Arbëri

Lamtumirë lumë!

Foto: Driton Paçarada / KD / Ilustrim

Nëse vazhdon trendi i deritashëm i futjes së lumenjve nëpër gypa, mjedisi mund të mbesë pa rrjedhë të ujit. Kjo ndodh në emër të prodhimit të energjisë së ripërtërishme e në dëm të ekosistemit, meqë po lejohet ndërtimi i hidrocentraleve të vogla pa u përfillur legjislacioni për mbrojtje të mjedisit.

Operimi i 14 hidrocentraleve të vogla dhe 21 të tjerave që janë në fazën e ndryshme të procesimit, pa analizë të mirëfilltë ujore dhe mjedisore përveç dëmtimit të ekosistemeve dhe biodiversitetit, po e rrezikon edhe rendimentin bujqësor.

Sipas organizatave të shoqërisë civile dhe njohësve të çështjeve të mjedisit, institucionet janë duke shkaktuar “krim mjedisor”, duke lëshuar licenca dhe autorizime për ndërtim dhe operim të këtyre hidrocentraleve, shkruan Koha Ditore. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra e Rregullatorit, si dhe mekanizmat e tjerë kanë dështuar që të sigurojnë se projektet respektojnë standarde mjedisore dhe obligimet ligjore që kanë.

Kompanitë në shumicën e rasteve kanë abuzuar me licencat dhe nuk kanë respektuar kontratat. Kjo ka hasur në kundërshtim të banorëve, të cilët përmes protestave të shumta janë munduar që të kundërshtojnë ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.

“Luftë” kundër futjes së lumit në gypa

Banorët e fshatit Biti e Poshtme të Komunës së Shtërpcës kanë frikë se lumi Lepenc që kalon pranë shtëpive të tyre do të mbetet pa ujë. Ata pa dallim etnie, që nga viti 2015 vazhdimisht kanë protestuar për mbrojtjen nga veprimet e dëmshme ndaj resurseve ujore (lumenjve) në pellgun e lumit Lepenc, respektivisht devijimin e ujërave që rezulton në mungesë të tij për nevoja të bujqësisë.

Protesta të tilla ka pasur edhe ditëve të fundit, pranë lumit në pjesën ku kompania “Matkos grup” ka filluar ndërtimin e hidrocentralit rreth 5 vjetëve më parë. Ky është hidrocentrali i 4-t që po ndërtohet nga kjo kompani në atë zonë. Nga punimet e zhvilluara në atë zonë përveç shtratit të lumit është dëmtuar edhe bregu i tij, ku janë prerë disa lisa. Rrjedha e lumit ka filluar të ndryshojë, e bashkë me të të pakohet edhe niveli i ujit. Ata pak ujë që ka mbetur është turbulluar nga punimet në të dyja anët e lumit.

Kompania investuese tashmë ka investuar në të dyja anët e lumit dhe se vetëm një pjesë pranë fshatit ka mbetur pa u futur në gypa. Për të kundërshtuar që kjo pjesë të futet në gypa, banorët ditë më parë janë përplasur me forcat e rendit, gjatë përshkallëzimit të protestës së mbajtur pranë zonës së punimeve. Nga kjo përleshje 20 banorë kishin kërkuar ndihmë mjekësore, në mesin e të cilëve edhe një foshnjë e moshës 6-muajshe dhe gra e fëmijë të tjerë.

Banori Muharrem Tahiri ka thënë për gazetën se si policia kishte përdorur dhunë ndaj fëmijëve, grave dhe vajzave të cilat po ashtu ishin pjesë e protestës. “E kanë kapur vajzën time për me shti brenda shiritit, e unë jam munduar me ngreh vajzën, por ata më kanë hedhur spej syve dhe unë nuk kam mund me kapë vajzën. Atë e kanë kapë, e kanë lidhur, dhe të prangostë i kanë hedhur sprej edhe njëri nga policët e ka goditur me shqelm”, ka thënë Tahiri. Ai ka pohuar se atë ditë është ndaluar edhe vajza tjetër e tij dhe se, sipas tij, policia ka përdorur dhunë ndaj të dyjave.

