Veseli nuk tregon se në çfarë cilësie është ftuar në Hagë

Valbona Bytyqi dhe Ridvan Hamza 09 December 2019 19:03

Të martën para prokurorëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të dalë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli është një nga figurat e radhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është nisur për në Hagë, ku edhe do të intervistohet, raporton KTV.

Para nisjes, ish-kryetari i Kuvendit, ka thënë se është krenar për atë që ka bërë dhe se Specialja do të rikonfirmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së.

Veseli ka qenë shef i Shërbimit Informativ të Kosovës. SHIK-u ka pasuar Shërbimin e Zbulim-Kundërzbulimit të UÇK-së, që për komandant ka pasur gjithashtu kryetarin e PDK-së.

Emri i Kadri Veselit është përmendur disa herë edhe në raportin e Dick Martit, që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale.

Në njërën prej tyre, Veseli përmendet si pjesë e Grupit të Drenicës, që pretendohej se udhëhiqej nga Hashim Thaçi, pjesë e të cilit ishin edhe Xhavit Haliti, Azem Syla e Fatmir Limaj.

Sipas raportit, Veseli e të tjerët, janë hetuar në vazhdimësi si të dyshuar për krime lufte, krim të organizuar në raste të mëdha nga prokurorë të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës dhe EULEX-it.

“Megjithatë, deri në këtë ditë, të gjithë i janë shmangur drejtësisë efektive”, përfundon kjo pikë e raportit.

Një pikë tjetër që implikon Veselin, por edhe të përmendurit tjerë, është pika 72.

“Burimet tona të dorës së parë, me besueshmëri kanë përfshirë Halitin, Veselin, Sylën dhe Limajn, përkrah Thaçit dhe të tjerë nga rrethi i tij i afërt, në urdhërimin, dhe në disa raste mbikëqyrjen personale të vrasjeve, burgimet, rrahjet dhe marrjet në pyetje në disa pjesë të Kosovës, dhe, në interesin tonë, në kontekst të operacioneve të udhëhequra nga UÇK-ja në territorin e Shqipërisë, mes viteve 1998 – 2000”.

Përveç Kadri Veselit, publikisht, prej emrave më të përmendur të raportit të Martyt, është konfirmuar edhe ftesa për Azem Sylën, por jo për Hashim Thaçin e Xhavit Halitin.

Gjykata Speciale, deri më tani ka intervistuar disa nga figurat e UÇK-së, të cilat janë edhe pjesë e politikës kosovare, si Ramush Haradinajn, Sami Lushtakun, Rrustem Mustafën e dhjetëra persona të tjerë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Agron10/12/2019 10:24

E kane thirre me kendu: ciu, ciu, ...; e mos u ktheft!

Shto koment

Të ngjashme