Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Smajl Latifi s’e di në çfarë cilësie u ftua nga Specialja, thotë se nuk jep dorëheqje

E mërkura ka qenë ditë e zakonshme pune për kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi.

Ish-komandanti i Batalionit të 3-të të Brigadës 124 të UÇK-së, thotë se nuk do të japë dorëheqje nga posti i të parit të komunës, ashtu siç bëri kryetari i partisë së tij, Ramush Haradinaj, pasi u ftua për intervistim nga Specialja, raporton KTV.

Megjithëse nuk e di saktë se në çfarë cilësie është ftuar, Latifi insiston se nuk largohet nga pozita e kryetarit sepse, sipas ftesës, atij i është kërkuar të sillen dëshmi para Prokurorisë së Specializuar, për Kosovën.

Latifi duhet të paraqitet në Hagë më 30 tetor.

Zyrtari i AAK-së thotë se është i bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, andaj edhe do t’i përgjigjet ftesës duke u treguar hetuesve dëshmitë për krimet e bëra nga Serbia.

Sipas tij, secili pjesëtar i UÇK-së ka zhvilluar luftë të pastër dhe thotë se kjo gjykatë, të cilën e quan të padrejtë dhe të manipuluar, nuk mund të vendosë drejtësi.

Edhe Smajl Latifi niset për në Hagë Arbëri Smajl Latifi niset për në Hagë

Përveç Smajl Latifit, ftesë nga Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale ka marrë edhe Milaim Latifi, ish-ushtar i UÇK-së dhe epror i TMK-së.

Gjykata Speciale në Hagë, deri më tash, ka ftuar për intervistim mbi 100 persona në cilësinë e të dyshuarve, por edhe dëshmitarëve, megjithëse ende zyrtarisht nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.