Ndërsa vajza tjetër, sipas tij, me mbesën 6- muajshe në krah, që nuk kishte kujt t’ia linte në shtëpi, pasi të gjithë kishin dalë në protestë, kishte dalë me vrap, pasi kishte dëgjuar zhurmën dhe britmat e banorëve.

“Policia ka hedhë sprej dhe është lënduar edhe vajza e vogël. Ende e ka pjesën afër syve të ajun dhe të skuqur nga sprej. Edhe fëmijët tjerë që kanë qenë këtu janë lënduar nga dhuna e policisë. Po çohen natën, po bërtasin policia, policia”, ka thënë Tahiri. Ai bashkë me banorët e tjerë janë shprehur të vendosur për të mbrojtur lumin pasi, siç kanë thënë, pa lumë ata nuk kanë jetë.

“Nëse mungon uji i Lepencit, degradimi i tokës do të jetë i pakthyeshëm, prandaj edhe humbjet do të jenë katastrofale në këto fshatra”, ka thënë Azem Tahiri, banor tjetër i fshatit. Ai ka ftuar institucionet që të ndalojnë ndërtimin e këtij hidrocentrali, në të kundërtën, sipas tij, do të ketë edhe trazira të tjera. Banorët e asaj zone tregojnë me nostalgji për kohën kur niveli i ujit të lumit ishte i lartë dhe në të rriteshin peshq të shumtë e gjallesa të tjera.

Jeton Tahiri, banor i këtij fshati, tregon se si fëmijë bashkë me moshatarët e tij zinin peshq në lumë. Ky lumë, sipas tij, është jetë për banorët e këtij fshati pasi, siç ka thënë, vetëm 2 persona janë në punë të shtetit, ndërsa të tjerët merren me bujqësi dhe se prodhimtaria bujqësore varet nga ky lumë.

“Ne të gjithë këtu merremi me bujqësi. Edhe unë mbjell mjedra dhe arra, se me një rrogë është problem të jetohet”, ka thënë Tahiri. “Këtu lumi e ka ndërruar rrjedhën dhe ma ka marrë një pjesë të arës, po në rregull është ligj natyrë, por pjesën tjetër tash kanë filluar të punojnë në hidrocentral. Por, unë nuk po kërkoj asnjë kompensim e asgjë tjetër, përveç që lumi të mos futet në gypa”, ka thënë Tahiri. Ata thonë se hidrocentralet në këtë zonë nuk kanë leje mjedisore e as nuk i plotësojnë kriteret për t’u pajisur më të.

Investitori pranon se nuk posedon leje

Se nuk posedon leje mjedisore e pranon edhe vetë investitori, pronari i kompanisë “Matkos Group”, Labinot Vitija. Por, ai ka thënë për gazetën se posedon pëlqim mjedisor dhe ujor dhe se vitin e kaluar ka aplikuar edhe për leje mjedisore. “Unë fillimisht kam angazhuar një kompani për të bërë studim të mjedisit dhe dokumentet që kërkohen i kemi dorëzuar në Ministri të Mjedisit dhe në Komunë. Komuna e Shtërpcës më ka dhënë leje për ndërtim.

Edhe MMPH-ja më ka dhënë pëlqim ujor, dhe për shfrytëzim të ujit”, ka thënë Vitija. Ai ka thënë se deri më tani ka investuar rreth 25 milionë euro në 4 hidrocentrale dhe se kthimi i mjeteve është i ngadalshëm. “Fitimet janë në periudhën afatgjate, tani nuk ka fitime madje ende nuk kam arritur të kthej investimet që i kam bërë në hidrocentralin që e kam bërë në Brezovicë”, ka thënë Vitija, duke shtuar se nga telashet që i kanë dalë me protesta dhe kundërshtime i ka rënë pishman që ka investuar dhe se me qejf i kishte shitur. Ka përmendur se si banorët gjatë protestave i kanë djegur edhe mjetet e punës.

