Arbëri

Familja Dehari do që Instituti Zviceran të përfshihet në hetime, Prokuroria s’ka dërguar ftesë

Familja Dehari kërkon që për hetimet e rastit të vdekjes së Astrit Deharit, të ftohet edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë, i cili kreu ekspertizën për këtë rast.

Në konkluzionet e ekspertizës është vlerësuar se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes, raporton KTV.

Gjithashtu, Instituti ka thënë se është i gatshëm që përmes ekipeve dhe laboratorëve të jetë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka thënë se pa ardhjen në Kosovë të ekspertëve të Institutit Zviceran nuk do të ketë hetim të saktë.

Ndërkohë, Instituti Zviceran ka thënë se nuk do të pranojë asnjëherë të komentojë një rast i cili është në zhvillim.

Silke Grabherr, i cili ka kryer ekspertizën mjeko-ligjore të Deharit, nuk ka dhënë informata nëse deri më tani kanë pranuar ftesë nga autoritetet kosovare lidhur me hetimet mbi vdekjen e Astrit Deharit.

“Më vjen keq, por CURML-ja asnjëherë nuk do të diskutojë lidhur me rastet në zhvillim. Nëse do të vijmë në Kosovë dhe do të punojmë në këtë rast, kjo varet vetëm nga mandati që e kemi. Dhe vetëm institucionet e mandatuara mund t’ju japin informata lidhur me këtë. Më vjen keq që nuk jam në gjendje, që t'ju përgjigjem”, ka thënë Silke Grabherr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit Special, Afrim Shefkiu, që po e heton këtë rast, i ka thënë përmes telefonit KTV-së se akoma nuk kanë bërë një kërkesë të tillë.

Shefkiu ka shtuar se janë në përgatitje të lëndës dhe se do të vendosin nëse do ta ftojnë Institutin Zviceran apo jo.

Raporti i Institutit Zviceran për Mjekësi Ligjore i është dorëzuar familjes Dehari më 24 tetor.

Ekspertiza ka konstatuar se hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh.

Astrit Dehari u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të 2016-s.