi pasur qëndrime diametralisht të ndryshme në mes të këtyre institucioneve në periudhën kohore kur presidenti ka qenë zotëri Thaçi e kryeministër Haradinaj, ndërkaq ministër i Jashtëm z. Pacolli. Për një çështje të caktuar janë dhënë tri mendime të ndryshme. Njëri për shkëmbim territoresh, tjetri e ka përmendur shkëmbimin e territoreve si hapje e një konflikti të ri, ndërkaq ministri i Jashtëm z. Pacolli ka përmendur një zonë të lirë ekonomike për veriun e vendit. Pyetja që shtrohet automatikisht këtu është se kë e dëgjojnë emisarët, kë diplomatët, kë ambasadorët në arenën ndërkombëtare- kryeministrin, presidentin, ministrin e Jashtëm”, ka theksuar Imeri.
Derisa presidenti amerikan, Donald Trump, ua kishte lënë në dorë palëve t’i rivizatonin edhe kufijtë nëse duan, kundërshtarja më e madhe e kësaj ideje ishte Gjermania.
Projekti dështoi pak ditë para takimit të Washingtonit, pasi Gjykata Speciale njoftoi se ka deponuar një aktakuzë ndaj Thaçit dhe ish-eksponentëve të tjerë nga hierarkia e UÇK-së, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Kosova e Serbia iu rikthyen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Në shkurt të këtij viti palët u dakorduan për një Marrëveshje Bazë, e cila nuk e ka njohjen e ndërsjellë në qendër. Serbia jo vetëm që refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen dhe aneksin për zbatimin e saj, por i vazhdoi obstruksionet e saj që kulmuan me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të këtij viti, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ndërkaq për tensionet e verës në veri, BE-ja e ndëshkoi Kosovën duke i vendosur masa sanksionuese, që ende po i mban në fuqi.
“Mendoj se është shumë e vështirë për Kosovën që të vazhdojë me dialogun ashtu siç ishte zhvilluar para 24 shtatorit. Fakti është se Serbia sponsorizoi një akt terrorist të armatosur në kryqëzim në anën e Kosovës më 24 shtator. Derisa kjo çështje të zgjidhet plotësisht, mendoj se është shumë e vështirë që dialogu të kthehet si më parë. Beogradi mund ta zgjidhë këtë problem shumë shpejt duke marrë përgjegjësinë për atë që ndodhi më 24 shtator duke i kthyer autorët në drejtësinë e Kosovës dhe duke premtuar se nuk do ta përsërisë më”, ka deklaruar Serwer. “Deri në një rezolutë për 24 shtatorin, thjesht nuk e shoh se si dialogu mund të prodhojë shumë dhe sinqerisht nuk parashikoj se do të ketë njohje të reja. Në të njëjtën kohë, do të argumentoja me mosnjohësit se dështimi i tyre për të njohur Kosovën e ka inkurajuar Serbinë të mendojë se jo vetëm që mund t'i rezistojë pavarësisë së Kosovës, por edhe t’i sfidojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Mosnjohja e Kosovës është destabilizues”.
Edhe ish-ambasadori Ukshini vlerëson se dialogu i stërzgjatur dhe qasja e BE-së kanë dalë të jenë pengesë e madhe për shtimin e njohjeve.
“Mendoj se qenësore edhe pas ngjarjeve të fundit, edhe në çështjet e dialogut është thelbësore njohja nga pesë vendet e BE-së. Nuk ka kuptim që pas vendimit të GJND-së pesë vendet e BE-së, me të cilat mendojmë se ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike, kulturore, historike, por edhe varet stabiliteti rajonal i kësaj pjese të Evropës, të jenë më afër qëndrimit me Iranin, Kubën, Venezuelën dhe me Rusinë, dhe të mos jenë më afër Kosovës. Mendoj se këtu duhet të fokusohemi, sepse thelbësore për arritjen e marrëveshjes me Serbinë është e kundërta e asaj që e thotë Lajçak, që një herë marrëveshja, pastaj njohja. Unë mendoj se do të duhej të ishte ndryshe – Njohja nga pesë vendet e ndihmon dialogun, sepse është e pakuptimtë të mendohet se BE-ja do të kërkojë njohjen nga Serbia për Kosovën, ndërkohë që pesë anëtarët e saj nuk e njohin Kosovën”, ka potencuar Ukshini.