Ndërsa sa u përket procedurave ai ka thënë se pas fazës së ndërtimit operatorët kanë një fazë testuese të kapaciteteve që është deri në 2 ose tre muaj. Ai e ka pohuar se ka kaluar periudhën testuese të operimit, por që është në pritje të licencimit nga ministria pas aplikimit që ka bërë për leje mjedisore vitin e kaluar.

Por, Ministria e Mjedisit i ka thënë gazetës se vetëm kompania “Kelkos Energy” ka aplikuar për leje mjedisore për hidrocentral gjenerues përgjatë lumëbardhit të Deçanit më 27 shtator 2019. “Pas shqyrtimit të kërkesës /dokumentacionit përcjellës Komisioni për leje mjedisore do të realizojë vizitën në terren për verifikimin e kushteve teknike dhe mje - disore, më pas do t’i përgjigjemi kompanisë në afate të rregulla kohore të përcaktuara me ligj”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së.

Sipas saj, hidrocentralet nga lokacionet e tjera që kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me leje mjedisore kanë ngecur në procedura për shkak të moskompletimit të dokumentacionit.

Si anëtare e komunitetit të energjisë, Kosovës i janë vënë caqe për pjesën e energjisë, e cila duhet të sigurohet përmes burimeve e ripërtërishme. Deri në vitin 2020, Kosova është zotuar që 25 për qind e të gjithë energjisë ta nxjerrë përmes burimeve të pastra. Arritjen e caqeve Kosova ka tentuar ta bëjë përmes ngritjes së dhjetëra hidrocentraleve me kapacitete të vogla, përgjatë pellgjeve kryesore dhe degëzimeve të tyre.

Më 2006, 2008 dhe 2010, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë studime të parafizibilitetit për identifikimin e potencialit që Kosova ka për gjenerimin e energjisë përmes ujit. Aty janë identifikuar 77 lokacione, ku mund të gjenerohet energji nga hidrocentralet. Ndërkaq, deri më 2018 ishte planifikuar që të ndërtohen rreth 16 hidrocentrale të tilla.

Për nxitjen e ndërtimit të tyre janë përpiluar edhe politika favorizuese për kompanitë. Në vitin 2016 Zyra e Rregullatorit për Energji ka rritur tarifën për energjinë e ujit nga hidrocentralet e vogla nga 63.3 euro në 67. 3 euro për megavat orë. Kjo e ka nxitur interesimin e kompanive për investime në këtë sektor.

Por, sipas një studimi të bërë nga dy organizatat, Balkan Green Foundation dhe INDEP, Kosova nuk ka bazë reale që t’i akomodojë një numër të tillë të propozuar të hidrocentrale të reja, të cilat do të ndërtoheshin në pjesën më të madhe në parqet kombëtare të Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna (48 prej tyre të planifikuara) të cilave do t’i dëmtohej biodiversiteti dhe do t’iu ulej vlera turistike dhe ajo e përgjithshme.

Në analizë thuhet se ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike nuk është bërë me një planifikim që do të merrte parasysh kapacitetet, ndikimin në mjedis dhe nevojat e qëndrimet e institucioneve lokale dhe aktorëve të tjerë shoqërorë. “Ky çalim i theksuar në planifikim shfaqet edhe në hartimin e strategjive të energjisë ku potencialet e teknologjive të ndryshme bëhen pa studime serioze dhe ku futen projekte si ai i Hidrocentralit të Zhurit që nuk ka perspektivë reale për t’u zhvilluar. Në të njëjtën kohë, planifikimit i mungon diskutimi i zgjeruar në lidhje me projekte të veçanta në të cilat diskutime qytetarët do të mund të shprehnin kërkesat e tyre”, thuhet në analizë.

