Arbëri

Asnjë rezultat nga hetimet mbi alergjinë që shkaktuan zarfet me vota nga Serbia, Prokuroria hesht

Më shumë se dy muaj janë bërë qëkurse Prokuroria ka dërguar për ekspertizë jashtë Kosovës, mostrat e zarfeve të ardhura nga Serbia, e ndaj të cilave, pas kontaktit fizik, pësuan reaksion alergjik zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Megjithëkëtë, rezultatet e mostrave, të cilat nuk dihet se ku janë dërguar për analizë më të detajuar, nuk kanë arritur ende në Kosovë. Lidhur me këtë çështje, nga Prokuroria nuk kanë dhënë shumë detaje, raporton KTV.

“Duke iu referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se janë duke u zhvilluar hetimet. Deri tani janë intervistuar disa persona lidhur me këtë çështje, ndërsa sa u përket rezultateve të analizave, jemi në pritje të tyre, pasi që ende nuk kanë arritur në shtetin tonë”, ka thënë Laureta Ulaj nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Juristi Kushtrim Palushi thotë se vonesat e një ekspertize të tillë janë të arsyeshme, ndonëse konsideron se i gjithë procesi do të duhej të ishte më transparent.

Ekspertiza për rastet të tilla, të cilat janë më të komplikuara, thotë Palushi, nxjerrin në pah mungesën e përgatitjeve të duhura në Kosovë.

Për të marrë më shumë informacione lidhur me dërgimin e mostrave jashtë Kosovës, Kohavisioni ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Drejtësisë, mirëpo nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Më 13 tetor, gjatë procesit të verifikimit të zarfeve me fletëvotime të ardhura nga Serbia, dhjetëra zyrtarë të KQZ-së, u ankuan për kruarje të duarve e fytyrës si dhe vështirësi në frymëmarrje. Rreth 10 ditë pasi ky proces ishte ndërprerë, votat e ardhura nga Serbia u numëruan në kushte të jashtëzakonshme.