Arbëri

Publikimi i të dhënave personale të “kryerësve të masakrës së Reçakut” po konsiderohet i dëmshëm për hetimet

Foto: Alban Bujari / KD

Ditëve të fundit janë shtuar deklarimet rreth një prej masakrave më të tmerrshme nga shteti serb në Kosovë, asaj të Reçakut.

Të enjten, ish-ministri serb i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq, është dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ky dënim ndaj tij ka ardhur pasi i njëjti, derisa ishte në postin e ministrit, kishte mohuar të ketë ndodhur masakra e Reçakut, duke e quajtur të njëjtën “trillim”, raporton Koha.net.

Ndërkaq, Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë ditës së sotme ka publikuar dokumente me të dhëna personale të disa personave për të cilët pretendon se janë kryerësit e masakrës së Reçakut.

Në një postim në Facebook, Zyberaj ka shkruar se “këta persona këtu janë ata që kanë kryer masakrën e Reçakut dhe nuk janë përballur me drejtësinë”.

“Këta persona këtu janë ata që kanë kryer masakrën e Reçakut dhe nuk janë përballur me drejtësinë. Prokurorët tanë duhet t'i padisin dhe listojnë në Interpol. Ka ardhur koha për të krijuar një Gjykatë për gjenocidin serb në Kosovë dhe masakra e Reçakut duhet të jetë rasti i saj i parë”; ka shkruar mes tjerash Zyberaj.

Ai thotë se politika e mohimit dhe revizionizmit historik në Beograd është “aq e gërditshme” sa që “ofendon çdo person normal”.

“Vuçiqi është mbrojtësi i atyre që kryen masakrën në Reçak. Ata janë anëtarë të partisë së tij dhe aleatë të afërt të tij. Problemi me këtë politikë nuk është Serbia pasi ata do të bënin të njëjtën gjë me Kosovën nëse do të mundnin, por dështimi i drejtësisë ndërkombëtare për të dënuar këta kriminelë lufte që ecin tani të lirë në Beograd dhe mohojnë krimet e tyre. Përkundrazi, drejtësia ndërkombëtare po gjykon luftën tonë për liri dhe jo gjenocidin serb dhe politikat e serbe të aparteidit”, ka potencuar këshilltari i Pacollit.

Sipas tij, Ligji për mohimin e gjenocidit duhet të miratohet në Kuvend dhe zbatohet. “Ata që ofendojnë viktimat dhe të kaluarën tonë duhet të sillen para drejtësisë”, përfundoi ai.

Por, me këto publikime nuk është pajtuar prokurorja speciale e cila merret me hetimin e krimeve të luftës, Drita Hajdari, e cila, në një deklaratë për Kallxo.com, ka thënë se publikimi i emrave, i të dhënave personale të personave që mund të jenë kryerës të krimeve të luftës, dëmtojnë hetimin si dhe nuk lejojnë zbardhjen e këtyre krimeve.

Ndaj dënimit të Todosijeviqit, kanë reaguar edhe zyrtarët shtetërorë serbë. Ndër ta ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, pasi e ka quajtur “të tmerrshëm” dënimin me dy vjet burgim të Ivan Todosijeviqit, ka thënë se masakra e Reçakut është “krim i fabrikuar”, ndërsa ka pyetur se “a do të na dënojnë të gjithë neve për këtë”.

Ndërkaq, avokati Tomë Gashi, i cili është përfaqësues juridik i viktimave të masakrës së Reçakut, ka bërë një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundrejt Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Më 05.12.2019 në cilësinë e Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq me dashje ka nxitur dhe ka përhapur publikisht urrejtje, përçarje në mes të serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Gashi në padinë e ngritur ndaj Vuçiqit, transmeton Koha.net.

Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së, William Walker, që u akuzua se sajoi dhe trilloi masakrën e Reçakut nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, thotë të mos jetë i befasuar me deklarimet e zyrtarëve nga Beogradi.

Walker, i cili gjatë luftës kishte alarmuar botën për masakrën e Reçakut, në një deklaratë ekskluzive për KTV-në, ka thënë se kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të Beogradit bëjnë deklarime të tilla.

“Kjo nuk është hera e parë që në 20 vjetët e fundit që zyrtarë nga Beogradi më kanë quajtur me emra të ndryshëm dhe kanë bërë trillime rreth asaj se çfarë ka ndodhur në Reçak. Ka dëshmi të shumta se kjo ka ndodhur. Unë kam qenë pjesë e varrimit të 40 e më shumë njerëzve të cilët ishin vrarë dhe masakruar atje. Kemi bërë një hetim dhe hetime të tjera janë bërë gjithashtu për këtë masakër e të gjitha kanë ardhur në përfundimin e njëjtë, sikur ajo çfarë kam thënë unë. Më vjen keq që zotëri Vuçiq nuk pajtohet me këtë dhe që mendon ndryshe. Në 20 vjetët e fundit, vazhdimisht qeveria në Beograd ka tentuar të mohojë atë se çfarë kanë bërë forcat e tyre policore në fshatin e pambrojtur të Reçakut”, ka thënë Walker.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit rreth luftës në Kosovë të vitit 1999.

Sipas kësaj ambasade, retorika nxitëse dhe revizionizmi historik për ngjarjet e vitit 1999 janë të papranueshme.

{gallery}