Procedurat për operim të HC-ve

Për të investuar në operim hidrocentralesh janë disa procedura. Duhet së pari të bëhet regjistrimi i biznesit në ARBK. Nga Ministria e Mjedisit duhet të merret leje mjedisore, leje për shfrytëzimin e ujit dhe leje për ndërtimin, për kapacitetet e instaluara me fuqi mbi 10 MW. Nga Agjencia e pyjeve duhet leje nëse ndërtimi bëhet në pyje. Nëse ndërtimi bëhet në zonë me interes të veçantë duhet leje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Nga Ministria e Infrastrukturës leja për kyçje në infrastrukturën ekzistuese rrugore. Leje për ndërtim të kapaciteteve dhe kontratë për shfrytëzimin e tokës duhet të merren nga komuna.

Në KEDS dhe KesCo duhet autorizim për kyçje në sistemin e shpërndarjes së energjisë dhe kontrata për blerjen e energjisë nga furnizuesi, ndërsa në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë duhet licencim për gjenerim të energjisë (për kapacitete të instaluara me fuqi mbi 5 MW) dhe Autorizim për gjenerim të energjisë (për kapacitete të instaluara me fuqi nën 5 MW).

Kriteret bazë për t’u pajisur me leje mjedisore për hidrocentrale: janë aplikacioni për leje mjedisore që është pjesë e Udhëzimit Administrativ për Leje Mjedisore 07/2017; pëlqimin mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; certifikatën e përdorimit; lejen ujore për shfrytëzim të Ujit dhe Rehabilitimin e zonës ku janë zhvilluar punimet.

Megjithatë, pranimi i aplikimit të kompanisë “Kelkos energy” për leje mjedisore në MMPH e ka bindur ZRRE-në që t’ia vazhdojë licencën e përkohshme të operimit për periudhë njëvjeçare tri hidrocentraleve të kompanisë “Kelkos Energy” në Grykën e Deçanit, përkatësisht HC “Bellaja”, HC “Deçani” dhe HC “Lumbardhi 2”, të cilat janë në procedurë të licencimit që nga 2016.

Në arsyetimin e vendimit të këtij instituci oni, që është marrë të hënën, është thënë se ato janë pajisur me licencë pasi kanë plotësuar kërkesat për t’u pajisur me certifikatë të përdorimit dhe kanë aplikuar për leje mjedisore.

Por, ZRRE-ja, duke u bazuar në një rregullore të brendshme të miratuar në vitin 2017, e cila ia mundëson lëshimin e licencave të përkohshme edhe pa leje mjedisore ka lejuar operimin e tyre. Për këtë rregullore gazeta kishte raportuar se bie në kundërshtim me Ligjin bazë për Rregullatorin e Energjisë, atë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes, të cilat tregojnë se një impiant për të cilën aplikohet leje e integruar mjedisore nuk mund të lëshohet në punë pa posedim të një dokumenti të tillë.

Gazeta kishte raportuar më herët edhe për dhënien e licencës për operim për kompaninë “Hidroenergjia sh.p.k” për hidrocentralin Lepenci 3 në Sllatinë të Kaçanikut, edhe pse ky impiant nuk posedon lejen e integruar mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit, përkatësisht neni 31, paragrafi 1, parasheh që “lëshimi në punë i objektit të ndërtuar apo i stabilimenteve dhe pajisjeve që kanë qenë objekt i vlerësimit të ndikimit në mjedis, nuk mund të fillojë veprimtarinë pa marrjen e lejes mjedisore”.

