Nga rënia e skeleve në shkollën “Zejnel Salihu” në Fushë Kosovë lëndohen nxënësit, heshtin Policia e QKMF-ja Foto: Ilustrim/Koha

Nga rënia e skeleve në shkollën “Zejnel Salihu” në Fushë Kosovë lëndohen nxënësit, heshtin Policia e QKMF-ja

11 October 2019 14:09

Një aksident ka ndodhur dje në fshatin Bardh i Madh të Fushë-Kosovës, ndërkaq QKMF-ja si dhe stacioni policor i kësaj komune thonë se nuk dinë gjë.

Bëhet fjalë për lëndimin e disa nxënësve të SHFMU "Zejnel Salihu", në ndërrimin e paradites, raporton Koha.net.

Raportimin e kanë bërë disa prindër, fëmijët e të cilëve e kanë përjetuar këtë ngjarje pasi kanë shkuar në shtëpi shumë të shqetësuar. Sipas këtyre prindërve, që kanë preferuar të mbesin anonim, aksidenti ka ndodhur si pasojë e shembjes së një pjese të skeleve që janë vendosur përreth objektit të shkollës, i cili po rinovohet dhe izolohet, ndërkohë që mësimi po zhvillohet normalisht.

Sipas informatave që janë dërguar në Koha.net nga një pjesë e personelit, armatura e skeleve ka rënë në dritaret e njërës klasë me ç'rast kanë goditur disa nxënës gjatë procesit mësimor, ndërkaq dy vajza kanë marrë lëndime serioze në kokë dhe shpinë.

Koha.net ka provuar të marrë përgjigje nga Policia po ata s’janë përgjigjur.

Nga ana tjetër, opozita në këtë komunë e ka konfirmuar aksidentin. Kryetari i degës së PDK-së në Fushë-Kosovë ka thënë se ka informacion se dy vajza kanë marrë lëndime serioze, ndërkaq ka shprehur shqetësimin e tij për mosraportimin e rastit tek institucionet kompetente. Ndërkohë në raportin 24 orësh të PK-së ky aksident nuk figuron fare.

Sot gjatë ditës këtë e ka raportuar edhe dega e PDK-së në Fushë Kosovë.

Ata përmes një reagimi thonë se “në Bardh të Fushë Kosovës janë lënduar disa nxënës, por rasti është tentuar të fshihet”.

“Dje në fshatin Bardh të Fushë Kosovës janë lënduar disa nxënës të SHFMU “Zejnel Salihu”, si pasojë e shembjes së një pjese të skeleve për renovim të objektit të shkollës, por ky aksident është tentuar të fshihet nga Drejtori i Drejtoratit pë Arsim i Komunës së Fushë Kosovës, Islam Shabani. Merret vesh se armaturat e skeleve kanë rënë në dritaret e shkollës ku po mbahej mësimi me ç’rast kanë goditur nxënësit, ku dy vajza kanë marrë lëndime në kokë dhe shpinë. Për më tepër ngjarja nuk është bërë e ditur as në polici e as në QKMF të Fushë Kosovës, pasi nga kërcënimet e Islam Shabanit, nxënësit janë dërguar në QKUK, duke tentuar që gjithçka të kalojë në heshtje”, thuhet në reagimin e PDK-së në Fushë Kosovë.

Dega e PDK-së në Fushë Kosovë kërkon sqarim në lidhje me krejt këtë ngjarje nga drejtori i Drejtoratit të Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani, nga policia e Kosovës dhe nga QKUK-ja.

“Kërkojmë hetime të mëtutjeshme për ngjarjen dhe për të gjithë akterët që janë munduar ta heshtin lëndimin e nxënësve dhe nuk do të ndalemi deri në sqarimin e plotë. Bëjmë me dije se në shkollën “Zejnel Salihu”, mësimi ka filluar me vonesë për shkak të renovimit, por gjithçka ka kaluar në heshtje nga ana e Drejtoratit të Arsimit të Komunës së Fushë Kosovës. Shkolla është e rrethuar me skelet për renovim çka paraqet rrezik edhe të mëtutjeshëm për lëndimin e nxënësve dhe personelit”, thuhet në reagim.

Rastin e kanë raportuar në adresë të Koha.net edhe shumë lexues duke theksuar se rasti po tentohet të fshihet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme