Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë të ditur se sot nuk do të takohet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.
Kurti nuk ka bërë të ditur se çfarë është diskutuar në takimin e mbrëmshëm. Ai është shprehur i bindur për arritjen e një marrëveshje me LDK-në, derisa ka thënë se nuk ka ndonjë rezultat konkret.
“Ne jemi duke u përgatitur që të qeverisim mirë. Unë sa i përket çështjes së bisedimeve me LDK-në nuk mund të kem lajme të reja pa pasur rezultate konkrete. Këtë ua kam thënë edhe më herët po e përsëris sërish. Sot nuk ka takim do të ketë takime dhe komunikime të vazhdueshme dhe më të dendura derisa të arrijmë marrëveshjen që dëshirojmë. Kur t’i kemi rezultatet konkrete jap lajme të reja, por nuk ka rezultate konkrete. Presidenti i Kosovës e ka shtyrë në maksimum datën se kur do të mbahet mbledhja konstituive për legjislaturën e shtatë sepse datë e fundit ka qenë 26 tetori po shohim që na ka dhënë më shumë kohë se që na është dashur”, tha Kurti, raporton KTV.
Dje pas takimit, zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa pa dhënë shumë detaje, tha se do të intensifikohen takimet mes Kurtit e Mustafës.
Kujtojmë se Kurti pati premtuar që marrëveshja të mbërrihej 72 orë pasi të jetë certifikuar rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit. Zgjedhjet u certifikuan më 27 nëntor.
Ndërkaq, presidenti Hashim Thaçi ka thirrur seancën konstituive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit më 24 dhjetor në orën 9:00.
Në njoftimin për media të Presidencës, thuhet se ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 66 (3) dhe nenit 84 pika (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, si dhe duke marrë parasysh Njoftimin e datës 27.11.2019 të KQZ-së për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Optimist se koalicioni do të ndodhë së shpejti është shprehur edhe Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili tha se marrëveshja do të arrihet pa i kaluar afatet kushtetuese.
Avdyli tha se njëra nga çështjet që kanë mbetur pa u zgjidhur është edhe ajo e presidentit, për çka në këtë pikë Vetëvendosje kërkon një zotim për bashkëpunimin e ardhshëm.
“LDK është e interesuar që ky mandat të jetë 4-vjeçar, dhe në kuadër të mandatit të qeverisë në ardhje 4-vjeçar që do të krijohet janë edhe pozita e presidentit. Nuk duam të futemi në qeveri, e cila do të zgjatë deri në pranverën e viti 2021 dhe atëherë ne si parti të shkojmë të ndarë para kësaj sfide. LDK për punën e presidentit po kërkon një zotim, i cili është vetëm zotim për një bashkëpunim të ardhshëm LDK-Vetëvendosje , nuk është që e kemi të sigurt apo e kemi mundësinë që vetëm kjo marrëveshje jonë ta zgjedhë presidentin. Duam që ky zotim të vendoset dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë me pikat e ardhshme siç është qeveria… Më shumë ka rëndësi zotimi jo vetëm me letër, edhe me gojë, por edhe me mirëbesim”, tha Avdyli.
Ish-deputeti i LDK-së ka insistuar që posti i presidentit të jetë çështje që duhet të diskutohet nëse Lëvizja Vetëvendosje dëshiron të ketë partneritet me LDK-në.