Edhe Ligji për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, neni 6 i tij, parasheh që gjatë përcaktimit të kushteve për marrjen e lejes, Ministria do të kërkojë që impiantet të operojnë në atë mënyrë që mes tjerash të jenë ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e aksidenteve, si dhe për të kufizuar pasojat për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

Ndërsa Ligji për Rregullatorin në nenin 30 të tij parasheh që licenca lëshohet vetëm për ndërmarrjet e energjisë të regjistruara sipas ligjeve të aplikueshme në Kosovë. Paragrafin 1.3 thuhet se licencimi bëhet për ndërmarrjet që sigurojnë fakte që stabilimentet e energjisë që përdoren për aktivitetet i plotësojnë kërkesat për mbrojtje të shëndetit, sigurisë dhe mjedisit.

ZRRE-ja e pyetur nga gazeta se mbi çfarë baze ligjore ka lëshuar një licencë të tillë për ndërmarrjen “Hidroenergji”, ka thënë se një gjë e tillë është bërë me rregullin për licencim.

Hidrocentralet në zona të mbrojtura

Sipas një analize të organizatës “Balkan Green Fondation” dhe INDEP, problematik mbetet fakti se 62 për qind (48 nga 77) e hidrocentraleve të vogla ekzistuese dhe të planifikuara gjenden në brendi të zonave me rëndësi të veçantë natyrore. Kjo, sipas saj, paraqet rrezik të madh që këto zona të dëmtohen përgjithmonë dhe të degradohen peizazhet natyrore e burimet ujore të vendit.

Ndërtimi i këtyre hidrocentraleve pranë hapësirave me rëndësi të veçantë natyrore (Zona 1) sipas BGF dhe INDEP është krim ekologjik i dënueshëm dhe dëmton qëndrueshmërinë e parqeve nacionale, si dhe dëmton seriozisht biodiversitetin e këtyre an - ëve, posaçërisht ndikon negativisht në faunë dhe potencialisht në turizmin e atij vendi. Problematikë e madhe e këtyre ndërtimeve të hidrocentraleve sipas analizës është se mungon transparenca, standardet mjedisore, dhe ekziston mundësia të manipulohet me leje të ndryshme.

“Ndryshimi i destinimit të hartës zonale, nga Zonë 1 apo Zona 2, në Zonë 3, bëhen me qëllim të përfitimit nga këto kapacitete dhe tarifat nxitëse. Po ashtu mungojnë debatet publike dhe kërkesat e brengat e banorëve, apo edhe të autoriteteve të nivelit lokal, nuk është se merren parasysh, në anën tjetër, ata as nuk kanë edhe ku të ankohen dhe si pasojë lindin edhe konflikte sociale”, thuhet në analizë.

Bjeshkët e Nemuna janë park kombëtar zyrtarisht që nga viti 2012 dhe zonë e veçantë e mbrojtur me ligj. Përkundër kësaj, institucionet e Qeverisë së Kosovës planifikojnë të ndërtojnë një mori të madhe të HCV-ve, gjithsej 21 të reja vetëm brenda parkut kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna. Aktualisht në këtë park gjenden hidrocentrali i Belajës, i Deçanit, Belaja, dhe Lumbardhi 1 & 2 me total 31 MW të instaluar.

“Kelkos Energy me pretekst se po ndërton pendë ujitëse në Zallë të Rupës, çrrënjosi karakteristikat e rralla të lumit të egër që ishte një ndër të fundit të këtij lloji në Ballkan. Pasi që lumi shtrihej mbi një tokë zallore, Kelkosi plaçkiti tonelata zalli dhe la pas vetes vetëm gropa të mbushura me ujë që rrezikojnë jetën e kalimtarëve dhe bjeshkatarëve që jetojnë e punojnë aty”, thuhet në analizë. “Kelkos Energy” si kusht për leje të ndërtimit, duhej të ndërtonte në Deçan një park prej 1 milion eurosh. Por, parku që është ndërtuar është më shumë një sipërfaqe e mbuluar me gurë dhe çimento dhe nuk duket të jenë shpenzuar as 1% e buxhetit të premtuar.

