Arbëri

Mot i ndryshueshëm në pesë ditët e ardhshme në Kosovë

Foto: Arben Llapashtica

Mot kryesisht i ndryshueshëm do të mbretërojë në Kosovë gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme, bën të ditur IHMK-ja përmes një komunikate për media.

Kjo situatë meteorologjike është si pasojë e prezencës së masave të ajrit me origjinë nga verilindja, të cilat nuk do të jenë të qëndrueshme. Këtyre masave të ajrit do t’i prijnë edhe masat tjera të cilat vijnë nga ana jugperëndimore, të cilat do ta mbajnë këtë balancë termike, me vlera të lehta negative por edhe vlera tjera pozitive, transmeton Koha.net.

Dita e hënë paraqitet me mot relativisht të ngrohtë, pas mëngjesit me mjegull, gjatë ditës pritet të ketë intervale me diell dhe rritje të dukshme të temperaturave.

Të martën mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu dhe bore, derisa në viset malore do të ketë vetëm reshje bore. Të mërkurën dhe të enjten nuk parashihet të ketë reshje frontale, përpos ndonjë rige të izoluar.

Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet -2 deri në 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditë parashihen të lëvizin ndërmjet 3-10 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga jugperëndimi dhe verilindja me shpejtësi 1-10 m/s.

Kushtet biometeorlogjike nuk do të jenë të favorshme për shtresën e popullatës që kanë probleme me frymëmarrje dhe sëmundje tjera kronike. Ndërsa sa i përket cilësisë së ajrit, do të ketë periudha me ndotje dhe me vlera të shëndetshme, varësisht prej fazave të aktiviteteve të elementeve dhe dukurive meteorologjike.