Keqpërdorimi i fondeve për lobim
Procesi i lobimit është shoqëruar edhe me raportime për keqpërdorim të fondeve publike për promovim personal të politikanëve.
Konstatimin e pati nxjerrë një Komision hetimor i Kuvendit, sipas të cilit Thaçi kishte shfrytëzuar fondet publike të dedikuara për lobim për të promovuar veten me librin biografik.
Raporti i Kontratës, që daton nga korriku i vitit 2017, konfirmonte se senatori Bob Dole, kompania e të cilit ka pasur kontrata lobimi me Kosovën, ka edituar dhe reviduar fjalën hyrëse në librin e ish-presidentit Thaçi.
Komisioni në raport tregonte edhe për shqetësimet e ngritura edhe nga avokati Geoffrey Nice, në lidhje me shfrytëzimin e fondeve publike për shkrimin e librit të presidentit Thaçi. E kishte bërë këtë nëpërmjet një letre adresuar Qeverisë.
“Në letrën në fjalë, avokati Nice tregon se me kërkesë ka qenë i angazhuar në asistimin e autorëve të librit të presidentit”, shkruhej në raportin e Komisionit.
Mungesa e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare
Përveç njohjeve, sfidë ka dalë të jetë edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare. Zhbllokimi i kësaj situate u synua me dorëzimin e aplikacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit kaluar. Por kjo çështje ende nuk është futur në rend dite, ani se zyrtarët qeveritarë pretendojnë se janë siguruar votat për t’u anëtarësuar në njërën prej organizatave kryesore.
Dorajet Imeri thotë se njohjet nuk janë proces që mund të zhvillohet pa mbarim, sepse nuk ka pa mbarim shtete.
“Konsolidimi do të nënkuptonte shtimin e njohjeve, pra një prezencë, një pranim më i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare, çka do t’i mundësonte asaj edhe disa veprime të tjera, si anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe forume të tjera multilaterale, që automatikisht do të nënkuptonte edhe një sforcim politik të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Imeri.
Ai ka folur edhe për rolin e diplomacisë parlamentare në lobim, që Kosovës i ka munguar deri tash.
“Ka qenë kohë e ndasive të mëdha në Kuvendin e Kosovës, kur parti e fraksione politike përbrenda kanë pasur aq shumë qëndrime të ndryshme në tema themelore, siç janë çështja e demarkacionit, asociacionit, dhe kjo ka reflektuar në politikën e jashtme. Nuk mund të ketë diplomaci parlamentare për aq kohë sa nuk ka një qëndrim të unifikuar ose të sinkronizuar të anëtarëve të ndryshëm të partive politike dhe ta zëmë një grupi miqësie nga një vend i caktuar”, ka theksuar Imeri. “Diplomacia parlamentare ka dështuar plotësisht pasi deputetët kanë zgjedhur vendet evropiane kryesisht për udhëtime ose për të kryer disa rituale të caktuara proformë si deputetë, por askush nuk ka bashkëpunuar me vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.
E, më e gjatë do të jetë rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, pasi kryeministri Albin Kurti e deponoi aplikacionin më 15 dhjetor 2002.
Edhe në këtë rrugëtim Kosova trajtohet si “sui generis”, pasi shtetësinë nuk ia njohin pesë nga 27 vendet anëtare të BE-së.
Po ashtu ndër kushtet kryesore është normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë, që ende nuk duket në horizont.