Me legjislacionin në fuqi kërkohet që gjithmonë minimumi prej 30 për qind e ujit duhet të qëndrojë në shtrat të lumit. Por, sipas raportimeve nga banorët ,“Kelkos Energy” e lë shtratin e lumit të zbrazur duke futur 100 për qind të ujit në gypa, gjë që rezulton në vdekjen e biodiversitetit dhe shterjen e lumit.

Gazeta ka tentuar të kontaktojë me përfaqësues të “Kelkos Energy” në numrin e paraqitur në ARBK, por kontakti me ta ka qenë i pamundur. Përgjigje nuk ka kthyer në pyetjet e gazetës Komuna e Deçanit.

Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Sharrit është park kombëtar që nga viti 1986. Sipas BGF-së, kjo hapësirë përfshin edhe numrin më të madh të hidrocentraleve të parapara që të ndërtohen në të dhe që janë ndërtuar viteve të fundit me një dinamikë të shtuar të punimeve, me plot 32 vepra të parapara. Shumica e aplikacioneve në ZRRE për hidrocentrale të reja, që gjenden në listën e autorizimeve finale gjenden pikërisht në këtë park dhe në pellgun e lumit Lepenc.

Organizata “Gjethi” në studimin e tyre “Arsyeshmëria e ndërtimit të hidrocentraleve të reja në pellgun e lumit Lepenc, dhe pse nuk duhet vazhduar me ndërtimin e tyre”, përmenden edhe probleme me furnizim të ujit për vetë banorët e komunave të Hanit të Elezit, si dhe në atë të Kaçanikut, që veçse kanë probleme furnizimi me ujë. Sipas saj, në Brezovicë dhe në shumë vende të tjera janë tharë lumenjtë për shkak të ndryshimit të rrjedhës së ujit nga HCV.

Probleme të raportuara ka sidomos në anën e Bjeshkëve të Sharrit, në anën e Dragashit dhe në zonën e Gorës, ku ka pasur shterje dhe devijim të lumenjve e si rrjedhojë edhe konflikte e rezistencë qytetare nga banorët lokalë, të cilët gati kudo kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve.

Komuna e Prizrenit, për shkak të problemeve të shumta jo vetëm mjedisore por edhe sociale, ka ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve. Kjo komunë ka mospajtime me MMPH edhe sa u përket planeve për ndërtimin e minihidrocentraleve në Lumbardh. Zyrtarët e lartë të qeverisë komunale të Prizrenit janë shprehur kundër ndërtimit të minihidrocentraleve në Luginën e Lumëbardhit (Zhupë). “Ne jemi kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore për ta parandaluar ndërtimin e tyre. Këtë e kemi dëshmuar edhe si komunë, me anë të nënshkrimit të deklaratës së përbashkët kundër ndërtimit të hidrocentraleve, me të cilën kemi kërkuar nga organet kompetente anulimin e tyre”, ka bërë të ditur Haskuka, pas raportimeve se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka zhbllokuar këtë proces. Ai pati shtuar se të gjithë kryetarët e fshatrave të Zhupës dhe e gjithë popullata e këtij rajoni janë kundër hidrocentraleve, pasi ato do ta shkatërrojnë natyrën këtë trevë.

Adem Lushaj nga shoqëria civile në Deçan ka treguar për gazetën se banorët e kësaj zone ishin mashtruar nga oferta se do të përfitonin miliona euro nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe do të ketë punësim të dhjetëra banorëve të zonës. Ai ka thënë se nuk është kundër shfrytëzimit të resurseve natyrore por, sipas tij, duhet të përfillen komponentët ekonomikë, socialë dhe mjedisorë.

“Shtrati i lumit të Deçanit është shkatërruar me futjen e tubave në një gjatësi prej 12-13 kilometrave. Nga ndërtimi i hidrocentralit Kosova përfiton vetëm 3 megavate energji elektrike, kapacitete që janë qesharake në krahasim me dëmin e madh që i është bërë lumit”, ka thënë Lushaj.

