Arbëri

Sinjalizuesit, skeptikë se ligji do t’i mbrojë

Ersen Shileku dhe kolegu i tij, Bujar Ejupi, kanë sinjalizuar për Kohavision për më shumë se një vit, për dhjetëra keqpërdorime brenda Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror.

Por, ata janë nxjerrë me dhunë nga zyra e tyre në momentin kur janë zbuluar nga drejtori i Përgjithshëm i ASHNA-së, se ishin ata që po i publikonin keqpërdorimet.

Në fakt, Shileku ka rrëfyer për KTV-në, se para se të vendosnin të jepnin sinjale për mediat, kishin provuar të raportonin brenda institucionit dhe e kishin njoftuar edhe Qeverinë për këto keqpërdorime, ashtu siç edhe parashihet me Ligj.

Por, sinjalet e tyre ishin heshtur. Për më tepër, ai thotë se u zbuluan pikërisht nga këto sinjale të brendshme.

I cilësuar si guximtari i 2016-s, sinjalizuesi Murat Mehmeti, është rikthyer në pozitën e tij të punë pas shumë përballjeve me presione brenda ATK-së, pikërisht pasi kishte sinjalizuar dhe zbuluar për rrjetin e organizuar për evazion fiskal të më shumë se 200 bizneseve kosovare në ATK.

Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, edhe një vit pasi ka nisur së zbatuari, nuk është finalizuar.

Kjo pasi Ministria e Drejtësisë ka dështuar të hartojë rregulloret që specifikojnë zbatimin e saj në praktikë.

Sidoqoftë, sinjalizuesit e parë kanë nisur të flasin jo vetëm brenda institucioneve, por të raportojnë raste edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Drejtori i saj, Shaip Havolli, tregon për sinjalizues anonim që kanë raportuar për raste të ndjeshme dhe që prekin sfera të ndryshme.

Edhe vetë sinjalizuesit janë skeptikë se ligji do t’i mbrojë, jo për shkak të përmbajtjes së tij, por për shkak se zbatimi i tij bëhet nga një sistem që është dëshmuar si i dështuar.

Megjithëkëtë, ata janë të bindur e edhe publikisht është dëshmuar se po të mos raportoheshin këto raste në media dhe të mos shfrytëzohej fuqia mediale për këtë, gjasat që të hetoheshin keqpërdorimet në Agjencinë e Navigimit Ajror dhe evazioni fiskal i më shumë se 200 bizneseve kosovare në ATK, janë minimale.