Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes që u gjet i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren më 2016, ka thënë se ishin të gatshëm për zhvarrosjen e trupit të tij, vetëm që të ndihmohej në zbardhjen e rastit.
Në prill Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës konkludoi se trupi i viktimës “përbën provën më të rëndësishme, por edhe provën e cila më së paku është përdorur”. Ndër pesë konkluzionet ishte që “e vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do të ishte të riekzaminohet trupi pas një exhumimi (zhvarrosje)”. Megjithatë, ekspertët patën thënë se këtë masë s’e rekomandojnë për shkak të kohës së gjatë të kaluar.
Babai i Astritit, tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ishin të gatshëm ta zhvarrosnin trupin vetëm për t’u gjetur e vërteta, por fajëson institucionet e Kosovës për zvarritje të çështjes.
“Për ta nxjerrë të vërtetën, po. Ishim të gatshëm që çdo akt të kryhet si duhet. Në fillim kur kam biseduar, me ekspertët në Zvicër dhe iu kam thënë se për t’u nxjerrë e vërteta edhe zhvarrosjen e pranojmë, me gjithë dëshirë vetëm që të arrihet e vërteta. Mendoj se këtu ekspertët, që ishin të caktuar që t’i analizojnë të gjitha provat, me qëllim e kanë lënë të mos ta nxjerrin trupin nga varri. Ata s’janë njerëz të paditur, por kanë lënë që të kalojë një kohë, të mos ketë mundësi të vërtetohet diçka. Për këtë qëllim e kanë zvarritur këtë çështje”, ka thënë Dehari në “Java Sonte Me Rronin” në KTV.
Avokati i familjes, Tomë Gashi, ka thënë se kjo ka qenë hera e parë që dikush ka propozuar zhvarrosjen e Deharit. Sipas tij, konkluzat kishin sqaruar se “gabimi ka ndodhur që prej vitit 2016 e deri tash, por ne s’e rekomandojmë për shkak të kalimit të gjatë të kohës”. Ai ka akuzuar institucionet e vendit se në Lozanë kanë çuar dëshmi të cilat manipuluara. Ka thënë se rasti mund të zbardhet nëse ka vullnet.
“Mua po më vjen keq se është tepër e ndjeshme, por kam leje që të flas. Nëse dikush, për shembull ju, vetëm i kishit pa fotografitë sepse unë e kam pa trupin e pajetë, e kam pa tre orë sa ka zgjatur obduksioni dhe kam qenë permanent për t’i pa plagët. S’jam shkencëtar dhe s’më është lejuar ta prek, por të qëndroj afër, e ka pas prokuror që s’është afruar fare. Trupi i pajetë ka qenë prova kryesore. Kam thënë lërini të gjitha gjërat dhe merruni me trupin sepse aty janë dëshmitë... S’mund t’i shkaktojë askush lëndime vetes që janë shenja në largësi që përshtaten me boks të hekurit. Janë katër shenja në ballë. S’janë sqaruar kurrë”, ka thënë ai duke shtuar se për analizën në Zvicër janë dërguar prova të “pambështjella” e në formë “joadekuate”.
Nëna e Astritit, Xhemilja, pretendon se provat janë dëmtuar nga Prokuroria e Kosovës. Madje, për publikimin e raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës, ajo thotë se e kanë kuptuar nga mediat e që ishte tronditëse për ta.
“Nuk ishte e lehtë. Ka qenë shumë e vështirë kur e kemi pa në media. Më 1 prill e kanë pranuar raportin e Institutit. Por nuk na kanë dërguar. E kanë publikuar një herë në media. Ka qenë një torturë. Ka qenë shumë e vështirë për ne si familje ta shohim në media raportin e jo së pari ta kishim ne. Janë munduar ta fshehin provën kryesore, ajo që prova më e rëndësishme u përdor më së paku. Pastaj, pas reagimit të ministres së Drejtësisë e avokatit tonë, e ripublikuan më gjerësisht, por prapë nuk pati kurrgjë aty”, ka thënë ajo duke shtuar se prokuroria “ka çuar vetëm tri gjëra që ishin të dëmtuara”.
“ADN-ja e Astritit u gjet në briskun e rrojës dhe patronin e rrojës. Por normal që ADN-në e Astritit kanë me gjet aty. Ku i ka lënë provat tjera, pse i ka dëmtuar”, ka shtuar nëna e Astrit Deharit.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë. Teksa Prokuroria atë kohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.