Ndërkohë eksperti i ujërave, Avdi Gjonbalaj, e ka kritikuar mënyrën e përjashtimit të publikut nga procesi i marrjes së vendimeve mbi këto objekte, është në kundërshtim të plotë me standardet e UE –së të cilat Kosova dëshiron t’i implementojë në sferën e mbrojtjes së mjedisit.

“Përveç gabimeve procedurale gjatë vlerësimit në mjedis lidhur me përfshirjen e publikut, gabimet lajmërohen edhe në përmbajtjen e studimeve në të cilat pamjaftueshëm dhe jokualitativisht analizohen ndikimet kumulative të këtyre projekteve në ekosistemet lumore”, ka thënë Gjonbalaj.

Procesi i marrjes së lejeve për kushte ujore dhe pëlqime ujore, sipas tij, është duke u zhvilluar në kundërshtim me legjislacion në fuqi dhe se asnjë nga investitorët nuk i plotëson kriteret për t’u pajisur me këto leje.

LDK-ja e VV-ja kundër hidrocentraleve

Kundër ndërtimit të hidrocentraleve është shprehur edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila pritet të krijojë Qeverinë e re pasi ka dalë e para në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit. Sipas saj, jo vetëm që nuk duhet të ndërtohen HC të reja, porse edhe të gjitha hidrocentraleve që u janë lëshuar leje viteve të fundit duhet t’u rishikohet dokumentacioni e të fillojë një hetim për këtë çështje. Liburni Aliu nga kjo parti ka deklaruar se nëse VV-ja e merr Qeverinë do të fillojë menjëherë që të bëjë një gjë të tillë.

“Të gjitha hidrocentraleve të vogla duhet t’u rishikohen lejet mjedisore që u janë dhënë. Konsiderojmë që edhe analiza- elaborate mjedisore, edhe leja mjedisore janë bërë me shkelje. Duke parë gjendjen faktike në terren, e kemi parë që në shumë fshatra ku janë dhënë këto leje janë bërë fshatra pa ujë”, ka thënë ai. Ai ka marrë shembull fshatin Bistricë.

Sipas tij, në shumë vende ku janë ndërtuar hidrocentralet bëhet fjalë për lumenjtë shumë të vegjël.

“Të gjitha lejet e operimit dhe hapësinore, të gjitha janë të dyshimta. Përkundër se për një kohë është pezulluar leja për to, sërish u është mundësuar të vazhdohet puna. Vlerësoj që janë duke bërë shkelje ligjore dhe për këtë çështje duhet të bëhet një hetim penal”, ka thënë ai.

Ndërsa kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, në fushatë po ashtu ka premtuar se nuk do të këtë hidrocentrale të reja. “Kush më mirë se ju pejanët e dinë se çka do të thotë që njerëz të papërgjegjshëm, për xhepat e tyre, e rrezikojnë shëndetin tuaj. Për xhepat e tyre rrezikojnë ambientin e juaj ku jetoni. E ju them se nuk do të ketë hidrocentral mbi Lumbardh dhe pikë”, ka thënë Osmani.

Ndërkohë organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar nga institucionet e reja që të merren parasysh seriozisht kërkesat dhe ankesat e banorëve dhe shoqërisë civile dhe të ndalohet dhënia e lejeve për operim pa pasur leje mjedisore.

“Institucionet e reja duhet t’i rreken punës seriozisht për t’i shikuar alternativat e tjera më të përshtatshme në përfitimin e energjisë së ripërtërishme duke u fokusuar në ato të erës, si dhe në energjinë solare”, ka thënë Raka nga organizata “Gjethi”.

Ka kritikuar punën e Kuvendit, duke thënë se nuk ka pasr mobilizim për t’i mbikëqyrur institucionet që merren me çështjen e hidrocentraleve dhe se pakënaqësia e banorëve, sipas tij, është pasojë e mosveprimit institucional me kohë.