Arbëri

Ambasada e SHBA-së kundër ndjekjes selektive të lirisë së shprehjes

Foto: Koha / ilustrim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit rreth luftës në Kosovë të vitit 1999.

Sipas kësaj ambasade, retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë të së cilës jemi dëshmitarë kohëve të fundit lidhur me ngjarjet e vitit 1999, janë të papranueshme. 

Po ashtu, Ambasada thotë që duhet "të jeni të kujdesshëm në ndjekjen penale selektive të fjalës duke u bazuar në orientimin politik apo komunitetit", ndërsa shton se "liria e shprehjes ka qenë prej kohësh parimi themelor i demokracisë". 

“Ngjarjet e kësaj jave paraqesin edhe një rikujtim se sa i rëndësishëm është kthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve dhe të ripërqëndrojnë energjitë e tyre drejt së ardhmes duke normalizuar marrëdhëniet”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Kujtojmë se të enjten, ish-ministri serb i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq, është dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Arsye për këtë dënim ishin deklaratat e tija të bëra kohë më parë në lidhje me ngjarjet e luftës në Kosovë.

“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi, për të cilat deri në ditën e sotme, askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Fushatën e tyre të përgjakshme e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Ivan Todosijeviq, sa ishte Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur “të tmerrshëm” faktin e dënimit me dy vjet burgim të Ivan Todosijeviqit ngase për krimin e Reçakut ka thënë është i trilluar.

Ai në lidhje me këtë rast tha se edhe vetë e përsërit tash – “krim i fabrikuar në Reçak”, ndërsa ka pyetur a do të na dënojnë të gjithë neve për këtë.

“Kjo është e tmerrshme”, ka deklaruar ai para gazetarëve në qytetin serb, Shabac, duke shtuar: “Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do ta përsërisin njësoj, ja edhe unë po e përsëris tash – krim i fabrikuar në Reçak, për të cilin çdo gjë ka falsifikuar ai mashtruesi botëror, pisi dhe hohshtapleri Walker”, është shprehur Vuçiqi, duke iu referuar William Walkerit.