Arbëri

Cosmo: Sinjalizuesi i “arratisur”

Ersen Shileku dhe kolegu i tij Bujar Ejupi kanë sinjalizuar për Kohavision për mbi një vit, për dhjetëra keqpërdorime brenda Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror.

Por, ata janë nxjerrë me dhunë nga zyra e tyre në momentin kur janë zbuluar nga Drejtori i Përgjithshëm i ASHNA-së se ishin ata që po i publikonin keqpërdorimet.

Në fakt Shileku ka rrëfyer për KTV-në, se para se të vendosnin të jepnin sinjale për mediat, kishin provuar të raportonin brenda institucionit dhe kishin lajmëruar edhe Qeverinë për këto keqpërdorime, ashtu siç edhe parashihet me Ligj.

Por, sinjalet e tyre ishin heshtur. Për më tepër ai thotë se u zbuluan pikërisht nga këto sinjale të brendshme.

Shileku ka nisur një jetë të re në një nga shtetet skandinave ku po punon si freelancer në Aviacion.

Ai së bashkë me kolegun e tij kanë dorëzuar me dhjetëra kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit për këto keqpërdorime

Hetimi për to ende nuk është finalizuar dhe Prokuroria Speciale edhe pas dy viteve vetëm ka konfirmuar se 3 persona janë duke u hetuar.

I cilësuar si guximtari i 2016, sinjalizuesi Murat Mehmeti, është rikthyer në pozitën e tij të punë pas shumë përballjeve me presione brenda ATK-së, pikërisht pasi kishte sinjalizuar dhe zbuluar për rrjetin e organizuar për evazion fiskal të më shumë se 200 bizneseve kosovare në ATK.

Mehmeti edhe me parë kishte dhënë sinjale për mediat kur kishte punuar në sektorin e hetuesisë të Policisë dhe kishte parë që gjërat po ngecnin.

Por, thotë se lufta brenda ATK-së kishte qenë e lodhshme dhe shumë stresuese.
 

Dy herë u largua nga puna, u degradua por prapë thotë se ka kaluar lehtë, krahasuar me atë që përjetuan kolegët e tij nga rajoni.

Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve edhe një vit pasi ka nisur së zbatuari nuk është finalizuar.

Kjo pasi Ministria e Drejtësisë ka dështuar të hartojë rregulloret që specifikojnë zbatimin e saj në praktikë.

Problemi kryesor në zbatimin e tij janë përzgjedhja e njerëzve që do të menaxhojnë me këto sinjale si dhe ruajtja e konfidencialitetit të personave që raportojnë shkeljet e ndryshme brenda institucioneve publike.

Sidoqoftë, sinjalizuesit e parë kanë nisur të flasin jo vetëm brenda institucioneve por të raportojnë raste edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Drejtori i saj, tregon për sinjalizues anonim që kanë raportuar për raste të ndjeshme dhe që prekin sfera të ndryshme.

Nisur nga praktikat e Shteteve të Bashkuar të Amerikës, rekomandohet që edhe Kosova të nisë praktikën e motivimit të sinjalizuesit përmes formave të ndryshme të shpërblimit.

Betim Musliu nga IKD, i cili për vite të tëra ka bashkëpunuar me sinjalizuesit ka treguar se shteti ka dështuar në mbrojtjen e tyre, madje ai thotë se këtë e ka bërë edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Edhe vetë sinjalizuesit janë skeptik se ligji do t’i mbrojë, jo për shkak të përmbajtjes së tij por për shkak se zbatimi i tij bëhet nga një sistem që është dëshmuar si i dështuar.

Ata thonë se po të ktheheshin në kohë sërish do të bënin punën e njëjtë, sinjalizimin në publik.

Megjithëkëtë, ata janë të bindur e edhe publikisht është dëshmuar se po të mos raportoheshin këto raste në media dhe të mos shfrytëzohej fuqia mediale për këtë, gjasat që të hetoheshin keqpërdorimet në Agjencinë e Navigimit Ajror dhe evazioni fiskal i më shumë se 200 bizneseve kosovare në ATK janë minimale.